Trajneri i skuadrës kombëtare shqiptare, Gianni De Biasi, ka folur pak orë më parë rreth Kampionatit Evropian dhe eleminimit të kombëtares shqiptare nga kjo ngjarje, duke thënë se Shqipëria zhvilloi një kampionat të mirë por që mund të grumbullonte më shumë pikë.
Ai ka treguar se pengu më i madh nga “Euro 2016” ka është mosgrumbullimi i sa më shumë pikëve në dy ndeshjeve të para.
“Mund të merrnim diçka në dy sfidat që i humbëm. Skuadra nuk është edhe aq dinake dhe nuk arriti të merrte diçka më shumë nga sfidat me Zvicrën dhe Francën. Ata nuk dinë të ulin ritmin, të fitojnë faulle sepse janë të rinj dhe pa përvojë, mirëpo ne kemi një skuadër me të ardhme dhe kjo më gëzon”, deklaroi De Biasi për Supersport, dje në mbrëmje, njofton Insajderi.
Tekniku italian, gjithashtu vlerësoi lartë edhe kapitenin e Shqipërisë, Lorik Canën, duke e quajtur atë “shembull për të tjerët”.
“Loriku është një shembull i mrekullueshëm, është një shembull i vërtetë. Ai e pranoi edhe uljen në stol në ndeshjen me Rumaninë dhe tregoi vlerat e tij”, tha italiani.
Shqipëria përkundër eleminimit, pati shpresa deri në ditën e fundit të fazës së grupeve në evropian, dhe për këtë mund të thuhet se zhvilloi një kampionat të suksesshëm. /Insajderi.com