Edhe pse nuk ka garanci se a do të luajë në ndeshjen e dytë të grupit ndaj Republikës së Irlandës, Kevin De Bruyne është temë e ditës në mediet ndërkombëtare për pakënaqësi rreth rolit të tij në fushë, megjithatë trajneri belg Marc Wilmots ka thënë se atmosfera në skuadër është e mirë.
De Bruyne është raportuar se dëshiron të luajë në pozitën e numrit “10”, prapa sulmuesit.
Wilmots në një konferencë për shtyp ka thënë se nuk ka pakënaqësi dhe shqetësime në skuadër, duke thënë se stërvitjet kanë qenë produktive.
“Nuk jam i shqetësuar, këto janë gjëra që diskutohen në futboll. Unë nuk besoj se ka futbollist të pakënaqur por ky është futboll dhe çfarë bëhet prapa skenës nuk është problem për mua”, tha Wilmots, njofton Insajderi.
Belgjika do të luajë ndaj Republikës së Irlandës në orën 15:00, ndeshje në të cilën vetëm fitorja i kryen punë skuadrës kombëtare belge.
Wilmots ka thënë se De Bruyne do të jetë i gatshëm për ndeshjen e sotme, duke i shuar të gjitha dyshimet për ndonjë lëndim eventual të mesfushorit. /Insajderi.com