Boksieri nga Podujeva, Demahmet Sinani, që përfaqësonte Kosovën në garën prestigjioze “VALHHALA Fight Night 4” në Celje të Sllovenisë, ka shënuar fitoren e radhës në boks.
Anetari i “MMA Kroni Fight Team” shënoi dje fitore, të dyten në semi-pro dhe të 10-tën në përgjithësi, pa asnjë humbje në MMA.
Kundër tij në ring ishte talenti slloven, LLuka Shtiglic, të cilin Sinani e mposhti me KO në raundin e dytë.
Se sa e fortë ishte gara, tregon fakti që kishte garues nga Kuba, ShBA, Italia, Gjeorgjia, Bosnia, Sllovenia dhe Kosova. Referët nga Kroacia ishin në nivelin e duhur të detyrës.
Demahmet Sinanit dhe trajnerit të tij, Arian Havollit ju premtua se ndeshjen tjetër, boksieri do ta ketë të nivelit profesionist, meqë ndeshja e tij u vlerësua shumë lartë.
Ai ka shprehur rastin të falendërojë bashkatdhetarët, si dhe shoqatën shqiptare të Celjes, e cila ishte e pranishme me numër të madh, duke e përkrahur Sinanin.
Sipas Ekipi “MMA Kroni” tashmë është mëse e nevojshme të certifikohet Federata e Arteve Mikse Marciale, për shkak të potencialit të talentëve të rinj në këtë sport.
“Është koha që Federata e Arteve Mikse Marciale, MMA, e Kosovës më në fund të certifikohet dhe pranohet nga MKRS, dhe talentëve të shkëlqyeshëm kosovarë t’u mundësohet që, në emër të Kosovës, të garojnë në arenën ndërkombëtare” ka deklaruar ekipi.