×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    “Dialogu ‘i brendshëm’ me serbët është më i frytshëm sesa ai në Bruksel” – Gowing shpalos shumëçka për Insajderin

    Insajderi
    29 January 2023 - 21:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Angazhimi im nuk ka qenë për arsye politike sepse kurrë nuk kam qenë anëtare e asnjë partie politike”, thotë Elizabeth Gowing, e cila në dhjetor të vitit 2021 u emëruar si këshilltare politike për çështjet e Komuniteteve në Kosovë.

    Në një intervistë për Gazetën Insajderi, Gowing ka rrëfyer detaje të shumta rreth pozitës së saj si këshilltare dhe arsyet që e shtyen atë të pranonte ta merrte këtë post.

    Siç shpjegon ajo, edhe pse vet nuk vjen nga komunitetet jo shumicë, qëllimi i saj është që t’i hap kanalet e komunikimit mes këtyre të fundit dhe Qeverisë e kryeministrit Kurti.

    Gowing tha se dialogu me qytetarët serb të Kosovës ka vazhduar njësoj edhe pas hendekut institucional të krijuar në pjesën veriore të vendit

    Ndër tjerash, ajo bën të ditur se po punon për punësim më të gjerë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

    Gowing ka komentuar edhe lidhur me interpretimin se ‘serbët e Kosovës në përgjithësi janë të instrumentalizuar nga Beogradi‘. Ajo thotë se ka prej atyre që flasin kundër qeverisë së Vuçiqit.

    Sipas saj, dialogu “i brendshëm” me serbët është më i frytshëm sesa ai në Bruksel.

    Intervista e plotë:

    Gazeta Insajderi: Ju janë bërë vite prej se jetoni e veproni në Kosovë, në ketë kontekst a keni bërë një vlerësim mbi atë sa ju ka shërbyer angazhimi këtushëm në përmbushjen e juaj, qoftë nga ana shpirtërore apo profesionale?

    Gowing: Ndihem shumë me fat që jam gati 17 vite tash në Kosovës dhe me më shumë se 4 vite nënshtetësi. Kam përfituar shumë shoqëri dhe ide të mira. Mundësitë që më janë dhënë për me kontribu këtu – qoftë përmes shoqërisë civile, ose tash për një vit në Qeveri – kurrë nuk kanë qenë pjesë e planit tim. Qëllimet e mia personale janë gjithmonë për zhvillim personal – për zbulimin e horizonteve të reja – dhe Kosova me ka ofruar këto sende, dhe jam shume mirënjohëse për ketë.

    Gazeta Insajderi: Çfarë e ka determinuar angazhimin e juaj si këshilltare në qeverinë e Republikës së Kosovës? 

    Gowing: Jam ftuar nga kryeministri me iu bashkëngjitë kabinetit të tij të këshilltarëve me përgjegjësi për çështje të komuniteteve. Për rreth 14 vite pata punuar me komunitetet përmes OJQ-se “The Ideas Partnership” që e kam bashkëthemeluar me bashkëshortin, pra kam pasur një ide të problemeve me të cilat përballohen komunitetet por edhe kam dëshmue qe ka qasje efektive për adresimin e sfidave te tyre. Kur Kryeministri më ka ofrue ketë pozitë, ai me ka propozue me i zgjerue arritjet që kam pasur deri atëherë, si dhe fryma e punës sime – për transparencë, për drejtësi – jo vetëm në projektet që ka pasur OJQ por edhe në krejt Kosovën dhe kjo më ka motivue me pranue pozitën.

    Megjithatë, nuk jam vete prej komuniteteve, pra qëllimi im ka qenë m’i hape kanalet e komunikimit për komunitetet jo shumicë në Kosovë me qeverinë dhe me kryeministrin. Jam krenare që kemi gjetë disa mënyra me bë këtë – për shembull përmes tryezës rrumbullakët mujore qe ka pasur Kryeministri me çdo komunitet ku ka pasur mundësi me folë me përfaqësuese politikë, me shërbyes civilë, me shoqërinë civile, për identifikimin e sfidave kryesore dhe për mundësitë për bashkëpunim më të fortë. Ose në vizitë tek komunitet qe ka b[ kryeministri për me ndigjue drejtpërdrejt nga terreni për jetën, arritjet dhe brengat e komuniteteve – qofshin romet e Prizrenit, ashkalinjtë e Fushë Kosovës, kroatët e Janjevës ose të tjerët. Gjithashtu në dialog të qeverisë me qytetarët serbë të Kosovës, kemi arritë komunikim përmes takimeve të rregullta me OJQ-të, me media në gjuhën serbe në Kosovë, me biznese dhe të tjera.

