Beyonce ka arritur të rrëmbejë 9 nominime për Çmimet Grammy të vitit 2017, duke u bërë kështu femra më e nominuar në historinë e këtyre çmimeve prestigjioze.
Ylli i muzikës kandidon për çmimin kryesor, albumin e vitit, për albumin e saj ambicioz “Lemonade”, ku preken çështjet e racizmit dhe identitetit femëror. Ndërkohë, kënga e saj “Formation” është pretendente gjithashtu për “këngën e vitit” dhe “regjistrimin e vitit”.
Në të tre këto kategori, ajo do të vihet përballë Adele, e cila ka mundur të dalë fituese e të treja çmimeve të kësaj ceremonie në vitin 2012.
Beyonce numëron tashmë 62 kandidime për “Grammy”, falë punës së saj si artiste e vetme, por edhe si pjesë e grupit “Destiny’s Child”, duke u bërë kështu artistja e katërt më e nominuar në histori.
Ajo ka fituar deri tani 20 trofe, megjithatë ende nuk ka ngritur atë të “albumit të vitit”, pasi në vitin 2015 u mposht nga Beck, më shumë për neverinë që shkaktoi Kanye West, i cili u ngjit në skenë në shenjë proteste.
Megjithatë sot, Kanye West ka siguruar 8 nominime për këtë vit, falë albumit “The Life of Pablo”, të gjitha në kategoritë e muzikës “Rap”.
Drake dhe Rihanna kanë siguruar gjithashtu nga 8 nominime secili, përfshi 3 për hitin e përbashkët të tyre “Work”.
Por, ai që do të bëjë historinë e “Grammy” për këtë vit është muzikanti i lindur në Chicago, Chance The Rapper, albumi “Coloring Book” i të cilit është i pari regjistrim vetëm për “streaming” që do të njihet nga Akademia e Regjistrimeve. Ai ka marrë 7 nominime, përfshi atë të “artistit të ri më të mirë”, edhe pse nuk ka publikuar asnjë album fizikisht apo dixhital për t’u shkarkuar.