21:54 - 18 Nëntor 2020

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përdorur si pretendim në urdhër-arrestin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit reagimet ndaj deklaratës së Shkëlzen Gashit, ish-këshilltar i  ish-kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Në pretendimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për urdhër-arrest thuhet se  së fundmi, ish-këshilltari politik Shkëlzen Gashi deklaroi se individë brenda UÇK-së kanë kryer krime dhe si rezultat- konsistent me gjuhë të stafit të përgjithshëm të UÇK -së në 1998-99, ai ishte konsideruar si bashkëpunues dhe përkrahës i Serbisë nga Jakup Krasniqi dhe anëtarët kryesor të Shoqatës së Veteranëve duke e bërë subjekt të vdekjes dhe nga kritikat e shumta u shkarkua nga pozita e tij.

Tutje, në dokumentin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar thuhet se shembulli i Gashit pasqyron një klimë pandëshkueshmërie dhe frikësimi të cilën të dyshuarit kanë lehtësuar dhe inkurajuar në mënyrë aktive.

Vetë të dyshuarit kanë një kohë të gjatë rekord i armiqësisë ndaj përgjegjësisë për krimet e kryera gjatë luftës ose ndonjë hetimi të tyre”, thuhet në dokument.

Në konferencën për ecurinë e çështjes lidhur me ish-eprorët e UÇK, avokati i Hashim Thaçit, David Hooper tha se nuk pranojnë kriteret e përmendura për ish-presidentin e Kosovës.

“Në seancën e parë, në javën e kaluar kemi cekur kërkesën për lirimin me kusht të z. Thaçi, nuk pranojmë kriteret e cekura për z. Thaçi, duam të aplikojmë mënyrat se si duhet të realizohet lirimi me kusht”, tha avokati Hooper.

Avokati i Thaçit tha dhe se sa i përket urdhër-arrestit për çështjen në fjalë janë bërë redaktime të çuditshme.

Duhet të kemi nxjerrje të plotë të argumenteve që janë vënë në dispozicion nga ju zoti gjykatës, sa i përket urdhër-arrestit për çështjen në fjalë. Në urdhër-arrestin nga prokuroria, këtu ka redaktime të çuditshme, redaktime të tilla s’mund të justifikohen, referencat tregojnë për keqsjellje në llogari të z. Thaçi gjatë dokumentacionit”, tha avokati Hooper.

Ai kërkoi që Prokuroria të rishqyrtojë redaktimet e bëra.

“Prokuroria të rishqyrtojë dhe njëherë redaktimet dhe të ketë versione sa më pak të redaktuara te dokumentacionit dhe të gjitha provat të jenë të cituara në fund të faqes në kërkesën e Prokurorisë dhe ky dokumentacion t’i vihet mbrojtjes në moment të duhur dhe atë brenda 3 ditësh”, shtoi avokati Hooper.

Më 24 prill të këtij viti, deri sa ishte këshilltar ish-kryeministrit Albin Kurti, aktivisti Shkëlzen Gashi në një nga televizionet në Kosovë kishte përmendur edhe viktimat civile jo shqiptare dhe të drejtën e tyre për drejtësi, si dhe përgjegjësinë individuale që duhet të mbajnë ata ish-pjesëtarë të UÇK-së, të cilët kanë kryer krime gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Kjo deklaratë e tij kishte ngjallur shumë debat në Kosovë duke bërë që një ditë më vonë, ish-kryeministri Albin Kurti kishte vendosur  ta lirojë nga detyra këshilltarin e tij politik.

Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi  janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme.

Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

VIDEO: Kush është radiologu i QKUK-së i cili qëndroi 33 ditë me oksigjenoterapi pasi u prek nga Covid-19?