22:47 - 11 Tetor 2022

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se FFK është Federata e vetme që shteti ia ka ndalur financimin, duke shtuar se nëse Agim Ademi ka problem me ligjin le të merren me të institucionet relevante

I ftuar në emisionin “Pressing” në T7, Çeku tha se MKRS-ja nuk ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Federatën e Futbollit të Kosovës për financimin e saj.

“Qasja e parë që kam përdorur në raport me sportin ka qenë ekuidistancë më të gjithë. Nuk ka afërsi, nuk ka privilegje. Nuk kemi nënshkruar memorandumin për financimin e FFK-së këtë vit. E kemi kontestuar ligjshmërinë  Kuvendin e fundit zgjedhor dhe kemi procedu lëndën tutje për shqyrtim, por pjesa që na takon neve është administrative. Ka një autonomi sportive, të cilën nëse ne e cenojmë, na vijnë dënimet nga UEFA dhe FIFA”, tha Çeku.

Tutje, i pari i MKRS-së foli edhe për kryetarin e FFK-së, Agim Ademin, për të cilin tha se me të duhet të merren Gjykatat dhe institucionet tjera.

“Nëse më thoni se ai [Agim Ademi] ka probleme me ligjin, janë institucionet tjera që ishte dashtë me trajtu këtë rast. Ka edhe Federata tjera problematike. Në disa raste kemi shkuar deri në pezullim të licencave. Unë i përdori mjetet që kam në dispozicion, ligjore. Por, nuk provoj të përdori afërsi me Federatat”, deklaroi Ministri Çeku.