×
  • Lajme
  • Insajderi

    Denoncimi i Ministrit Peci – Objekti ngjitur me selinë e AAK-së është duke u shfrytëzuar kundërligjshëm

    Insajderi
    11 October 2022 - 12:03

    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci sot ditë e ka nisur me denoncim të keqpërdorimeve të pronave që i takojnë këtij dikasteri që e drejton.

    Ai ka njoftuar se jo vetëm që është abuzuar në të kaluarën në kategorinë e subvencioneve dhe granteve, por edhe në menaxhimin e pronave, shkruan Insajderi.

    Përveç 25 villave, që sipas Pecit janë ndërtuar në Stankaj në në Prona të Institutit Bujqësor të Kosovës, ai ka denoncuar keqpërdorimin edhe të një objekti të madh në qendër të Prishtinës.

    “Është e pa-pranueshme se si para syve të institucioneve qendrore e lokale, ne zemër të Prishtinës, në Ulpianë ështe zhvatur prona e Ministrisë së Bujqësisë duke u lejuar apo duke mbyllur sytë karshi:”
    “Ndërtimeve të jashtëligjshme dhe ndërtimeve të vrazhda pa asnjë pasojë nga organet relevante të thirrura për ndalimin e ndërtimeve pa leje!”, tha Peci.

    Sipas ministrit Peci, uzurpim dhe tjetërsim i pronës publike të Ministrisë është bërë nga individë që nuk janë kontrolluar asnjëherë nga institucionet e thirrura për ta realizuar një gjë të tillë.

    Si i tillë objekti që i takon këtij dikasteri, sipas Pecit është kthyer në objekte banimi dhe lokale afariste.

    Për më tepër ai thotë se operatorët ekonomikë si palë të treta në këtë lëmsh të krijuar, paguajnë qira për objektet e tyre afariste mirëpo jo titullarit faktit të pronës, në këtë rast Ministrisë së Bujqësisë që ai e drejton.

    Ministri Peci për këto veprime të kundërligjshme sipas tij, ka ftuar  Prokurorinë e Shtetit “që të vihet në shërbim të zbardhjes së këtyre rasteve abuzive sepse adresimi i këtyre problemeve të shtresuara, nuk zgjidhet vetëm me adresime administrative”.

    Rasti tejet abuziv sipas Pecit, e shkatërrues për pronën publike është ndërtimi i rreth 25 vilava, prej tyre një numër i konsiderueshëm ndërtime të vrazhda në Prona të Institutit Bujqësor të Kosovës në Joshanicë të komunës së Pejës respektivisht në Stankaj.

    Peci ka paralajmëruar se ditëve të ardhshme do të marrin të gjitha veprimet administrative dhe ligjore, që sipas tij do të mundësojnë rikthimin e ligjshmërisë së këtyre aseteve “dhe pasurive tek titullari, valorizimin e pronës dhe rritjen e inkasimit të mjeteve në shërbim të interesit të qytetarëve të Kosovës”.

    “Në gjithë këtë katrahurë është i pashpjegueshëm mos-veprimi në radhë të parë i Ministrisë së Bujqësisë për një dekadë, mungesa e vullnetit të Ministrave të kaluar për ta çuar më tutje këtë çështje, inspektorëve të ndërtimit në nivel të komunave në këtë rast në komunën e Prishtinës dhe Pejës të cilët nuk kanë marrë parasysh as elementet bazike siç janë:”

    “E drejta pronësore dhe juridike. Mënyra se si janë pajisur me leje ndërtimi, renovimi, anekse të ndërtimit (nëse i posedojnë) pa aprovimin e titullarit të pronës? Si është mundësuar ndërtimi i vrazhdë, ndërtimi i anekseve pa aprovimin dhe posedimin e çertifikatës së pronësisë, kopjes së planit të projektit që duhet dorëzuar në drejtoritë e urbanizmit nga titullari i pronës?”, pyet ministri Peci. /Gazeta Insajderi

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark