×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Dëshmitari zbardh skandalin: Kryesuesi i bordit më bëri presion që t’ia punësoja gruan

    Insajderi
    15 February 2023 - 16:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Dëshmitari Driton Morina thotë se për hapjen e konkursit për IT  në “Trafikun Urban” ka qenë nevoja por dhe është bërë presion. Një deklarim të tillë i njëjti e bëri të mërkurën, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në gjykimin ku Ruhan Beha në cilësinë e kryesuesit të Bordit të drejtorëve  të “Trafikut Urban”, po akuzohet për korrupsion.

    Sipas aktakuzës Beha në cilësinë e kryesuesit të Bordit të drejtorëve të NPT “Trafiku Urban”, në 2019-tën, kishte kërkuar nga vartësi i tij Lulzim Rexhepaj, i cili kishte pozitën e kryeshefit ekzekutiv, që t’ia punësojë bashkëshorten e tij Lendita Beha, e cila ka qenë e angazhuar si praktikante në entin për punësim.

    “Nevojat kanë qenë, por kur i shtohet kësaj edhe presioni atëherë është dashtë të hapet konkursi”, tha dëshmitari Morina.

    I njëjti ka shtuar se, nuk është ai që hap konkurse, por kanë pasur nevojë për një zyrtar të IT-së dhe e kanë elaboruar nevojën për një të tillë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Paraprakisht, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Shkelzen Ibrahimi i njëjti ka deklaruar se mbetët pranë deklaratës së dhënë më parë për këtë çështje më 15 janar 2020.

    Tutje, gjatë deklaratës së tij ka thënë se nuk ishte në dijeni se çka kishte ndodhur ose si ishte punësuar Lendita Beha në pozitën e praktikantes në “Trafikun Urban” pasi ai nuk kishte qenë përgjegjës për hapjen e konkurseve por kishte qenë kryeshefi, Lulzim Rexhepaj.

    Dëshmitari Morina gjithashtu tha se kishte qenë kërkese e të akuzuarit Beha që të ia ndërroj vendin e punës Lendita Behës.

    Pas ballafaqimit nga ana e prokurorit Ibrahimi me deklaratën e tij të dhënë më herët, dëshmitari Morina tha ishte e vërtetë që kishte deklaruar një gjë të tillë.

    “Mesa unë kam parë tani i pandehuri Ruhan Beha në vazhdimësi ka ushtruar presion tek kryeshefi ekzekutiv Lulzim Rexhepaj që t’i hapej konkurs për punësimin e bashkëshortes së tij Lendita Beha si zyrtare e IT-së, kjo ngase kam kuptuar unë, Lendita nuk ndihej mirë në pozicionin e saj si praktikante dhe kërkonte të shpallej konkurs dhe e di që Lulzim Rexhepaj më ka thënë që është në presion nga Ruhan Beha, ngase i njëjti po i kërkonte hapje të konkursit dhe punësim të bashkëshortes së tij dhe i njëjti në vazhdimësi i bënte presion Lulzimit ta hapte konkursi”, citoi prokurori Ibrahimi.

    Tutje, i njëjti ka vazhduar dëshminë e tij duke thënë se ishte në dijeni që ishte hapur konkursi por që nuk i kujtohet çka ishte biseduar para hapjes së tij.

    I pyetur nga prokurori Ibrahimi, dëshmitari Morina tha se i akuzuari Beha dhe kryeshefi Rexhepaj kishin pasur raporte të mira deri në momentin e punësimit të Lendita Behës.

    “Ruhan Behaj në cilësinë e drejtorit të bordit të “Trafikut urban” dhe Lulzim Bekaj në cilësinë e kryeshefit kanë pas shumë harmoni në mes veti dhe kur filloj çështja lidhur me kërkesat e Lendites për punësim erdh puna deri te lajmërimi i këtij rasti deri tek organet”, tha Morina.

    I njëjti shtoi se, ai ishte munduar të jetë ndërmjetësues mes të akuzuarit Beha dhe kryeshefit Rexhepaj për t’i qetësuar raportet pasi të njëjtit kishin mosmarrëveshje por jo me çështje të konkursit.

    Dëshminë Morina e ka vazhduar duke treguar për anulimin e konkursit, ku ndër të tjerash ka thënë se, ka qenë kryeshefi Rexhepaj ai që i ka thënë se ka marr vendim për ta anuluar konkursin.

    Sipas tij, ka pas një justifikim për anulimin, ndërsa arsyet kishin të bëjnë me konkursin.

    Sa i përket shkarkimit të Rexhepaj, dëshmitari ka thënë se, ka dëgjuar në komunikim nga të tjerët që i akuzuari Beha kishte kërkuar nga Florent Tahiraj që të përgatit një vendim për shkarkimin e  të lart cekurit.

    I pyetur nga prokurori Ibrahimi se nëse ka pasur presion ndaj Rexhepaj që do të shkarkohej pas anulimit të konkursit, i njëjti ka thënë se nuk kishin pasur takime përpos një takim zyrtar i mbajtur i bordit të “Trafikut Urban” që ishte normale për funksionim të ndërmarrjes.

    Në këto rrethana, meqenëse ishte koha e pauzës dhe gjykatësja Fatime Dërmaku kishte seancë pasdite, seanca e sotme u ndërpre ndërsa vazhdimi i së njëjtës u caktua më 27 mars të këtij viti.

    Ndryshe, Beha në shkurt të vitit 2020, ishte arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Ushtrim i ndikimit”.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 30 tetor 2020, Ruhan Beha në cilësinë e kryesuesit të Bordit të drejtorëve të NPT “Trafiku Urban”, në Prishtinë, në vazhdimësi nga shtatorit e deri në dhjetor 2019, kishte kërkuar nga vartësi i tij Lulzim Rexhepaj, i cili kishte pozitën e kryeshefit ekzekutiv, që t’ia punësojë bashkëshorten e tij Lendita Beha, e cila ka qenë e angazhuar si praktikante në entin për punësim.

    Sipas prokurorisë, i akuzuari Beha fillimisht kishte kërkuar që të hapet konkursi për pozitën e zyrtarit të IT-së e pas shpalljes së konkursit, kishte insistuar dhe drejtuar kanosje që bashkëshortja e tij të punësohet në këtë konkurs.

    Siç thuhet në aktakuzë, kur i dëmtuari Lulzim Rexhepaj më 23 dhjetor 2019, kishte marrë vendim për anulimin e konkursit, i pandehuri Beha kishte filluar iniciativën për shkarkimin e tij, duke e bërë draftin e vendimit për shkarkimin e tij dhe duke e kërcënuar se do të rrahë të dëmtuarin.

    Për këto veprime, Beha po ngarkohet me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragrafi 3, nënparagrafi 3.1 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark