Normat astronomike të interesit për kredi e dyshimet për financim e shpëlarje parash nga Rusia u bënë shkak që “IuteCredit” dhe “Monego” të mbesin pa licencë në Kosovë.
Gazeta inFokus ka mësuar detaje të pa publikuara deri më tani bazuar në dokumentet mbi të cilat ka vendosur BQK.
Në bazë të të dhënave që posedon edhe Prokuroria e Shtetit, hetimi për këto të dyja, nuk ishte sipërfaqësor, në fakt BQK, por edhe institucionet e sigurisë nisën hetimet për këto dy institucione mikrofinanciare kohë më parë.
Megjithëse në bazë të disa deklaratave dhe dokumenteve që kanë qarkulluar në medie është krijuar përshtypja se Banka Qendrore qëllimisht ua ka tërhequr licencat “IuteCredit” dhe “Monego”, mësohet se departamenti i Mbikëqyrjes Bankare në BQK kishte bërë dy ekzaminime mbi pajtueshmërinë e institucionit lidhur me operimin krahas planit të biznesit të aprovuar kur u regjistruan në BQK.
Të gjeturat nga ekzaminimi i parë që iu bë të dy institucioneve
Së pari ishte ekzaminuar “IuteCredit” me datë 17 maj 2018, shkruan gazeta inFokus.
Nga kjo në IuteCredit ishte ggjeturse në planin e biznesit “IuteCredit” kishte planifikuar që norma efektive e interesit për vitet 2017, 2018 dhe 2019 të ishte 34%, mirëpo gjatë ekzaminimit të kontratave me klientë ishte vërtetuar se në fakt kishte dallime shumë të mëdha, duke bërë që normat të jenë shumë më të larta.
BQK kishte gjetur se përllogaritja e interesit të rregullt nuk ishte bërë në pajtueshmëri me rregullorën e BQK-së për normën efektive të interesit e cila thoshte se ajo do të duhej të llogaritej mbi bazën e shumë së kredisë së aprovuar, shkruan gazeta inFokus.
Ndërsa, IuteCredit ka përllogaritur interesin e rregullt duke aplikuar normën e interesit mbi bazën e shumës së kredisë plus vlerën e komisioneve, duke bërë që shuma e interesit të jetë më e lartë se sa ajo që do duhej të dilte.
Tjetër shkelje ishte ajo se institucioni në fjalë përllogaritjen e të hyrave nga kamatëvonesa e kishte bërë duke aplikuar normën e kamatës ndëshkuese 0.6% në komplet këstin me vonesë duke përfshirë kryegjënë, interesin e tarifën për administrimin e kredisë, e jo sipas kushteve të përgjithshme të kontratës së kredisë ku huamarrësi do të duhej t’i paguante institucionit kamatëvonesën e kontraktuar për vonesën e pagesës së kryegjësë në bazë të kushteve “Përqindja e kamatëvonesës ditore është 0.6% dhe do të llogaritet mbi shumën e pa paguar të secilit këst në vonesë”.
Por, këto nuk ishin shkeljet e vetme të evidentuara, shkruan gazeta inFokus.
Kishte dallime në normën efektive të interesit të paraqitura nga institucioni dhe llogaritjes sipas metodologjisë në (vlerën fillestare të kredisë, shpërndarjen e vlerës së komisioneve deri në maturitet por edhe ndryshimin në qasjen matematikore të institucionit).
Të gjeturat nga ekzaminimi i “Monego” i realizuar me datë 3 shtator 2018:
Duke u bazuar në mostrat e kredive që BQK kishte ekzaminuar, institucioni kishte shpalosur normë efektive të interesit për kredi 462.9% ndërsa në fakt kur është llogaritur sipas rregullores së BQK-së, ka dalë shumëfish më e madhe, apo në total 1987%.
Pastaj njëjtë kishte ndodhur edhe kur institucioni kishte shpalosur 308.6, e sipas rregullores kishte dalë 845.7% dhe kur institucioni kishte shpalosur normën efektive 192% ajo kishte dalë 342.4%, shkruan gazeta inFokus.
Gjithashtu, rregullorja e BQK-së kërkon që në kontratë me klientë të paraqitet norma efektive e interesit e cila nënkupton koston totale të kredisë të paraqitur si normë vjetore e vlerës totale të kredisë dhe e llogaritur sipas metodologjisë së rregullorës, derisa institucioni kishte përllogaritur koston totale të kredisë të cilën në kontratë e ka shpalosur normën efektive të interesit sikur që të ishte normë nominale e interesit.
Shkelje tjetër e evidentuar ishte se në planin e biznesit të Monego që kishte dorëzuar në BQK, kishte planifikuar që norma efektive e interesit të ishte 26.8% për kreditë mbi 30 ditë, derisa bazuar në ekzaminimin e BQK-së është vërtetuar se këto kanë dallime shumë të mëdha.
Andaj, pasi nga ekzaminimi i parë u gjetën shumë shkelje si në “IuteCredit” ashtu edhe në “Monego, BQK kishte ndërmarrë masa ndëshkimore administrative.
Masat që BQK mori për Monego
BQK duke u bazuar në ekzaminimet e paraqitura më lartë, kishte vendosur që të ndëshkoj Monegon me 15 mijë euro dhe duke dhënë urdhër për të aplikuar normën efektive të interesit ashtu siç ishte paraqitur në planin e biznesit, shkruan gazeta inFokus.
Tutje, kishte urdhëruar shpalosjen e normës efektive të interesit dhe përllogaritjen e metodologjisë në pajtueshmëri të plotë me rregulloren.
Veç institucionit të cilin e dënoi dhe e urdhëroi për të respektuar rregullorën, BQK, bëri edhe vërejtje me shkrim për aksionarët, anëtarët e bordit e Kryeshefin Ekzekutiv të Monego-së, shkruan gazeta inFokus.
Masat që BQK mori për IuteCredit
Njëjtë sikur udhëheqësve të Monego ashtu edhe atyre të IuteCredit iu bë vërejtje me shkrim nga BQK.
Edhe IuteCredit u dënua me 15 mijë euro dhe u urdhërua që të të bëj shpalosjen e normës efektive të interesit në pajtueshmëri të plotë me rregulloren dhe aplikimin e normës efektive të interesit ashtu siç ishte në plan të biznesit.
Por, për dallim nga Monego, IuteCredit edhe u urdhërua të rimbursoi klientët për të gjitha të hyrat nga interesi i rregullt dhe kamatë vonesat që nuk ishin llogaritur, shkruan gazeta inFokus.
Por, si duket, as këto dënime e vërejtje nuk i bënë përshtypje as udhëheqësve e as institucioneve, shkruan gazeta inFokus.
Kështu, BQK, duke dashur të sigurohet nëse urdhërat e dhënë po respektohen nga institucionet në fjalë, filloi edhe një ekzaminim tjetër.
Ekzaminimi i II-të për IuteCredit
Prej 28 janarit të vitit 2019 e deri më 6 shkurt u krye ekzaminimi në IuteCredit, shkruan gazeta inFokus.
Këtu, nga ekzaminimi, sipas dokumenteve që i ka parë Gazeta inFokus, thuhet që IuteCredit kishte bërë ulje të pjesshme të normave të interesit krahasuar me planin e biznesit të dërguar në BQK me rastin e regjistrimit.
Aty kishte planifikuar që norma efektive e interesit për kredi të jetë 34% për vitet 2017, 2018 dhe 2019, mirëpo që nga ekzaminimi u vërtetuya që kredia me normën efektive më të ulët ishte dyfish më e madhe se ajo në plan, pra ishte 70.04%, ndërsa më e larta 112.9%, derisa mesatarja 82.11.
Kështu pavarësisht reflektimit duke zvogëluar normën efektive të interesit për kredi e cila ishte urdhëruar pas Ekzaminimit të I-rë, norma efektive e aplikuar e interesit kishte vazhduar me dallime të larta krahasuar me atë të paraqitur në planin e biznesit.
Ekzaminimi i II-të për Monego
BQK e realizoi edhe ekzaminimin e II-të në Monego, duke dashur të sigurohet nëse po respektohen urdhërat e saj, shkruan gazeta inFokus.
Por, ashtu sikur tek rasti i IuteCredit, edhe në Monego, doli që urdhërat e BQK-së nuk u respektuan.
Nga ekzaminimi prej 5 deri më 9 shtator të vitit 2019, doli se Monego bëri ulje të pjesshme të normave të interesit krahasuar me planin e biznesit ku kishte planifikuar që norma efektive e interesit për kredi të jetë 26.8%.
Por, nga ekzaminimi kredia me normën efektive më të ulët, duke përjashtuar ato pa interes ishte 81.05% e më e larta 332.97% duke përfshirë tarifën për shpërndarje të mjeteve të kredisë në para të gatshme, i cili do duhej të ofrohej me mundësi zgjedhjeje.
Revokimi i licencave të IuteCredit dhe Monego nga BQK
Kështu, duke parë që urdhërat nga BQK as IuteCredit e as Monego nuk i respektuan, me datë 27 shtator 2019, BQK i dërgoi IFJB Monego, Njoftimin për Qëllimin e Shqiptimit të Masave Ndëshkimore Administrative, shkruan gazeta inFokus.
Njëjtë, BQK këtë njoftim i a dërgoi edhe IuteCredit, kësaj em datë 13 shtator 2019.
Të dy këto u njoftuan përmes këshillës juridike për të drejtën e tyre për të bërë kërkesë për rishqyrtim te Divizioni për Ryshqyrtim në BQK, në afat prej 14 ditësh.
IuteCredit bëri kërkesë për rishqyrtim me 1 tetor, e Monego 10 ditë më pas, me 11 tetor, shkruan gazeta inFokus.
Kështu Divizioni për Rishqyrtim pas shqyrtimit të kërkesave të të dy institucioneve e pasi kishte administruar të gjitha provat në dispozicion, kishte konstatuar se shkeljet që u evidentuan në ekzaminimet e bëra qëndrojnë andaj kërkesat për rishqyrtim i vlerësoi si të pabazuara.
E këtyre vendimeve iu shtua edhe ajo se nga Institucionet e sigurisë ishte pranuar informacioni se aksionari i IFJB Monego dhe IuteCredit nuk është i përshtatshëm dhe i duhur.
Andaj më 6 dhjetor u mor vendimi për revokimin e regjistrimit të tashmë ish-IMF “IuteCredit Kosovo” Sh.A dhe ish-IFJB “Monego” Sh.A.