×
  • Lajme
  • Aktuale

    Dënohet me 10 muaj burgim ish-deputeti i LDK-së, i akuzuar për korrupsion

    Insajderi
    24 November 2021 - 10:44

    Ish-deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Murat Hoxha, është dënuar me 10 muaj burgim me kusht dhe 700 euro gjobë, për mosdeklarim të plotë të pasurisë.

    Aktgjykimi në fjalë u shpall të mërkurën nga gjykatësja Sulltane Hoti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas këtij aktgjykimi, dënimi i shqiptuar me burgim nuk do të ekzekutohet nëse brenda periudhës verifikuese prej një viti, i akuzuari Hoxha nuk kryen vepër tjetër penale.

    Ndërsa, dënimin me gjobë i akuzuari Hoxha obligohet ta paguajë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, në të kundërtën dënimi me gjobë do t’i zëvendësohet në dënim me burgim, duke iu llogaritur 20 euro për një ditë burgimi.

    I akuzuari po ashtu obligohet që ta paguajë edhe shpenzimet procedurale në shumë prej 50 euro dhe në emër të fondit të kompensimit të viktimave të krimit shumën prej 30 euro.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur në gusht të 2018-ës, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Murat Hoxha, në cilësinë e zyrtarit publik-deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, po akuzohet për mosdeklarim të plotë të pasurisë.

    Prokuroria pretendon se i pandehuri Hoxha si person që sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose detyrimeve financiare, nuk e ka bërë një gjë të tillë, ashtu që në Formularin për Deklarim të Pasurisë, i cili dorëzohet nga 1 marsi 2017 deri më 31 mars 2017, për vitin paraprak 2016, i njëjti e deklaron pjesërisht pasurinë e tij.

    Aktakuza thotë se i pandehuri në formularin e lartcekur nuk ka shënuar saktë paluajtshmërinë- pronën e paluajtshme me sipërfaqe prej 209 m2, biznesin e “Progis” SH.P.K në emër të djalit të tij Valdrin Hoxha, veturën e djalit të tipit “Peugeot” 407, si dhe bashkëpronësinë në shoqërinë aksionare K.F “Gjilan” SH.A.

    Me këtë, Hoxha po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mosraportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financianre” nga neni 437, paragrafi 2 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. 

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark