18:05 - 21 Nëntor 2022

Takimi reth 8 orësh me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe me Emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka përfunduar pa marrëveshje.

Ndërsa ish-këshilltari i kryeministrit, Albin Kurti, Elvis Hoxha ka komentuar deklaratat e Borell i cili ndër tjerash tha se do t’i njoftojë të gjitha shtetet anëtare për sjelljen e dy palëve, por me theks përmendi Kosovën.

Hoxha përmes një statusi në “Facebook” e ka quajtur “budallë”, “mashtrues” Josep Borrellin, pas deklaratave të ashpra të tij.

“E keqja nuk është se ndërmjetësi është mashtrues, as se hajni përvetësoi ato që ka grabitur. Por se përfundimi i këtij negocimi të shkurtër legjitimoi dy fakte: 1. hajni ka vjedhur; 2. ndërmjetësi nuk ka lidhje me drejtësinë.” – tha z. Hoxha në profilin e tij në Facebook.

Tutje ai vijon shkrimin e tij duke e cilësuar si budalla kryediplomatin e BE-së.

“Budallakia me të cilën ndërmjetësi do të mbulojë pandershëmrinë e vet nuk bie vetëm tek ai, por tek ata që i kanë dhënë të drejtën të ketë një post të tillë. Budalla projekton padrejtësinë në institucione më të larta. Hajni mbeti hajn dhe institucioni i ndërmjetësisë humbi. Të zotit të shtëpisë i mbetet të jetë këtej e tutje vigjilent dhe mos të pranojë symbyllurazi çdo propozim negociatorësh, ashtu si pati bërë për nja dy dekada”, shkroi ai.