
Ai në një intervistë për VoA, tha se këto janë shkëputur dhe qëllimisht është krijuar një atmosferë linçimi nga një kontekst pak më i gjerë.
“Në atë kohë kemi pra edhe vrasje të shumta, 102 janë aktivistë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe 92 janë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Janë 603 qytetarë të Kosovës për të cilët pjesërisht ose fare hiç drejtësia nuk e ka dhënë përgjigjen e vet”.
“Unë si shkrimtar dhe historian i kam përfshirë në librin tim dhe unë jam kritik ndaj kësaj dhe në librin tim hedh edhe një faj te UNMIK-u dhe veçmas EULEX-i, që jo vetëm nuk i ka zgjidhur këto raste, por ka bashkëpunuar edhe me struktura të caktuara kriminale. Kjo ka qenë. Askund nuk kam deklaruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është bartëse e këtij procesi”.
“Përkundrazi, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka përfunduar misionin e saj në qershor të vitit 1999, diku në shtator apo tetor është demilitarizuar në përputhje me marrëveshjen (Michael) Jacksonn- (Hashim) Thaçi dhe aty ka filluar një mision tjetër i FSK-së ku po ashtu ka probleme të shumta, ku po ashtu shumë pjesëtarë të FSK-së janë përfshirë në disa veprime kriminale, terroriste dhe tjerë, por është një kapitull tjetër”.
“Askund unë nuk kam thënë se janë vrarë aktivistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ajo është shkëputur prej kontekstit, një portal e ka publikuar menjëherë të nesërmen se ka qenë një luftë e papastër dhe se unë e kam karakterizuar dhe aty ka filluar e gjithë fushata e linçimit”.
Ditë më parë në një intervistë në emisionin Rubikon, Buxhovi tha se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare dhe përgjithësisht rezistenca e armatosur në Kosovë ishte e drejtë, por çdo luftë ka elementë të papastër.
Ai përmendi edhe vrasjet e 102 veprimtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe deklaratat e tij nxitën reagime e kundërshtime të ashpra, përfshirë edhe kryetarin e Parlamentit, Kadri Veseli, i cili i tha Zërit të Amerikës se deklarimet e tilla nuk i ndihmojnë qartësimit të së vërtetës historike./ Insajderi.com