Edhe pse Shqipëria nuk është njohur më shumë me futboll, se sa është njohur nga Nëna Terezë, ata mund të shkaktojnë befasi në Kampionatin Evropian që fillon këtë të premte. Kështu shkruan sot tabloidi britanik Daily Mail, sipas të cilëve, skuadra e Shqipërisë ka potencial për të “tronditur Euro 2016”.
“Daily Mail” rrëfen arritjen e Shqipërisë deri tek finalet e evropianit, e cila sipas tyre, erdhi pas fillimit të mirë me fitoren e Shqipërisë në udhëtim ndaj Portugalisë në Aveiro.
Madje, tabloidi anglez e konsideron Shqipërinë, ashtu edhe siç thonë faktet, të “vegjlit” e këtij Kampionati Evropian duke parë historinë e skuadrës kombëtare shqiptare dhe rezultateve të mëparshme të saj.
Ata thonë se nëse të shkon mendja tek Shqipëria, atëherë ajo të lidhet me Nënën Terezë e jo me futbollin.
“Ata janë të vegjlit e Euro 2016. Ju duhet të kujtoheni shumë që të gjeni ndonjë sukses të kësaj skuadre përgjatë historisë. Shqipëria është një vend që sapo mendon të kthen kujtimet për Nënën Terezë”, shkruhet në artikullin e “Daily Mail”.
Më tej në analizën e tabloidit të famshëm britanik, nuk mund të mos përmendet trajneri i kuqezinjve, Gianni De Biasi, i cili sipas tyre, zhvillon një futboll me mbrojtje të fortë dhe “godet përmes kundërsulmeve”.
Ndërsa pikat kyce të skuadrës i cilësojnë, kapitenin e kombëtares Lorik Canën dhe vëllanë e futbollistit të ri të Arsenalit Granit Xhakës, Taulantin – i cili për dallim nga vëllai ka zgjedhur të luajë për Shqipërinë.
“Xhaka i Baselit, i cili ndihmohet nga mbrapa prej kapitenit të përfaqësueses, Lorik Cana – ish futbollistit të Sunderland-it – i cili ka zhvilluar karrierë me PSG-në, Marsiellen, Lazion, Galatasarayn dhe Nantesin janë dy prej yjeve të skuadrës”, shkruan “Daily Mail”.
Problemi më i theksuar i kombëtares, shkruan “Daily Mail”, është shënimi i golave. Sipas tyre, kombëtarja shqiptare çalon në gjetjen e golit.
Krejt në fund, tabloidi britanik theks të veçantë i jep edhe tifozëve të kombëtares shqiptare, ajo i cilëson ata si “besnik dhe pasionantë” për kombëtaren kuqezi dhe parashikon një numër të madh të tyre në fazën finale të Kampionatit Evropian. /Insajderi.com