×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Dalin listat e punësimeve – Qeveria e mbush administratën me aktivistë dhe militantë të Lëvizjes Vetëvendosje

    Insajderi
    04 March 2023 - 19:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në listën prej 50 personave të punësuar në Administratën Publike përmes një konkursi publik, një pjesë e madhe e tyre janë aktivistë, ish-kandidatë për asamblistë e militantë të Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet.

    Një konkurs i gushtit të vitit të kaluar i Ministrisë së Punëve të Brendshme për 50 (pesëdhjetë) zyrtarë në Administratën Publike është bërë mjet për Lëvizjen Vetëvendosje për t’i rehatuar militantët, aktivistët e anëtarët e partisë.

    Konkursi në fjalë, me numër reference “MPB-1/2022” kishte qenë problematik qysh në fillim. Dyshimet e para u hodhën mbi afatet dhe procedurat teknike të konkursit. Ato mbështeteshin te një argument: faqja e Gjykatës ku duhej të aplikohej për dëshminë se aplikuesi nuk është nën hetime, ra nga sistemi. Periudha e aplikimit ishte zgjatur, por kjo s’i ndali parregullsitë.

    Edhe më të dyshimtë këtë konkurs e bën një ankesë e adresuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme nga njëri nga kandidatët e mos-pranuar i cili kishte gjetur parregullsi gjatë procesit.

    Në ankesën të cilën e posedon Paparaci, thuhet se tre kandidatë me emrat Ariana Baruti, Vedat Hetemi e Irfan Mehmeti nuk kanë qenë fare në listën e rezultateve të testit me shkrim të publikuar me datë 12.10.2022 , por të njëjtit kanë rezultuar të pranuar në punë pas shpalljes së rezultateve të konkursit.

    Emri i Vedat Hetemit do të përmendet sërish në vazhdim si pjesë e këtij teksti, pasi mbiemri i tij është refreni i gjithë konkursit skandaloz të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

    Hulumtimi i Paparacit mbi këtë konkurs vë në dritë faktin se, përveç manipulimeve me konkursin dhe kandidatët, persona të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje kanë fituar pozita pune edhe pa i merituar, duke lënë jashtë kandidatë të cilët i kanë plotësuar kriteret e konkursit.

    Në listën prej 50 personave të pranuar sipas këtij konkursi, një pjesë e madhe e tyre janë aktivistë, ish-kandidatë për asamblistë e militantë të Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet.

    Madje kjo u bë aq hapur, saqë pozitë fitoi edhe Sekretarja Organizative e Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, Aida Ferati Doli, e cila gjithashtu ka qenë drejtoreshë në Komunën e Mitrovicës në kohën e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje dhe gjithashtu kandidate për asambliste në Komunën e Mitrovicës së Veriut. 

    Ferati-Doli e cila u zgjodh në këtë pozitë brenda partisë në zgjedhjet e fundit të brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje figuron edhe në listën e të pranuarve në këtë konkurs.

    Nga ky konkurs, me pozitë pune u shpërblye edhe kryetari i pikës së Lëvizjes Vetëvendosje në fshatin Zhazhë, Shkelqim Peci. Ai figuron i 20-ti në listën e kandidatëve të pranuar sipas konkursit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

    Pranë tij jo vetëm në subjekt politik, por edhe në listën e të pranuarve është edhe Jeton Rrahmani, emri i të cilit gjendet në listën e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje për asamblistë në komunën e Skenderajt. 

    I pesëdhjeti në këtë listë të personave që u shpërblyen me punë nga MPB-ja e udhëhequr nga ministri Xhelal Sveçla është emri i Enver Aliut, i njëjti, rezulton të ketë qenë kandidat për asamblist në komunën e Leposaviqit me Lëvizjen Vetëvendosje, raporton Paparaci.

    Shkrimi i plotë në Paparaci.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark