×
  • Hulumtime/Analiza
  • Aktuale

    Deputeti i VV-së mbi 1000 euro borxh Televizionit Publik – Paratë iu transferuan gabimisht sa ishte analist

    Insajderi
    20 April 2022 - 11:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, para se të merrte mandatin, njihej si analist. Në vitin 2017 ishte kontaktuar nga RTK si analist i zgjedhjeve. Paraqitjet e tij sipas kontratës do të paguheshin 60 euro për një ditë. Mirëpo RTK kishte bërë një gabim në llogaritje dhe Mujës i kishte transferuar mbi 1000 euro më shumë sesa që ishin marrë vesh. Gazeta Insajderi, ka siguruar komunikimin përmes emailit mes tyre. Muja kishte pranuar që t`i kthej paratë me këste por edhe përkundër kësaj sipas RTK-së nuk i kishte kthyer. Deputeti Muja flet për rastin, por injoron pyetjen se a ia ka kthyer paratë RTK-së

    Armend Muja, në maj të vitit 2017 kishte lidhur kontratë për shërbime me Televizionin Publik të Kosovës si analist.

    Muja ishte angazhuar që gjatë fushatës zgjedhore të bëhte analiza zgjedhore. Për këtë angazhim sipas marrëveshjes me RTK-në, Muja do të paguhej 60 euro (bruto) për një ditë paraqitje, shkruan Gazeta Insajderi.

    Bazuar në këtë marrëveshje, për pesë paraqitje brenda javës në fund të muajit RTK kishte obligim të paguante 300 euro bruto ndaj Mujës ndërsa pas përllogaritjes së tatimeve dhe kontributeve në llogarinë e tij do të transferoheshin 256 eruo, shkruan Gazeta Insajderi.

    Por gjatë transferimit të mëditjeve administrata e RTK-së kishte gabuar llogaritjet për muajin shtator e tetor dhe në llogari të Mujës, kishin transferuar 1000 euro më shumë sesa që ishin marrë vesh. Pasi që e kishin vërejtur gabimin RTK i ishte drejtuar me email Mujës duke i kërkuar atij, që t`i kthente.

    Gazeta Insajderi, ka siguruar komunikimet mes RTK-së dhe Mujës.

    Në emailin e 21 nëntor të vitit 2017, RTK i kërkon Mujës të  kthej shumën prej 1094 eurove në llogarinë e televizionit.

    “Në bazë të kontratës dhe në bazë të angazhimit tuaj për muajin shtator dhe tetor pagesa totale duhej të transferohej në llogarinë tuaj është 102.60 euro, ndërsa për këta dy muaj janë transferuar mjete në lartësi prej 1197 euro. Na bazë të kësaj që u tha më lartë, ju lutem që mjetet të cilat janë transferuar gabimisht në llogarinë tuaj bankare në lartësi prej 1094.40 euro të kthehen në llogarinë e RTK-së”, shkruan në kërkesën e RTK-së drejtuar Mujës.

    Muja u ishte përgjigjur në email Televizionit Publik në muajin dhjetor. Ai kishte thënë se do të shkonte fizikisht në zyret e RTK-së për të sqaruar situatën.

    “Unë kam analizuar rrjedhën. Do të jem të premten në RTK për të sqaruar detajisht situatën. Mund të vështrojmë rrjedhën e pagesës dhe obligimeve bashkërisht dhe dakordohemi. Natyrisht, jam i interesuar të kthej çdo mjet që nuk më përket”, i ishte përgjigjur ai RTK-së.

    Pasi Muja kishte shkuar në zyret e RTK-së, ishin marrë vesh me administratën që që shuma prej 1060 euro, ta kthente me këste.

    Kësti i parë sipas Mujës do të paguhej një muaj pas kësaj marrëveshje, kishte përmendur datë 30 janar i vitit 2018. Edhe Televizioni Publik ishte pajtuar për këtë. Ishin caktuar edhe shumat që do të ktheheshin në 5 këstet.

    “Ju drejtohemi lidhur me pagesën tuaj sikur në vijim: Shuma totale e cila duhet të kthehet në llogarinë e RTK-së është në vlerë prej 1060.20 euro, kërkesa juaj që të njëjtën shumë ta ktheni me pesë këste është e pranueshme, andaj ashtu sikur që biseduam, ju lutemi që nga data 30 janar 2018 të filloni t’i transferoni të njëjta mjete në këste. Kësti i parë në vlerë prej 260.20 euro dhe katër këstet tjera nga 200 euro”, thuhet në emailin e RTK-së.

    Mirëpo, Armend Muja nuk e kishte respektuar marrëveshjen me RTK-në për kthimin e parave nga 30 janari 2018.

    “Pas shumë insistimeve dhe thirrjeve telefonike, ju lusim që edhe njëherë për mirëkuptimin tuaj dhe të na përgjigjeni në bazë të marrëveshjes që kemi arritur me datën 22.12.2017”, thuhet në e-mailin tjetër që RTK-ja i dërgon Mujës në muajin mars, dy muaj pasi që ai do të duhej të paguante këstin e parë.

    Përveç kësaj RTK-ja e kishte paralajmëruar ish-analistin e tyre se nëse nuk kthen paratë sipas marrëveshjes do t`i kthejnë ato përmes rrugëve ligjore.

    Në bazë të komunikimeve që ka siguruar Gazeta Insajderi, Muja nuk i kishte kthyer paratë në RTK as pas kërkesave të vazhdueshme nga Televizioni.

    “Në këtë rast mjetet nuk janë kthyer, por janë transferuar gabimisht në llogarinë e Armend Mujës. Edhe pse me të njëjtin kemi komunikuar dhe kemi arritur marrëveshje që mjetet të kthehen në llogarinë e RTK-së, deri më tani nuk janë transferuar”, thuhet në një e-mail tjetër që mbanë datën 24 shtator 2018.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe me deputetin Muja. Ai ka dhënë versionin e tij për rastin por nuk është përgjigjur specifikisht në pyetjen se a i ktheu 1000 euro apo jo RTK-së.

    Muja ka konfirmuar se ka pasur marrëveshje si analist i zgjedhjeve në kohë fushate edhe para vitt 2017, por se në 2017 RTK kishte vendosur t`i kompenzonte me meditje. Thotë se 6 muaj pas përfundimit të zgjedhjeve, është kontaktuar zyra e financa të cilët e kanë njoftuar se kanë transferuar gabim një shumë të mjeteve.

    “Me Zyrën e Financave të RTK, jam dakorduar që urdhërpagesa e gabuar të kthehej prapa nese pretendonin se ishte bërë ndonjë gabim, ashtu siç parashihet me Ligjin për Sistemin e Pagesave. Pra, nëse institucioni dërgues ka bërë ndonjë gabim, gjë që mund të ndodhë, të njëjtin të rregulloj përmes transferit bankar. Gabimi ishte i tyre ata duhej të rregullonin këtë”, tha Muja për Insajderin.

    Pavarësisht asaj cka shkuar në emailat që ka siguruar Gazeta Insajderi, sipas Mujës RTK ka kërkuar që paratë të kthehen në dorë.

    “Kërkesa që unë t’i kthej paratë në dorë me është dukur e quditshme, informale dhe e jashtëligjshme – jo vetëm se binte ndesh me Rregullat Bankare por edhe nga fakti se të hyrat ende figuronin si transfer bankar nga RTK. Për mua çështja ka qenë e zgjidhur sepse bëhej fjalë për shuma të vogla (nuk mbaj mend por mund të ketë qenë diç ndërmjet 128-343 euro, këtë nuk mund ta them me siguri)”, tha Muja.

    Pavarësisht se Muja nuk e konfirmon se i ka kthyer 1000 eurot RTK-së, pavarësisht se në emaila ai kishte pranuar që t`I kthej me kësjte mjetet në RTK, i quan shpifje pretendimet e televizionit publik.

    Ai madje e quan minore si rast.

    “Kjo çështje nuk është sjellur në vëmendjen time që nga viti 2017 dhe pretendoj se është minore dhe nuk më takon mua”.

    “Tentimi për të keqpërdorur një gabim tyre në transaksion për të më portretizuar sikur unë i kam borxh diç RTK-së është shpifje e llojit të rëndë dhe e njejta do të duhej të denohej. Unë kam konsideratën më të lartë për RTK si institucion, kanë pasë sjellje korrekte me mua dhe ngjashëm edhe unë. Jam thellësisht falenderues ndaj tyre për hapësirën. Megjithatë, raportet e mia personale nuk kam toleruar që të interferojnë gjatë punës time si Deputet i Kuvendit – institucioni ka qenë dhe është në një situatë të rëndë financiare. Përpjekja e kotë për të më ndrydhur me lloj lloj insinuatash nuk funksionon”, tha Muja.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark