Ballkani nuk ka arritur më shumë se një barazim 1-1 nga udhëtimi në Skenderaj përballë Drenicës.
Kampioni në fuqi e pa vetën në disavantazh, por nëntë minuta para fundit të ndeshjes barazoi shifrat në 1-1.
Në fund kishte një incident mes dy ekipeve dhe për të ka folur trajneri i Ballkanit, Ilir Daja.
“Falënderojë presidenten e klubit të Drenicës për mirënjohjen që na dedikoi presidentit, mua dhe drejtorit të klubit. Ambienti ishte i mirë, por në një moment një nga stafi kundërshtar bëri një veprim që nuk na takon ne trajnerëve. E preku lojtarin, që nuk na lejohet. Ishte rast i izoluar”, ka deklaruar Daja.
Tutje trajneri nga Tirana ka thënë se nuk ka se çka i kërkon ekipit më shumë, ndoshta duhet përmirësuar vetëm realizimi.
“Muskujt i kemi të rënduar pasi intensiteti i ndeshjeve në Evropë është më i lartë. E dinim se një moment do të vinte rënia. Sot e bëm freskimin e ekipit. Me freskinë që patëm mbajtëm kundërshtarin në fushën e vet”.
“Nuk ia heq meritën Drenicës për atë që bëri, por lojtarëve të mi nuk kam çka t’iu kërkoj më tepër. Prodhojmë lojë, raste dhe pjesa e vetme që mund të përmirësojmë është realizimi. Një ambient të bukur të prishet për një incident të izoluar nuk ia vlen”, ka thënë Daja.