Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka shënuar fitore ndaj Maqedonisë së Veriut, në miqësoren e dytë.
Pas humbjes së pësuar të premten në ndeshjen e parë të zhvilluar në Shkup (1:3), Dardanet kësaj radhe në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, kanë triumfuar me rezultat bindës, 4:0.
Kosova e nisi shumë mirë ndeshjen dhe kaloi në epërsi qysh në minutën e dytë, me golin e shënuar nga Valentina Metaj.
Ky gol bëri që të përzgjedhurat e Karin Annel Andersen në vazhdim të luajnë më të qeta dhe ta menaxhojnë epërsinë e krijuar.
Pjesa e parë u mbyll me shifrat 1:0, derisa në kaptinën e dytë Dardanet u treguan edhe më efikase duke shënuar edhe tre gola tjerë. Erëleta Memeti realizoi dy herë në minutat 59’ dhe 74’, duke e përmbyllur çështjen e fituesit të këtij takimi, teksa me një gol kontribuoi edhe Blerta Shala, e cila e vendosi rezultatin përfundimtar 4:0, në minutën e 87-të.
Këto dy miqësore i kanë shërbyer përzgjedhëses Andersen për ta parë formën e lojtareve dhe për të përçuar tek ato idetë dhe strategjinë e lojës për ndeshjet e ardhshme kualifikuese.