Gazeta sportive italiane “Corriere Dello Sport”, ka përpiluar klasifikimin e futbollistëve të kampionatit italian që kanë luajtur me kombëtaret e tjera në Euro 2016 në bazë të paraqitjeve të tyre.
Sipas kësaj gazete, “ylli” i këtij klasifikimi është kroati Ivan Perishiç i Interit që ka shkëlqyer në tre ndeshjet në grupe, duke merituar notën 8.
Por ajo që bie në sy është edhe vlerësimi i lartë për futbollistët shqiptarë, duke filluar nga Ajeti, për të vazhduar me Memushajn, Hysajn e Berishën, të gjithë me nota pozitive dhe të gjithë më lart në klasifikim se sa ylli i Juventusit dhe Francës, Paul Pogba.
Ajeti renditet në vendin e 6, me notën 7. “Është një nga surprizat e Europianit. Për sa kohë që është në fushë, Shqipëria përballon Francën. Në zonën e rreptësisë është një gjigand. Dhe luan në të njëjtin nivel edhe kundër Rumanisë”, shkruhet për mbrojtësin kuqezi.
Memushaj mban vendin e 9 në këtë klasifikim, me notën 6,5. “Godet shtyllën ndaj francezëve dhe organizon kundërsulme. Përmirëson rendimentin përballë Rumanisë”, është komenti për mesfushorin.
“Vetëm” vendi i 13 për Elseid Hysajn, me notën 6,5. “I jep forcë dhe shtyn Shqipërinë në debutim, ndërsa ndalon Marsial në ndeshjen e dytë. Gjithmonë në një nivel të mirë ndaj Rumanisë, në fitoren e parë, ndonëse të pavlerë, të kombëtares së tij”, shkruan e përditshmja sportive italiane.
Vendi i 19 i përket portierit Berisha, i cili meriton notën 6 për turneun. “Gabimi te goli zviceran është i rëndë por e merr veten me disa ndërhyrje vendimtare. Më mirë në ndeshjen e dytë, nuk ka faj te golat. Pa probleme në ndeshjen e tretë me Rumaninë”.