×
  • Sport
  • Sport

    “Bomba” e merkatos/ Mendes shtyn Cristiano Ronaldon të rikthehet te….

    Insajderi
    23 June 2022 - 12:57

    Po sikur pas Romelu Lukakut të ketë një tjetër rikthim monstruoz në Serinë A si Cristiano Ronaldo? E ku i dihet, madje nga Portugalia dhe Spanja janë të sigurta se diçka e tillë ka nisur të bisedohet seriozisht.

    E përditshmja luzitane “Record”, e cila bashkëpunon dhe është e mirinformuar mbi lëvizjet e menaxherit Zhorzh Mendesh, por edhe katalanasja “Sport”, janë të sigurta:

    “Cristiano Ronaldo i është ofruar Juventusit që të rikthehet”. Sipas dy burimeve në fjalë, vetë futbollisti e ka kuptuar një vit me vonesë se ka gabuar duke u nxituar që të lërë Torinon një vit përpara fundit të kontratës që kishte, madje doli edhe kundër dëshirës së Mendeshit, që e donte edhe një tjetër vit nën ngjyrat bardhezi.

    Dhe pikërisht agjenti i tij ka vendosur që të hyjë sërish në skenë, duke qenë se ai e ka ruajtur marrëdhënien fantastike me presidentin Andrea Anjeli dhe është gati që të sheshojë hatërmbetjet e vogla mes CR7-ës dhe miliarderit torinez.

    JUVJA I PËLQEN

    Arsyeja pse Ronaldo është bërë pishman dhe është dakord me Mendeshin për një rikthim të mundshëm lidhet jo vetëm me merkaton e rëndësishme mbi të cilën bardhezinjtë po punojnë, me dy lojtarë si Pogba dhe Di Maria me të cilët Kristiano ka luajtur dhe i vlerëson.

    Pastaj, edhe Vlahoviç apo edhe rikthimi në formë i Kiezës do të garantonin një repart ofensiv të frikshëm, nga ai që i pëlqen CR7-ës për të tentuar Europën.

    Nga ana tjetër, duke lënë mënjanë edhe pse ky aspekt nuk është aspak i vogël si mospjesëmarrja në Champions, lëvizjet që po ideohen nga Mançester Junajtid nuk i pëlqejnë aspak atij.

    Shumica e emrave të përzgjedhur nga trajneri i ri, Erik ten Hag, kanë qenë “ushtarë” të tij tek Ajaksi dhe kjo strategji nuk e bind aspak.

    Në të njëjtën kohë garantohet se Ronaldo vazhdon që ta ndjekë Juventusin dhe të kujtojë me nostalgji edhe privatësinë që i dhuronte një qytet si Torino, ndryshe nga Manchesteri ku është gjithmonë i përndjekur nga paparacët dhe jo vetëm.

    ÇËSHTJE EKONOMIKE

    Ndonëse këtë verë edhe Ronaldo duket një hallvë e ftohtë, pavarësisht emrit dhe kujtimeve të bukura që la në Torino, Juventusi sigurisht që mund ta mendojë ofertën e Mendeshit për të rikthyer klientin e tij më të rëndësishëm.

    Dhe kjo lidhet ngushtë me një aspekt ekonomik. Pikësëpari, Kristiano nuk do të pretendonte më kurrë 31 milionët që përfitoi për tri vite, madje është gati që të ulet edhe më poshtë sesa 23 milionët që fiton aktualisht në Mançester.

    Nëse kjo është joshja e parë për Juventusin dhe presidentin Anjeli, e dyta lidhet me sponsorët e fuqishëm që do të rikthente sërish portugezi 37-vjeçar dhe kjo do të thoshte më shumë miliona për arkat e një klubi që prej pandemisë numëron 380-400 milionë euro humbje.

    Prandaj, edhe pse në dukje tepër e vështirë, në futboll nuk ekziston fjala “kurrë” dhe pse jo, tifozët mund të rikthehen të ëndërrojnë sërish.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark