×
  • Lajme
  • Lajme

    Brenda autobusëve të rinj – pa muzikë talllava por të mbipopulluar

    Insajderi
    23 February 2017 - 22:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gjëja e parë që të bie në sy tek autobusët e rinj është saktësia. Së paku, krahasuar me autobusët e vjetër.

    “Shumë të rregullt këta autobusë,” thotë Besarta Xani një udhëtuese e rregullt e linjës numër katër.

    “Jo si ata të tjerët që ndodhte të presësh edhe nga një orë, këta po vijnë gati çdo pesë minuta”, shton ajo teksa zë vend në karrige.

    Posa hynë brenda tyre, vërehet një tjetër ndryshim. Është muzika. Në autobusët e vjetër mbizotëron turbo-folku ndërsa tek autobusët e rinj muzika është krejt tjetër.

    Shoferi i linjës 4 që të qon nga lagjja Matiqan në parkun e Gërmisë kujdeset që ky ndryshim të bie në veshin e klientëve.

    Zhanri është krejtësisht ndryshe. Mbizotëron muzika pop.

    Nëse nuk ka ndonjë listë të muzikave, lëshohet radio. Por edhe radio ndryshon. Në ato nuk lëshohet muzikë tallava ose turbo-folk, por një muzika më e re pop.

    Në vend të Medës një këngëtar i njohur i muzikës turbo-folk lëshohet Dua Lipa, një këngëtare nga Prishtina që u bë e famshme së fundmi në skenën ndërkombëtare.

    Çudia vërehet edhe në fytyrat e udhëtarëve.

    “Shpresoj që të vazhdojë ky lloj i muzikës”, thotë Xani e cila deri tash ka qenë e detyruar të dëgjojë muzikë nga telefoni i saj.

    Një konduktor tërheqë vërejten.

    “Sa për muzikë, krejt kjo varet nga shoferi”, thotë ai.

    autobus

    Por për konduktorin muzika nuk është edhe aq e rëndësishme sa i përket autobusëve të rinj.

    Ai është gëzuar më shumë për rregullin që kanë sjellë autobusët e rinj. Krahason punën në autobusët e vjetër me këta të rinjtë.

    “A atëherë ka qenë katastrofë,” thotë konduktori rreth të 40-ve.

    “Tash edhe nuk kemi me ndalë më autobusin për askënd ku nuk ka stacion,” vazhdon ai.

    “Pos në pjesën nga Matiqani deri tek Banesat e Bardha ku ende stacionet nuk janë të shënuara dhe njerëzit nuk mund ta dinë saktë”.

    Shoferi i cili duket i fokusuar në vozitje, pohon me kokë atë që e thotë kolegu i tij.

    Ka edhe një dallim tjetër nga autobusët e rinj. Shoferi dhe konduktori janë të veshur me uniformë.

    Kjo po ju pëlqen edhe udhëtarëve. Për ta është e rëndësishme që shoferët dhe në përgjithësi punëtorët e Trafikut Urban të duken mirë dhe të unfirmomuar.

     

    Megjithatë këto ndryshime estetike nuk i ndryshojnë disa probleme që kanë të bëjnë me infrastrukturën rrugore.

    Një udhëtare ankohet se gjatë fundjavës autobusët e rinj po vonohen deri në 15 minuta.

    “Por kjo nuk është edhe aq shumë, krahasuar me pritjet pa fund të autobusëve të vjetër”, thotë një udhëtare rreth të 50-ve.

    Udhëtarët hynë e dalin nga autobusët. Më së shumti ka të moshuar por edhe fëmijë.

    Tek udhëtarët në autobusët e rinj vërehet edhe diçka tjetër. Kujdesi i tyre. Edhe pse është herët për të konstatuar, por në autobusët e rinj nuk ka gërvishtje e as shkarravitje të ndryshme me lapsa apo forma të tjera.

    “Është shumë herët, megjithatë po duket se edhe udhëtarët kanë më shumë kujdes ndaj autobusëve të rinj”, thotë një udhëtar.

    Edhe kondicioneri punon. Brenda autobusit është ngrohët.

    brenda2

    Fakti se autobusët e rinj janë më të shpejt dhe ecin pa probleme krahasuar me të vjetrit, bënë që autobusët e rinj të bien më shumë në sy gjatë udhëtimit.

    Nga stacioni te Komuna e vjetër e Prishtinës e deri te gjimnazi “Sami Frashri”, brenda tre minutave u shfaqën tre autobusë të linjës 4.

    Por pritja e shkurtër duket se nuk ndodh gjithmonë, të paktën jo në stacionet që janë më në qendër.

    E kjo ndodh për shkak të komunikacionit të dendur. Te këto stacione duhet të presësh diku 10 minuta, më rrallë edhe 15.

    Një problem duket të jetë mbipopullimi i autobusëve. Kur ata mbërrin tek stacioni i njohur si “Te Tre sheshinat”, shumë pasagjerë nuk mund të hipnin në autobus.

    “Nuk ka vend”, thotë konduktori.

    Jo të gjithë e mirëkuptojnë këtë fakt.

    “Një na shkoi, s’na lanë me hi”, dëgjohet duke i thënë një grua shoqes së saj, përderisa qëndron në këmbë rreth njerëzve e zor se mund të lëvizte.

    Nganjëherë mbipopullimi në autobusët e rinj bëhet i bezdisshëm. Njerëzit gati shtypen.

    “Si me zbrit tash?,” pyet një grua duke lëshuar një nënqeshje të lehtë.

    “Jemi bo si në paketë.”, thotë ajo me gjysmë humori.

    “Gjithmonë po është kështu,” thotë një tjetër udhëtare.

    brenda1

    Sikurse në autobusët e linjës 4, mbipopullimi është problem edhe në linjat tjera. Për shembull në autobusët e linjës 3. Në këtë linjë funksionojnë ende autobusët e vjetër. E aty është krejt një botë tjetër.

    Posa të hysh në autobusin e vjetër është një atmosferë e zymtë, karrige të grithura e të dëmtuara, të cilat kohë pas kohe mundohen t’i rinovojnë. Aty ka shkrime në xhama, pluhur e papastërti.

    Gjatë udhëtimit nuk të shoqëron asnjë muzikë, vetëm dëgjohet ndonjë bisedë e rrallë.

    Por pak udhëtarë diskutojnë për një nga problemet më të mëdha që shkaktojnë autobusët e vjetër: tymi që lëshojnë ata.

    E ky tym është një nga faktorët kryesor që qon në ndotjen e ajrit në kryeqytet që këtë vit theu rekordin e ndotjes. Komuna e Prishtinës shpreson që me autobusët e rinj kjo do të ndryshojë.

    Por ky ndryshim është tepër larg. Komplet 51 autobusët që i ka blerë Komuna e Prishtinës priten të vijnë tek pas dy vitesh.

    Deri atëherë, udhëtarët e linjave të autobusëve të rinj do ta shijojnë udhëtimin normal, teksa ata të linjave të tjera, u mbetet të presin.

    “Megjithatë ndryshimi ka filluar”, thotë një udhëtar./Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark