×
  • Lajme
  • Insajderi

    Çfarë thotë islami për martesat e përkohshme, për të cilat po lobon Ikballe Huduti? Mulla Osmani flet për Insajderin

    Insajderi
    17 October 2022 - 16:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në sfondin e shumë ngjarjeve politike, opinioni publik i Kosovës këto ditë është dominuar nga deklaratat kontroverse të përfaqësueses së sektit shija, Ikballe Huduti, e cila po kërkon që të legjitimohet poligamia dhe martesa e përkohshme. Por, sa në të vërtetë e përfaqëson Huduti islamin dhe si e pikëvështron feja islame martesën e përkohshme? Këtyre pyetjeve për Gazetën Insajderi i është përgjigjur hoxhë Osman Musliu.

    Ikballe Huduti, e cila me profesion është nominalisht psikologe, pohon se “martesat e përkohshme” janë të lejuara sipas islamit. Madje, e njëjta ka ndarë edhe përvoja personale sa i përket martesave të tilla, të përkohshme, ku tregon se burrit të saj, ajo vet i kishte gjetur edhe dy gra.

    Ajo thekson se “tradhti është atëherë kur e tradhton kombin, jo gruan”.

    Sa në të vërtetë e përfaqëson Huduti islamin?

    Hoxhë Osman Musliu thotë se njerëzit kontroversë nuk kanë të bëjnë me islamin, ai potencon se islamin e përfaqëson vetëm libri i zotit.

    “Këta njerëz kontravers nuk kanë të bëjnë asgjë me Islamin. Islamin e përfaqëson Libri i Zotit, Kur’ani dhe tradita e Profetit Muhammed alejhi selam” – tha fillimisht Mulla Osmani kur u kontaktua nga Gazeta Insajderi.

    Derisa, Osmani thekson se që nga paslufta në Kosovë kanë vërshuar shumë grupacione dhe individë që zhvillojnë agjenda të shërbimeve ku më së paku primar është çështja e islamit.

    “Mund të them se nuk kam shumë dëshirë të lëshohem në emra, por në Kosovën e pasluftës mund të themi lirisht se janë lëshuar apo më mirë të themi kanë vërshuar shumë grupacione e individë të cilët zhvillojnë agjenda të shërbimeve, agjenturave e shteteve të ndryshme e ku më së paku primar është çështja e Islamit apo ajo kombëtare. Unë në lidhje me këtë çështje shpesh shprehem se këtu ka ardh ‘dreqi e i biri’ e nuk po dihet se çka po bëhet” – thotë Osmani.

    A lejohen martesat e përkohshme në islam?

    Siç shpjegon hoxha, Osman Musliu, martesat e përkohshme në islam nuk ekzistojnë.

    “E në Islam nuk ka martesa të përkohshme. Martesa, familja e vlerat tjera fetare e kombëtare nuk janë aq të pavlefshme sa të lihen në dëshirën e epsheve e tekave të individëve” – tha mulla Osmani për Insajderin.

    Deklaratat shokuese të Ikballe Hudutit

    Huduti deklaroi se islami i lejon martesat me shumë gra dhe se ajo ia kishte bërë dhuratë burrit të saj gra të tjera sepse donte që ajo t’i fokusohej fesë.

    Ajo kishte deklaruar se ka insistuar që bashkëshorti i saj të mos kishte asnjë mungesë, duke i ofruar kandidatura për martesë të përkohshme.

    Në njërën prej rasteve të martesës, Huduti kishte kërkuar që me pëlqimin e saj bashkëshorti të martohej me një doktoreshë e cila kishte një djalë, duke bërë të mundur futjen e fëmijës në truallin e familjes.

    “Martesa afatgjatë si e imja është ligjore, ndërsa të tjerat jo. Unë e mendoja që ai ta vazhdojë më gjatë martesën afatshkurtër sepse doja që vajza ime të kishte edhe një motër tjetër përveç vëllezërve. Martesat e tjera kanë qenë oferta të tjera ku një doktoreshë ka pasur një djalë dhe burri im është biznesmen, dhe ka mundësi të kujdeset për djalin madje të ketë pjesë në pasuri” – kishte deklaruar Huduti.

    Huduti, madje thekson se tradhti nuk ka në martesë, përveç tradhtisë ndaj Kombit.

    Ndryshe, Huduti e ka arsyetuar vrasjen e Mahsa Aminit, vajzës 22 vjeçare iraniane, duke thënë se nuk e ka vendosur shaminë, ka përdorur buzëkuq, e ka konsumuar duhan.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark