×
  • Lajme
  • Fokus 3

    Clark: Marrëveshja e Uashingtonit është i dobishëm vetëm nëse zvogëlohet ndikimi i Kinës dhe Rusisë

    Insajderi
    02 October 2020 - 11:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Nëse zbatohet, marrëveshja e fundit për normalizimin ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës e ndërmjetësuar nga SHBA mund të jetë jashtëzakonisht e dobishme për ekonomitë e të dy vendeve dhe të Ballkanit në përgjithësi, por vetëm nëse zvogëlohet ndikimi i Kinës dhe Rusisë në rajon, ka deklaruar ish komandanti i përgjithshëm i NATO-s Wesley Clark për Zërin e Amerikës.

    “Unë mendoj se çdo mundësi për negociata, veçanërisht nën kujdesin e Shteteve të Bashkuara, është një hap pozitiv, ashtu si çdo mundësi për të marrë masa për zhvillimin ekonomik është gjithashtu një rrethanë e favorshme. Mirëpo, bëhet fjalë për një proces që ka zgjatur gati dy dekada dhe është njëkohësisht i ngarkuar me shumë vështirësi, të cilat janë ende larg zgjidhjes”, ka thënë Clark.

    Ndihma për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe Serbisë kuptohet se është e mirëpritur, por është e rëndësishme që investimet e mëdha të huaja të jenë në përputhje me interesat e tyre të sigurisë. Investimet e mëdha të huaja ndonjëherë sjellin me vete edhe “bishta politikë”.

    “Çdo vend duhet të jetë i kujdesshëm kur bëhet fjalë për pranimin e pronësisë së huaj ndaj pronës së tij. Kur bëhet fjalë për një investitor të huaj që ofron fonde në përputhje me rregullat e zakonshme të biznesit, situata është e mirë. Mirëpo, unë jam duke përcjell me shumë interesim modelin e investimeve të huaja në Serbi të cilat vijnë nga Rusia, Kina dhe disa vende të tjera. Unë gjithashtu përcjell edhe  pasojat politike të këtyre investimeve. Unë besoj se qeveria e Kosovës duhet ta marrë këtë parasysh në politikën e saj”, ka thënë Clark.

    I pyetur për të vlerësuar qasjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, shpesh të quajtur “politika e mbështetur në katër shtylla”, e cila përfshin Uashingtonin, Brukselin, Pekinin dhe Moskën – Clark u përgjigj se për Serbinë kjo mund të jetë e realizueshme vetëm nëse Vuçiq mund të kontrollojë ndikimin e investitorëve të huaj përmes shërbimeve të tij të sigurisë. Mirëpo, sipas meje ai luan në “një pjerrësi të rrëshqitshme”. Kur Rusia dhe Kina investojnë, ata presin një koncesion të caktuar politik në këmbim. Një qasje e tillë është problematike edhe nga këndvështrimi i Bashkimit Evropian.

    Një vështirësi e veçantë në zhvillimin më të shpejtë të rajonit është përpjekja e Kremlinit për ta kthyer Ballkanin Perëndimor si tërësi në sferën e tij të interesit. Clark kujton se kjo ka qenë politika e Kremlinit që nga fillimi i konflikteve të armatosura në rajon gjatë viteve 1990.

    Ai përmendi si shembull bisedimet e tij me gjeneralët rusë gjatë negociatave paqësore për Bosnjën dhe Hercegovinën në vitin 1995.

    “Si anëtar i ekipit negociator të Richard Holbrooke në bisedimet paqësore në Dejton, isha në Moskë me një delegacion të zëvendës sekretarit të shtetit të atëhershëm të SHBA Strobe Talbot. Doja të përfitoja nga rasti të vizitoja gjeneralët rusë me të cilët kam biseduar një vit më herët. Mirëpo, jam pritur me fjalët: “Hej, ti po vjen në pjesën tonë të Evropës”. Sipas tyre, Ballkani Perëndimor është sferë ruse e interesit, të cilën ata duan ta rimarrin dhe kontrollojnë. Dhe kur njëherë ta marrin kontrollin, ata u mohojnë të tjerëve prerogativat e lirisë. Ne amerikanët nuk besojmë në sfera të interesit. Qasja jonë është që çdo komb duhet të punojë në interesin e tij më të mirë dhe që vendet duhet të bashkëpunojnë në gjetjen e interesave të përbashkëta, duke mos kërkuar kurrë sfera të ndikimit”.

    Ky është ndryshimi kryesor midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, deklaron ish-komandanti suprem i NATO-s, gjenerali në pension Wesley Clark./Insajderi.org.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark