×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Beteja 4 mujore e Insajderit me MPJ`në – Favori ndaj Prindon Sadriut dëmton buxhetin për 13 mijë euro

Insajderi
22 July 2022 - 16:34
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Me 13 mijë euro gjobë është dënuar Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, pasi që ka refuzuar t`i ofroj Gazetës Insajderi faturat e shpenzimeve të diplomatit Prindon Sadriu, që është edhe bashkëshorti i Presidentes së vendit. MPJ me taksa të qytetarëve kosovarë paguante derivatet për udhëtimin e Sadrit nga Kosova në Maqedoni aty ku shërbente si zëvendësshef i misionit. Por për këto shpenzime ky insitucion nuk i ofroi të dhëna Gazetës anipse ka mbi 4 muaj që kur i janë kërkuar ato, e që ligji i obligon t`i bëjnë publike. Por sot AIP e gjobiti MPJ-në që drejtohet nga Donika Gërvalla, me 13 mijë euro të cilën duhet ta paguaj brenda 30 ditësh

Liridona Hyseni & Mira Avdimetaj

Shteti është pajtuar që në këmbim të fshehjes së faturave të shpenzimeve të udhëtimit të Prindon Sadriut, në destinacionin Kosovë – Maqedoni, të paguaj 13 mijë euro gjobë.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, as pas katë muajsh që kur Gazeta Insajderi ka kërkuar qasje në shpenzimet e Prindon Sadriut që paguhen me taksat e qytetarëve, nuk ka lejuar që ato të bëhen publike. Kjo ministri, ku punon e nga ku merr pagë Sadriu, i kaloi të gjitha afat ligjore për qasje në dokumentet publike.

Pasiqë MPJ nuk i ofroi këto fatura, Gazeta Insajderi u ankua në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, e cila nxorri një vendim me 2 qershor, duke e obliguar atë që brenda 7 ditësh t`i jap faturat gazetës.

Ministria e Punëve të Jashtme nuk e përfilli fare vendimin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Si rrjedhojë e kësaj, AIP me 1 korrik e gjobiti me 3 mijë euro fillimisht.

“Shqiptohet gjobë ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për moszbatimin e vendimit të datës 02.06.2022 në shumën prej 3 mijë euro për heshtje ndaj kërkesës për qasje në dokumentet publike”.

Pasiqë përsëri Ministria e Gërvallës heshti, Agjencia shqiptoi sot edhe gjobën e dytë.

“Shqiptohet gjobë për moszbatim të vendimit të datës 02.06.2022 në shumën prej 10 mijë euro për pamundësinë e realizimit tët  të drejtës për qasje në dokumentet publike”, thuhet në vendimin e 22 korrikut të AIP-as.

Agjencia e obligon MPJ-në që brenda 30 ditësh të paguaj totalin e gjobës prej 13 mije eurosh, shkruan Gazeta Insajderi.

Beteja 4 mujore e Gazetës Insajderi, për zbulimin e hargjimeve të shtetit për Sadriun

Prindon Sadriu, bashkëshorti i Prsidentes Vjosa Osmani, që e mbante pozitën e zëvendësshefit të misionit diplomatik në Shkup, më 2 mars të viti 2020, kishe kërkuar nga Ambasadori i Kosovës në atëkohë Gjergj Dedajt, që t’ia ofronte mundësinë e shfrytëzimit të karburantit përmes procedurave të ambasadës.

Në kërkesë e specifikonte se dëshironte shfrytëzimin e karburanteve nga shteti deri në gjetjen e një banese për akomodim, siç thoshte ai deri në përmbylljen e procedurave të akomodimit, sipas specifikave familjare, por edhe të sigurisë.

Kjo kërkesëe tij, ishte aprovuar nga Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të MPJ-së me 2 mars 2020.

Mirëpo asnjëherë publikisht Sadriu nuk tregoi se a gjeti banesë dhe sa gjatë Ministria e Punëve të Jashtme i ka paguar atij për karburante.

Lidhur me këtë çështje, Gazeta Insajderi me 15 shkurt të këtij viti, kishte bërë kërkesë zyrtare për qasje në dokumentet publike, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, duke kërkuar faturat e shpenzimeve të diplomatit Prindon Sadriu për karburante.

Pavarësisht që është e obliguar me ligj që të ofroj dokumentet, Ministria e Punëve të Jashtme që drejtohet nga Donika Gërvalla, nuk i ka ofruar këto fatura për Insajderin.

Në muajin maj Insajderi, lidhur me rastin dërgoi ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

Ky agjencion në fillim të qershorit mori vendimin përmes së cilit MPJ obligohej që brenda shtatë ditësh t`i ofronte gazetës faturat e shpenzimeve të Sadriut. As pas kalimit të këtij afatit MPJ nuk i dha faturat.

Në fillim të muaji korrik Agjencia e gjobiti me 3 mijë euro për heshje ndaj kërkesës dhe obligimit që brenda shtatë ditësh t`i dërgonte faturat gazetës.

Pavarësisht kësaj shteti prap nuk u zbraps nga përpjekja për favorizimin e burrit të presidentes duke mos ofruar dokumenetet e shpenzimeve të tij, shkruan Gazeta Insajderi.

Sot Agjenci për Informim dhe Privatësi, e gjobiti për herë të dytë Ministrinë e Punëve të Jashtme me gjobën e dytë prej 10 mijë euro.

“Agjenci për Informim dhe Privatësi duke vënë re qasjen mospërfillëse të këtij insitucioni publik, është detyruar të vazhdojë me hapin e radhës të shqyrtimit të kësaj ankesë, duke nxjerrë vendimin, përmes së cilit i shqiptohet gjobë insitucionit publik në fjalë, shuma e së cilës arrinë në 13 mijë euro”, thuhet në vendimin e AIP.

Burri i Presidentes Osmani, ia kërkoi shtetit 396 euro kompenzim për shpenzime pas infektimit me Covid-19

Gjatë kohës sa Prindon Sadriu ishte zëvendësshef i misionit në Shkup, por në detyrë edhe si Zotëri i Parë, ai kishte përfituar nga buxheti i shtetit për rimburësimin e pjesshëm të shpenzimeve për trajtimin e virusit COVID-19.

Sadriut, ndonëse sipas faturave të dorëzuara shihet se shpenzimet i kishte bërë në Prishtinë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ia kishte aprovuar edhe kërkesën për mbulimin e pjesshëm të shpenzimeve për trajtimin e infektimit me Covid-19.

Kërkesën për rimburësim të shpenzimeve në vlerë prej 396 euro e 80 cent, Prindon Sadriu e kishte bërë më 22 dhjetor 2020. Zotëriu i Parë në këtë kërkesë e kishte njoftuar asokohe Sekretarin e Përgjithshëm edhe për mungesën e një fature në vlerë prej 40 eurosh, të cilën i thoshte se nuk po mund ta gjente, porse ia kishte bashkuar kuponin fiskal.

“Me shpresën të jeni mirë, ju kërkoj me konsideratë aprovimin e rimbursimit të shpenzimeve të pjesshme shëndetësore të cilat ndërlidhen me trajtimin tim nga infeksioni Covid-19, në shumën totale prej 396.80 Euro. Bashkangjitur gjeni faturat origjinale, ndërsa nëse ju duhet, ju dërgoj edhe raportet e specializuara mjekësore dhe përmbledhjen e të gjitha analizave të bëra. Ju njoftoj gjithashtu se nuk kam mundur të gjej faturën në shumën Euro 40.00, por kam bashkangjitur vetëm kuponin fiskal të cilin si duket e kam ruajtur gabimisht në vend të faturës. Nëse kuponi fiskal nuk mjafton, atëherë me konsideratë kërkoj që ajo faturë të zbritet nga totali”, thuhej në kërkesën e Sadriut.https://insajderi.org/burri-i-presidentes-osmani-ia-kerkoi-shtetit-396-euro-kompenzim-per-shpenzime-pas-infektimit-me-covid-19-dokument/

Në fund të kërkesës së tij, Sadriu thoshte se nuk ka kërkuar rimburësim të mjeteve edhe për rreth 4 palë analiza të përgjithshme laboratorike.

“Gjithashtu, vetëm sa për informim ju njoftoj se në këtë kërkesë nuk kam kërkuar rimbursim të mjeteve për rreth katër palë analiza të përgjithshme laboratorike të bëra në laboratore privat në koston e përafërt rreth Euro 350.00 dhe dy incizime të mushkreive në CT gjithashtu në laboratore privat me kosto të përafërt rreth Euro 450.00”, thoshte në fund të kërkesës së tij, Prindon Sadriu.

Prindon Sadriu kreu masterin me para të shtetit duke përfituar edhe  nga Qeveria Thaçi I

Bashkëshorti i Presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu ka përfituar financiarisht edhe nga Qeveria “Thaçi I”. Ministria e Punëve të Jashtme, në kohën e Hashim Thaçit, në vitin 2010 kishin financuar shkollimin e Sadriut në shumën rreth 9 mijë euro.

Gazeta Insajderi, ka siguruar dokumentet se si shtetit ia ka paguar shkollimin Sadriut.

Në korrik të vitit 2010 Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka lidhur kontratë me Prindon Sadriun, që në atë kohë e mbante pozitën e Drejtorit për Marrëdhënie dy Palëshe dhe Organiziata Ndërkombëtare, për financimin e shkollimit të tij në shumën afër 9 mijë euro.

“Punëdhënësi i financon shpenzimet post-diplomike në vlerë prej 8910 në Europian Center for International me kërkesën e punëmarrësit për studime/specializime afatshkurtër, të cilat ndërlidhen me poliztën dhe fundisionin  e zyrtarit”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Gazeta Insajderi.

Bazuar në këtë dokument të financimit të shkollimit të Sadriut, ai detyrohej që pas përfundimit të studimeve post-diplomike për dy vjet të ushtronte pozitën e tij në MPJ.

“Punëmarrësi, pas miratimit të kërkesës nga Punëdhënësi, obligohet që të ushtrojë pozitën e tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme në periudhën prej 2 vite pas përfundimit të studimeve post-diplomatike”, thuhet në kontratën e siguruar nga Gazeta Insajderi.

Kompenzimet për derivate, nga shteti përfitoi edhe Vjosa Osmani

Përveç bashkëshortit të saj, edhe Presidentja Vjosa Osmani sa ishte deputete kishte përfituar nga shteti kompenzim për derivate.

Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndonëse nga viti 2012 jeton në Prishtinë, ka marrë para për shpenzimet e rrugës, me arsyetimin se jeton jashtë kryeqytetit, shkruan Gazeta Insajderi.

“Unë, bashkëshorti dhe dy vajzat tona jetojmë në një banesë njëdhomëshe në Prishtinë që nga viti 2012 kur kemi krijuar familjen tonë, banesë kjo e cila as për së afërmi nuk i plotëson kushtet bazike për një familje 4 anëtarëshe…”, kishte konfirmuar Osmani në një shkrim të saj, në gusht të 2020-ës.

Osmani për tri vjet ka marrë hise në shpenzimet për karburante të dedikuara nga Kuvendi i Kosovës.

Më 2011, viti kur kishte hy në fuqi rregullorja që i parashihet këto pagesa, Osmani, që tash mban pozitën e të parës së shtetit kishte marrë 380 euro për rrugën që ajo mendohet se bënte nga Mitrovica për në Prishtinë.

Një vit më pas, më 2012, ajo është martuar me Prindon Sadriun, dhe ka deklaruar se nga ajo kohë jeton në kryeqytet bashkë me bashkëshortin, por pavarësisht kësaj tash presidentja e vendit, ka përfituar 1 mijë e 789 euro për karburante, shkruan Gazeta Insajderi.

Ndërkohë, më 2013 – nga ky fond i Kuvendit të Kosovës, Osmani kishte marrë edhe 1 mijë e 240 euro të tjera, dhe në vitin 2014 edhe 520 euro të tjera.

Nga 2015 e tutje, Osmani nuk i ka shfrytëzuar më paratë e Kuvendit të dedikuara për udhëtimin e saj. /Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark