×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Dhjetëra hektarë | Denoncohet në Polici biznesmeni që në mënyrë të dyshimtë përvetësoi firmën e falimentuar sllovene

    Insajderi
    17 October 2024 - 12:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Naser Bytyqi, biznesmeni kosovar që tash ka nën kontroll firmën dikur sllovene, “Tehno Invest” është denoncuar në Polici- Krimet Ekonomike. Denoncuesi po pretendon që ai e përvetësoi këtë firmë me falsifikim dhe atë në periudhën kur kompania amë në shtetin slloven ishte në procedurë falimentimi dhe nuk i lejohej të bënte operacione ekonomike. Me ndryshimet në Regjistër të Bizneseve, dyshohet se ka përfituar dhjetëra hektarë tokë. Në kohë të përafërt të ndryshimeve, Gjykata në Slloveni dënoi drejtorin e firmës, Boris Klancnik, pasi që jashtëligjshëm dëmtoi kompaninë duke përfituar 2.1 milionë euro

    Visar Duriqi

    Në vitin 2013  firma sllovene “Tehnopolic”, pas një kohe jo të shkurtër operimi, kishte shkuar në falimentim. Mungesë fondesh të qasshme- ishte arsyeja. Tutje, operacionet e fundit ekonomike të saj do ti merrte përsipër një likuidator i caktuar nga shteti slloven, deri në përfundim të të gjitha detyrimeve.

    Firma ka pasur edhe një degë të saj në Kosovë, të regjistruar si “Tehno Invest”, dhe agjenti i regjistruar i saj figuronte biznesmeni kosovar, Naser Bytyqi.

    Likudimi i firmës në Slloveni po vazhdonte, por çka ndodhi me pronat që dega e saj në Kosovë, “Tehno Invest” kishte blerë?

    Një denoncim në Policinë e Kosovës, Departamenti i Krimeve Ekonomike është dorëzuar javën e kaluar e që ngrit pretendime serioze se dikur agjenti i regjistruar, Naser Bytyqi, në mënyrë të kundërligjshme ka përvetësuar firmën- rrjedhimisht edhe pronat që u krijuan kur firma po operonte normalisht në Slloveni, e edhe dega në Kosovë.

    Dhurimi i dyshimtë i aksioneve | Historiku i ndërrimeve në ARBK derisa firma ishte në likuidim

    Në këtë denoncim, një kopje të të cilit e ka siguruar Gazeta Insajderi, pretendohet se biznesmeni Naser Bytyqi ka falsifikuar dokumente me anë të të cilave nga agjent i regjistruar i firmës bëhet pronar i saj, dhe pretendohet se në thelb ia fali vetës aksionet.

    “Ekziston dyshimi i arsyeshëm se më datën 20.02.2019 i pandehuri Naser Bytyqi në cilësinë e personit përgjegjës, me dashje dhe me anë të paraqitjes së rremë të fakteve, e me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo personin tjetër, ose për t’i shkaktuar dëm material personit tjetër, në mënyrë të kundërligjshme dhe pa autorizim, dhe me dokumente të falsifikuara transferon aksionet e biznesit Tehno Invest me numër biznesit 70732440 duke dorëzuar ne ARBK “vendim për ndryshimin e statutit” ku i pandehuri në datën e cekur, ndryshon statutin e Kompanisë Tehno Invest, duke përjashtuar pronarin “Tehnopolis d.o.o., me numër te biznesit 2124742000, i cili kishte 100% te aksioneve në kompanin “Tehno Invest në Kosovë”, thuhet në denoncim.

    Njëkohësisht, sipas denoncimit, Naser Byryqi largon drejtorin menaxhues, Zlatko Zupanc, nga Sllovenia, ashtu që “i pandehuri vendos vetën si drejtor të vetëm menaxhues, dhe aksionar me 100% të të drejtave, e gjitha kjo me qëllim të anulimit të kontratave të cilat ishin nënshkruar nga pronarët e Tehno Invest, kur ishte nën ombrellën e korporatës Tehno Polis d.o.o. Celje, Slloveni, më saktësisht të kontratës për shitblerjën e pronës e datës 02.05.2012 në mes të Tehno Invest dhe të avokatit, tani të ndjerit Muhamet Shala, dhe përvetësimit të kësaj prone, ku prona një fjalë është shitur dhe regjistruar në kadastër”, thuhet në denoncim dhe i bëhet me dije Krimeve Ekonomike se me ktë Buytyqi dyshohet se ka kryer veprën penale të mashtrimit.

    Denoncuesi tutje i tregon Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës se me veprimet që bëri në Agjencinë e Regjistrimit të Biznesve, Naser Bytyqi, në vitin 2019, “ka falsifikuar vulën dhe nënshkrimin e kompanisë Tehnopolis d.o.o. Celje, Slloveni,  me numër te biznesit 2124742000, me qëllim që procesi i transferimit të aksioneve të kaloj tek i pandehuri, duke shmangur faktin se korporata Tehno Polis d.o.o. Celje, Slloveni, ishte ne proces te falimentimit dhe si rrjedhojë, lëshimi i vulave e nënshkrimeve nuk do të mund të ndodhte  pa aprovimin e gjykatës Celje në Slloveni”.

    Sipas këtij dokumenti të deponuar në Polici, biznesmeni Bytyqi së pari falsifikon vendim për ndryshimin e statutit duke vendosur veten si aksionar i vetëm, pastaj, vazhdon duke falsifikuar “Kontratë mbi Dhurimin e Aksioneve” e datës 20.02.2019, “duke transferuar në mënyrë të kundërligjshme aksionet tek vetja, dhe pastaj, për të mbrojtur veprimet e tij, i pandehuri falsifikon një dokument për “tërheqje të korporatës Tehno Polis d.o.o. Celje Slloveni” nga kompania Kosovare Tehno Polis Sh.p.k, duke shënuar datën e vendimin për tërheqje në vitin 2012 dhe duke vendosur nënshkrimin dhe emrin e drejtorit Boris Klancnik i cili në atë kohë nuk ka qenë drejtor i kompanisë Sllovene”,, thuhet në denoncim dhe pretendohet se Bytyqi me këtë veprim ka kryer veprën penale ‘rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve’.

    1.1 milionë euro për pikturat që kushtuan 250 euro

    Mediat sllovene kanë raportuar se në shkurt 2020 Boris Klancnik, ish-drejtori i kompanisë së falimentuar Tehnopolis nga Celje, ishte dënuar për shpërdorim të detyrës pasi që u provua me fakte që i shkaktuar Tehnopolis-it një dëm prej 2.1 milionë eurosh dhe Gjykata e Rrethit Celje e dënoi me një vit e dhjetë muaj burg

    Sipas vendimit të publikuar në mediat sllovene, Klancnik u jepte hua kompanive të ndryshme nga Kroacia, të cilat kompanitë nuk ia kthyen dhe si drejtor i Tehnopolis, ai miratoi kredi afatshkurtra për firma në të cilat del që vet ka qenë drejtor.

    Organet e drejtësisë atë e zunë po ashtu duke shitur aksione të “Technopolis” për të blerë vepra arti të shtrenjta të piktorit francez Auguste Renoir dhe pikurën “Peizazhi pranë ujit” nga Alfred Sisley në vlerë prej 1.1 milionë eurosh, por ato dolën që ishin të falsifikuara dhe kushtuan vetëm 250 euro.

    Tehnopolis falimentoi në vitin 2013. Falimentimi u propozua nga menaxhmenti i udhëhequr nga Saša Lavrič, përkatësisht për shkak të mungesës së likuiditetit të vazhdueshëm, falimentimit afatgjatë dhe pamjaftueshmërisë së kapitalit. Pronarët e Tehnopolis ishin RITS, kompania CM Celje, RRA Celje dhe Komuna Celje dhe donin të krijonin një qendër ekonomike me park teknologjik për zhvillimin më të shpejtë të këtij rajoni të Savinjës.

    Likuidatori ngre dyshime serioze për tokat e firmës sllovene në Kosovë

    Në denoncimin e bërë në Polici- Krimet Ekonomike është deponuar edhe një dokument shtesë që vije nga Sllovenia dhe është një komunikim me personin që shteti slloven e caktoi që ta likuidonte “Tehnopolic”-in, Rok Sodin.

    Sipas denoncimit, ekzistojnë dyshime të bazuara për falsifikim dokumentesh nga ana e biznesmeni Naser Bytyqi, dhe paraqitje e rreme lidhur me pronësinë dhe administrimin e kompanisë Tehno Polis d.o.o. Celje Slloveni, dhe aseteve të saj në Kosovë.

    “Avokati Grega Peljhan paraqet dokumente të datës 20.02.2019 që pretendojnë se Tehnopolis është dhuruar nga z. Zlatko Zupanc te Naser Bytyqi, por administratori i falimentimit, z. Rok Sodin, pohon se nuk ka qenë në dijeni të këtij ndryshimi pronësie dhe nuk ka nënshkruar asnjë dokument lidhur me Tehno Invest apo ndonjë pronë në Kosovë. Ky fakt ngre dyshime se dokumentet janë falsifikuar dhe se përfaqësimi i kompanisë nga Zupanc është i rremë, pasi vetëm administratori i falimentimit mund të përfaqësojë Tehnopolis”, thuhet në dënonim.

    Në dokumentin e lëshuar nga likuidatori i shtetit slloven për “Tehnoinvste” thuhet madje që pasi që u mor vesh që dega në Kosovë paska pasur prona, dhe nëpër procese gjyqësore po diskutohen ato, e procese ka të hapura edhe në vitin 2024 në Kosovë.

    Por, çka gjeti likuidatori atje?

    “Arsyeja kryesore e gjithë procedurës së hetimit ishte të përcaktonte nëse debitori I falimentuar ka ndonjë pasuri në dispozicion në territorin e Republikës së Kosovës. Nuk ishte e mundur për të zbuluar dhe vërtetuar ndryshe, as drejtpërdrejt dhe as indirekt, në lidhje me pasurinë e paluajtshme që pretendohet se është në pronësi të debitorit të falimentuar, këto nuk janë vërtetuar në certifikatat e të drejtave të pasurive të patundshme, por rrjedh se pronari i Tehnopolis d.o.o. (tani Tehnopolis d.o.o. në falimentim) është vetëm pronar i pasurive të patundshme në komunën kadastrale të Skenderaj nën emrin e kompanisë Tehno Invest Sh.p.k. megjithatë, thuhet se është pronar edhe i 3 parcelave në komunën kadastrale të Shtimes. Nuk dihet se kush është pronari aktual, sepse pasuria e paluajtshme në fjalë është e braktisur dhe si e tillë përfaqëson tokën e gjendur në natyrë, pa asnjë infrastrukturë, dhe madje qasja aty është e kufizuar, gjithashtu edhe për këmbësorë”, thuhet në përgjigjen e Rok Sodin.

    Ai ka dhënë edhe një sqarim shtesë, lidhur me atë se a pati të drejtë ndryshimi aksioneve e që rezulton më përfitom pronash.

    “Sa për kompanitë me të cilat debitori I falimentuar supozohet të jetë i lidhur direkt ose indirekt ose në çfarëdo mënyre – pjesëmarrja në biznes ose financiar, mund të përcaktohet që disa prej tyre janë regjistruar edhe në regjistrin e biznesit, por në selinë e regjistruar aty nuk ushtrohet asnjë veprimtari; dhe as nuk ka mundësi që aty të ushtrohet ndonjë biznes. Sidoqoftë, gjatë marrjes në pyetje midis subjekteve të regjistruara dhe ndoshta në favor të tyre të drejtat e regjistruara të pronës së paluajtshme në investimet në pasuri të paluajtshme, përcaktohet që nëse ekziston një pasuri e tillë e paluajtshme, as debitori I falimentuar dhe as ndonjë operator i lidhur personalisht me ta nuk janë në ndonjë marrëdhënie, e as nuk kanë pasur ndonjëherë raporte të tilla (p.sh. si zyrtar ligjor ose kreditor, etj….)”, thuhet në përgjigjen e Rok Sodin.

    Gazeta Insajderi e ka pyetur biznesmenin Naser Bytyqi për këtë denoncim, dhe i njëjti ka premtuar se do të kthejë përgjigje, por deri tani nuk e ka bërë atë.

    Gazeta Insajderi e ka kontaktuar edhe Gjykatën Komerciale, ku gjykatësi Gent Bekeri po e shqyrton një rast ku Naser Bytyqi ka kërkuar prishjen e një kontrate të vërtetuar në gjyq në vitin 2013, e me çka do ti merrte në kontroll edhe mbi 17 hektarë të tjerë.

    Gjykatësit i është dërguar edhe denoncimi që është bërë në Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës, por edhe një palë ndërhyrëse në procedurë e ka njoftuar atë, e megjithatë deri tash Gazeta Insajderi nuk ka marrë ndonjë koment nga kjo Gjykatë nëse ka qenë në dijeni për pretendimet që bartja e aksioneve nga paditësi është bërë në mënyrë të dyshimtë. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark