×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Deklarata skandaloze e presidentit kroat për Kosovën, flet eksperti kroat për Insajderin

    Insajderi
    01 February 2023 - 14:31
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Me një fjalë goje u bë yll në mediat serbe.

    Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ditë më parë habiti opinionin mbarërajonal me një deklaratë skandaloze se komuniteti ndërkombëtar “aneksoi Kosovën nga Serbia” dhe se “Kroacia ka marrë pjesë në këtë”.

    “Ne aneksuam Kosovën. Ne dhe komuniteti ndërkombëtar. Iu morr Serbisë. Kush e bëri përpos ne? Kush e njohu Kosovën. Ne e bëmë. Nuk është aneksim, është shpronësim”, deklaroi Millanoviq.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “do ta dëgjoj me vëmendje deklaratën e Milanoviqit për Kosovën”, pyetur nga gazetarët e ngazëllyer serbë me deklaratën e presidentit kroat.

    Ishte i pari kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, që reagoi ndaj këtij skandali diplomatik të kreut ditë e më kontroverz të shtetit kroat.

    Plenkoviq u distancua krejtësisht nga deklaratat e Millanoviqit.

    “Askush nuk e ka aneksuar Kosovën, sepse po ta kishte aneksuar dikush atëherë do t’i ishte bashkuar ndonjë shteti tjetër. Nuk paskam dëgjuar për konceptin e shpronësimit në marrëdhënie ndërkombëtare”, tha Plenkoviq.

    Që Kosova është shtet i pavarur, Plenkoviq tha se “është shumë gjë e rëndësishme”.

    “Me Kosovën kemi marrëdhënie diplomatike”, u shpreh kryeministri kroat për gazetarë, derisa për presidentit kroat ai tha se “tashmë përveç se është yll i mediave ruse, u bë yll edhe në Serbi”.

    Megjithatë, çfarë do të thotë kjo deklaratë e Milanoviqit?

    Redaktori për politikë të jashtme i gazetës më të madhe kroate “Jutarnji list”, Zeljko Trkanjec në një prononcim për Insajderin, thotë se në asnjë mënyrë nuk lëndohen marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.

    Për presidentit kroat, ai thotë se është në linjë me argumentimin rus se po qe se Kosova mund të jetë shtet i pavarur atëherë munden edhe të ashtuquajturat republika popullore ruse në Ukrainë munden.

    “Deklarata e Presidentit të Kroacisë mbi Kosovën se është aneksuar apo ekstraktuar (ky term i fundit nuk ekziston në të drejtën ndërkombëtare, por është term i shkencave të natyrës) duhet të lexohen si një përpjekje për të konfirmuar tezën e tij se Rusia nuk mund të humbë luftën në Ukrainë”, ka thënë Trkanjec për Insajderin.

    “Problemi është se Presidenti Milanoviq po përdor argumentimin rus se nëse Kosova mund të jetë e pavarur atëherë ‘Republikat Popullore’ në Ukrainë mund të jenë të pavarura”.

    Njohësi kroat i çështjeve rajonale beson se Milanoviq u përqendrua në Kosovën në dritën e negociatave të fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Por, ai ka një cilësim të ashpër ndaj presidentit kroat. “Askush nuk mund të gjejë përmasat reale të rrjedhës së vetëdijes së tij”, tha Trkanjec.

    Zeljko Trkanjec thotë se deklaratën kontraverze të tij e dënuan shumica e partive opozitare kroate, përveç “Arsen Bauk ‘mini-me’ nga SDP”.

    “Marrëdhëniet me Kosovën janë përgjegjësi e qeverisë dhe nuk do të afektohen në asnjë mënyrë nga pala kroate”, përfundoi Zeljko Trkanjec./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark