×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Botohet romani i ri i shkrimtarit Gëzim Aliu

    Insajderi
    08 June 2023 - 20:01

    Shtëpia botuese “Dukagjini” ka botuar romanin “Sëmundje dhe perëndi” të shkrimtarit të njohur Gëzim Aliu. Romani do të jetë në duart e lexuesve në Panairin e Librit “Prishtina 2023” dhe në libraritë e ndryshme në Kosovë.

    Gëzim Aliu është prozator dhe studiues i letërsisë. Ai deri më tash ka botuar një sërë veprash letrare, si “Në klubin e të shëmtuarve”, roman, “Katedralja pa kryq”, roman, “Gosti në natën e parë të vjeshtës”, roman, “Libri i fundit”, tregime, “Romanet e Ismail Kadaresë”, monografi, “Diskurset e ideve në prozën e Kadaresë”, monografi, dhe “Proza shqipe e viteve 1920-1944”, monografi.

    Për botimin e këtij romani ka njoftuar vetë shkrimtari Aliu në profilin e tij në rrjetin social facebook.

    Njoftimi i plotë:

    Shtëpia botuese “Dukagjini” boton romanin tim më të ri, “Sëmundje dhe Perëndí”.

    Ky roman ka qëndruar disa vite i mbyllur në zemrën dhe mendjen time. I mbyllur në faqet e dorëshkrimit. Kur dorëshkrimi fillon të shkoqet ngadalë, me dhembje, nga unë dhe më në fund botohet, përjetoj një lloj lehtësimi, më duket sikur kanë nisur të mbijnë e të harkohen ura për të më lidhur me lexuesit e sotëm, lexuesit e ardhshëm.

    “Sëmundje dhe Perëndí” është roman për trazimin shpirtëror. Për peshën e pyetjeve të mëdha. Për besimin dhe humbjen e besimit në Perëndí. Për gënjeshtrat. Dyshimin. Dashurinë e xhelozinë. Familjen. Fanatizmin. Përkohshmërinë. Dhembjen. Vuajtjen. Vdekjen. Jetën.
    “Sëmundje dhe Perëndí” është roman për Njeriun! Jo për njeriun e humbur. Është për Njeriun dhe vetminë e tij të përjetshme.

    Romanin, nga nesër, mund ta gjeni në stendën e “Dukagjinit”, Panairi i Librit “Prishtina 2023” dhe nëpër librari.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark