×
  • Lajme
  • Lajme

    “Çudi që BE nuk reagon ndaj fjalorit të Beogradit”

    Insajderi
    03 August 2022 - 12:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kosova duhet të shkojë në dialogun e Brukselit me çdo kusht dhe duke përdorur të gjithë fuqinë politike e institucionale, vlerëson kështu drejtori i Grupit të Ballkanit për Politika, Naim Rashiti. Sipas tij, duke treguar se është e interesuar për marrëveshje dhe për paqe, Kosova është në përparësi ndaj Serbisë në tavolinën e bisedimeve. Duke komentuar zhvillimet e fundit në veri të vendit, Rashiti thotë se paralel me çështjen e targave dhe letërnjoftimeve, duhet të ketë dialog për tema të tjera në mënyrë që theksi të mos vihet mbi një çështje që gjeneron tension.

    Rashiti tha për KosovaPress se ndërkombëtarët duhet të bëjnë presion mbi Serbinë që të ndalë veprimet e saj dhe të vazhdojë implementimi i marrëveshjes derisa kritikon Bashkimin Evropian për mungesë të një reagimi të fuqishëm ndaj fjalorit të Beogradit zyrtar dhe zhvillimeve të së dielës në veri të Kosovës.

    “Bashkimi Evropian po na suprizon me sjelljet e tyre, në fakt me mos reagimin e fuqishëm të tyre ndaj një diskursi dhe vokabulari të Serbisë që pamë dhe sjellje të tilla që tanimë po dihen, por ky është realiteti që po ndodh edhe është realitet që po ndodh në kulmin e një krize të madhe në Evropë, çuditërisht po. Po besoj që në ditët në vijim do të kemi reagime shumë më të fuqishme të vendeve anëtare të BE-së”, thotë Rashiti.

    Ai thotë që Bashkimi Evropian i ka të gjitha instrumentet për të bërë presion të mjaftueshëm mbi Beogradin në mënyrë që të pranojë implementimin e marrëveshjeve.

    Sipas tij, tendenca kryesore e presidentit të Serbisë është që veriu i Kosovës të mos bëjë asnjë hap drejt integrimit.

    Megjithatë, shton se Serbia do të vihet para një akti që çështjen e tabelave në veri do ta pranojë meqë nuk mund t’i rezistojë dhe, sipas tij, mënyra e vetme për ta penguar do jetë me metodat që i ka përdorur të dielën.

    Drejtori i Grupit të Ballkanit për Politika thotë se Kosova duhet të jenë në komunikim të vazhdueshëm me faktorin ndërkombëtar për një agjendë të përbashkët meqë vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet implementimi i marrëveshjeve.

    Sipas tij, Kosova duhet të emërojë një koordinator të fuqishëm për implementimin e marrëveshjeve në veri në mënyrë që të plotësohet komunikimi në atë pjesë të vendit, për çka vlerëson se do të kishte mbështetjen ndërkombëtare duke e ruajtur qetësinë dhe duke implementuar marrëveshjet.

    “Diskursi politik është i mbrapsht, nuk kemi të bëjmë këtu me reciprocitet, nuk ka reciprocitet, po bëhet zbatimi, pajisja e qytetarëve në veri me tabela, nuk ka asgjë me reciprocitet, kjo fleta e bardhë që ka qenë në hyrje-dalje ka qenë e parashikuar me marrëveshje në fillim Kosova nuk e ka aplikuar me qëllimin më të mirë mos të shkaktojë barriera, nuk ka lidhje me reciprocitet, natyra e marrëveshjeve në vetvete është lloj reciprociteti, por Kosova asgjë më shumë nuk po bën sesa të implementojë marrëveshjet, t’i rregullojë rendin dhe ligjin në veri dhe nuk duhet të flasim me një diskurs politik siç po flitet në Prishtinë ‘po bëjmë reciprocitet ndaj Serbisë’, nuk po bëjmë asgjë, po bëjmë implementim të marrëveshjeve dhe po zgjidhim problemet e rendit dhe ligjit në veri nëse implementohen kjo marrëveshje. Diskursi është politik sesa realisht është institucional asgjë më shumë, për atë duhet ta vendosim në diskursin tërësisht institucional për të implementuar marrëveshjet për përfitime të qytetarëve”, thotë Rashiti.

    Ai pret takime të nivelit politik në Bruksel dhe beson që do të ketë angazhim të fuqishëm edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    “Pres që takime të ketë në nivel politik në Bruksel, besoj edhe në angazhim të fuqishëm edhe të ShBA-së dhe ndoshta një rishikimi i modaliteteve, i metodologjisë së implementimit të tyre, zgjatja e afatit më shumë se dy muaj, apo një metodologji e re për implementimin e tabelave në veri dhe më së pak edhe mund të vazhdohet çështja e këtyre stikerave në mes të Serbisë dhe Kosovës në momentin kur të kalon kufirin. Pres që gjatë këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm të ketë implementim të marrëveshjes ose të tabelave, pajisjet së qytetarëve serb në veri tabela të Kosovës… Në dialog duhet të shkohet me çdo kusht, me gjithë fuqinë politike institucionale sepse në fund çdo moment që Serbia bën hapa prapa ti je në avantazh”, thotë drejtori i Grupit të Ballkanit për Politika.

    Rashiti thotë se kur marrëveshjet do të fillojnë të implementohen në masë kritike dhe njëkohësisht të ketë presion mbi Serbinë që të ndalë veprimet e saj, atëherë do të ulën edhe tensionet.

    “Paralel këtij procesi duhet të ketë dialog për tema të tjera që të mos vihet theksi vetëm të një çështje që buron gjeneron tension, sepse tani jemi në një situatë ku marrëveshja energjetike edhe pse e arritur mund të mos zbatohet, Kosovës në asnjë rrethanë nuk i konvenon situata tensionuese, dhe këtë e di Vuçiq, Vuçiq për atë edhe tenton të krijojë situata tensionesh sepse e bën të pazbatueshme marrëveshjen dhe ky është qëllimi kryesor moszbatimi i marrëveshjeve dhe krijimi i tensioneve është qëllimi kryesor i Vuçiqit në skenën gjeografike të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor”, thotë Rashiti.

    Rashiti thotë të gjitha tensionet vinë ekskluzivisht nga Beogradi edhe ndërkombëtarët duhet të merren me këtë çështje.

    Ajo çka është e rëndësishme aktualisht sipas tij është se shumë nga faktori ndërkombëtar e kuptojnë që problemi është në Beograd dhe jo në Kosovë.

    Rashiti shton se Kosova duhet të vazhdojë t’i koordinojë veprimet e saj me aleatët dhe të njoftojë BE-në paraprakisht për veprime në mënyrë që këta të fundit të mos justifikohen se nuk janë mirë informuar për veprimet e institucioneve të Kosovës.

    Ndryshe, më 18 gusht është paralajmëruar një takim i nivelit të lartë në kuadër të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark