20:55 - 19 Maj 2022

Paditësja S.B, përmes avokatit Sabri Ademi, në seancën e së enjtes ka kërkuar 15,580 euro dëmshpërblim nga i padituri  “Baruti Group”, me pronar Besart Baruti, për shkak të ndërprerjes së kontratës gjatë periudhës së shtatzënisë.

Avokati Ademi ka deklaruar se pranë kësaj gjykate kanë paraqitur padi për shkak se paditëses i janë shkelur të drejtat nga marrëdhënia e punës, meqenëse paditësja në muajin korrik është dashur të shkojë në pushim të lindjes, ndërsa nga punëdhënësi “Baruti Group” nuk i është dhënë e drejta për pushim të lehonisë, por të njëjtës i është komunikuar shkëputja e kontratës në formë verbale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më tutje, avokati Ademi ka shtuar se në bazë të nenit 53 të Ligjit të Punës është e ndaluar që punëtorit t’i ndërpritet marrëdhënia e punës gjatë kohës së shtatzënisë, pushimit të lehonisë, apo edhe rrethanave të tjera të parapara me këtë nen, kurse sipas nenit 71, është paraparë se në afat prej 30 ditëve punëtori duhet të lajmërohet për shkëputjen e kontratës.

Ndërsa, përfaqësuesi i të paditurit SH.P.K “Baruti Group”, avokati Florim Shefqeti ka deklaruar se nuk kemi të bëjmë me ndërprerje të kontratës, por me mosvazhdimin e saj, meqenëse nga kontrata mes palëve në këtë procedurë ka qenë e përcaktuar edhe kohëzgjatja e kontratës.

“Nga vet referati i padisë pohohet njoftimi që e paditura i ka bërë paditëses me datë 30 maj 2019 dhe atë që kontrata që përfundon me 31 qershor 2019 nuk do të vazhdohet, prandaj ky njoftim ka qenë në tërësi sipas ligjit”, tha Shefqeti.

Pas administrimit të provave, në fjalën përfundimtare përfaqësuesi i paditëses avokati Ademi ka deklaruar se mbetet pranë padisë dhe kërkesëpadisë dhe ka kërkuar që ta detyrojë të paditurin t’ia kompensojë shumën e caktuar paditëses B.

Gjithashtu edhe përfaqësuesi i “Baruti Group”, avokati Shefqeti ka theksuar se edhe në këtë shqyrtim gjyqësor është vërtetuar mungesa e bazës ligjore të padisë, mungesa e vërtetësisë së padisë, po ashtu edhe mungesa e lejueshmërisë së saj.

Me aktvendimin e datës 5 prill 2022, gjykatësja Ilire Vitija ka aprovuar zgjerimin e padisë në aspektin objektiv, të propozuar nga përfaqësuesi i paditëses avokati Sabri Ademi për kompensimin e 10,000.00 euro në emër të fitimit që do të realizonte paditësja nëse do të ishte në marrëdhënie pune.

Ndryshe me padinë e datës 1 tetor 2019, paditësja S.B. ka theksuar se me datën 1 korrik 2019, të njëjtës i është ndërprerë marrëdhënia e punës, pa njoftim me shkrim, pa iu lejuar apo paguar pushimi vjetor dhe pa iu njohur e drejta për pushim të lehonisë, në kundërshtim më Ligjin e Punës.

Më tutje, paditësja Berisha ka shtuar se që nga momenti i komunikimit verbal për shkëputjen e kontratës nga punëdhënësi “Baruti Group”, sipas padisë nga stresi i shkaktuar, ajo ka përjetuar dhimbje të padurueshme, vizita të shpeshta në spital për shkak të gjendjes së shtatzënisë, rrezik për lindje të parakohshme dhe është udhëzuar me terapi dhe regjime me pushim mjekësor.

Gjithashtu, paditësja S.B. në padi ka shtuar se fëmijën e ka lindur me datë 31 korrik 2019 dhe nuk i është mundësuar pushimi i lehonisë 45 ditë para lindjes, por i është ndërprerë marrëdhënia e punës me datën 1 korrik 2019.

Sipas padisë, paditësja për këtë çështje ka paraqitur ankesë edhe në Inspektoratin e Punës, i cili me vendimin e datës 11 korrik 2019 ka aprovuar kërkesën e paditëses B. dhe e ka obliguar kompaninë “Baruti Group” që të njëjtës t’ia njeh të drejtën e shfrytëzimit të pushimit të lehonisë. Por, ky vendim siç thuhet në padi deri më tani nuk është përfillur nga ana e të paditurit.

Mbi këtë bazë, paditësja S.B. ka kërkuar që e njëjta të kthehet në vendin e punës, t’i bëhet kompensimi i pagesës për pushim të lehonisë për periudhën gjashtë mujore prej datës 1 korrik  2019 deri më datën 31 dhjetor 2019, në shumë prej 1,680 euro, kurse për tre muajt vijues, përkatësisht nga data 1 janar 2020 deri me 31 mars 2020 kërkon shumën 600 euro nga qeveria, për 15 ditë të pushimit të pashfrytëzuar vjetor shumën 300 euro, si dhe 3,000 euro për diskriminimin dhe shpenzime të krijuara për shkak të stresit dhe rrezikimit të lindjes së parakohshme. /BetimipërDrejtësi