×
  • Lajme
  • Insajderi

    Brenda një jave Kosova vaksinoi vetëm 4 mijë punonjës shëndetësorë

    Insajderi
    08 April 2021 - 16:49

    Në Kosovë që nga 29 marsi ka filluar vaksinimi kundër COVID-19 me vaksinat e kompanisë AstraZeneca. Të parët që u vaksinuan janë punëtorët shëndetësorë të Klinikës Infektive të QKUK-së.

    Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë janë 15 mijë punonjës shëndetësorë në sektorin publik dhe atë privat, e ku për një javë Kosova ka arritur të vaksinojë 4 mijë prej tyre.

    Kështu kanë bërë të ditur për Gazetën Insajderi, nga Ministria e Shëndetësisë.

    “Deri tash jane vaksinuar mbi 4000 punonjes shendetesor, procesi eshte dinamik dhe i hapur ende. Sot ka filluar vaksinimi edhe i grupmoshes mbi 80 vjece”, thuhet në përgjigjen e MSH dhënë Insajderi.

    Ndonëse, në Odën e Mjekëve janë të regjistruar mbi 4 mijë mjekë. E kur rreth 500 prej tyre në fund të marsit u vaksinuan kundër COVID-19 në Kukës të Shqipërisë me vaksinën e AstraZenecas.

    “Numri i mjekëve anëtarë në Odën e Mjekëve është 4562”, thuhet ne përgjigjet e Odës së Mjekëve dhënë Insajderit.

    Kurse, numri i infermierëve në të gjithë Kosovë është mbi 18 mijë, sipas statistikave të Odës së Infermierëve të Kosovës.

    “OIK deri ne janar te vitit 2021 ka te regjistruar aktiv 18562 anetare”, thuhet në përgjigjen e OIK dhënë Insajderit.

    Por, gatishmëria e punëtorëve shëndetësorë, të cilët janë paraparë që të parët ta marrin vaksinën, aktualisht nuk është në nivelin e kënaqshëm.

    Kështu kishte deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti duke thënë se nuk ka dyshime në mesin e punëtorëve shëndetësorë në Kosovë lidhur me vaksinimin.

    “Mund të ishte më shumë (numri i punëtorëve shëndetësorë të vaksinuar), por ky është vetëm fillimi i procesit. Unë pres që në ditët në vijim, një numër më i madh njerëzish të aplikojnë për vaksinim, kryesisht nga sektori i shëndetësisë”, kishte deklaruar Hoti për REL.

    Plani shtetëror i vaksinimit në Kosovë është planifikuar që të bëhet në tri faza.

    Në fazë e parë, do të vaksinohen punonjësit shëndetësorë dhe imunizimi i personave mbi 80 vjeç dhe atyre me sëmundje kronike pritet të nisë më 8 prill.

    Në fazën e dytë do të vaksinohen personat nga 65 deri në 79 vjeç, të sëmurët kronikë, mësimdhënësit dhe forcat e sigurisë, që ishin të përfshirë në menaxhimin e situatës gjatë pandemisë së koronavirusit.

    Në fazën e tretë, do të nisë vaksinimi masiv i qytetarët dhe është planifikuar që të imunizohen nga 50 deri në 70 për qind e popullatës.

    Më 28 mars, në Kosovë arriti kontingjenti i parë me 24 mijë doza të vaksinës së AstraZenecas. Këto vaksina arritën n♪7 Kosovë përmes programit COVAX të OBSH-së. I pari që u vaksinua ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti./GazetaInsajderi/

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark