1 korriku ishte një ditë historike për Barcelonën dhe “Camp Nou”, që u bë zyrtarisht “Spotify Camp Nou”. Klubi katalanas dhe kolosi i audio-streaming më të famshëm në botë kanë nisur kështu bashkëpunimin pa humbur kohë.
Tashmë partneri kryesor zyrtar i klubit, Spotify, është i dukshëm në “Camp Nou”, ku u zbulua dhe logoja në ballin e stadiumit me lojtarët e skuadrave të para të futbollit të femrave dhe meshkujve. Pedri, Maria Leon, Ansu Fati, Alexia Putella, Aubameyang dhe Aitana Bonmati, bashkë me emrin e “Spotify Camp Nou” në qendër. Një minirevolucion ky pasi është hera e parë në histori që futbollistet e Barçës janë në ballinën e “Camp Nou”. Veç të tjerash, “Spotify” do të shfaqet nga sezoni i ri për 4 vitet e ardhshme edhe në pjesën e përparme të fanellave të Barcelonës.
Një zgjedhje preçise, pasi me aleancën e tyre Barça dhe Spotify kërkojnë të bashkojnë botën e futbollit dhe muzikës, duke krijuar edhe eksperienca për ata që frekuentojnë tribunat e “Camp Nou”, që, veç të tjerash, do të bëhet një pike takimi edhe për artistë nga gjithë bota. Kolosi i Streaming do të kalojë edhe në një tjetër kufi, pasi struktura dhe rrethinat e stadiumit do të transformohen në qendër argëtimi të hapur të nivelit botëror në qytetin e Barcelonës.