    Angazhimi im nuk ka qene për arsye politike sepse kurrë nuk kam qenë anëtare e asnjë parti politike, as ne Angli as ne Kosove. Kam mësue shume për boten politike gjatë kësaj periudhe por ma së shumti kam mësue që qëllimet e qeverisë dhe të shoqërisë civile janë të njëjta – përmirësimi i jetës së qytetareve. Prandaj të njëjtat motivime më kanë energjizue në punë me qeveri si ne punën e maparshme.

    Gazeta Insajderi: Cilat janë projeksionet e juaja te cilat pretendoni t’i sendërtoni në kapacitetet e këshilltares së ekzekutivit kosovar?

    Gowing: Bashkë me aktivitetet e lartpërmendura jam duke punuar në:

    • Bashkëpunim me Komisionarin për Gjuhët për promovimin e te dy gjuhe zyrtare të Kosovës – shqip si dhe serbisht, punësim më të gjerë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, punë me Zyrën për Çështje te Komuniteteve brenda Zyrës se Kryeministrit për ndarjen e granateve për OJQ dhe mediat për komunitetet në mënyrë transparente dhe me llogaridhënien si dhe rifunksionalizimin e Komisionit për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti në Mitrovicën e Veriut, ku unë jam emërtue si Kryesuesja nga kryeministri.

    Besoj që këto aktivitete janë praktike dhe te nevojshme për komunitetet e Kosovës.

    Gazeta Insajderi: Si e shihni ju raportin e Qeverisë së Kosovës me minoritetin serb, sidomos pas hendekut institucional të krijuar në pjesën veriore të vendit, ku pati dorëheqje në masë  nga institucionet e vendit.

    Gowing: Puna ime për dialogun e qeverisë me qytetarët serbë të Kosovës ka vazhdue edhe para edhe mbas tërheqjeve nga disa prej institucioneve. Faktikisht, kam kuptuar që kur u tensionua situata, ka pasur gatishmëri më shumë për bisedë sepse njerëz – edhe nga politika, edhe nga shoqëria civile, edhe qytetarë të thjeshtë – kanë kuptue sa është me rendësi që diskutimet të vazhdojnë dhe të kuptojmë njëri-tjetrin.

    Gazeta Insajderi: Si e shihni ju interpretimin se serbët e Kosovës në përgjithësi janë të instrumentalizuar nga Beogradi, dhe (s)a qëndron kjo?

    Gowing: Kur ndigjoj zërat prej serbeve në veri te Kosovës që flasin haptazi kundër qeverisë së Vuçiq, mendoj që janë njerëz të guximshëm. E dimë të gjithë mënyrat që ka Beogradi për shfrytëzimin e serbëve të Kosovës dhe e kuptoj presionin që ka për njerëzit që duhen me mbajte familjet e tyre në një situate të vështire. Gjithashtu, prej dialogut që kemi me shoqërinë civile, me mediat, me komunat me shumicën serbe dhe me bizneset serbe e dimë cilat janë brengat dhe sfidat reale për komunitetin serb, dhe kërkesat që mundemi m’i përgjigje për me sigurue që serbët, si të gjithë qytetarët e Kosovës, të ndihen rahat në këtë vend që është, sipas Kushtetutës tonë, shtet multietnik

    Gazeta Insajderi: A ka realisht “dialog prej poshtë-lartë” me këtë komunitet siç ka qenë edhe motoja e Kryeministrit Kurti ?

    Siç mundesh me kuptue prej përgjigjeve paraprake, dialogu ekziston – ne nivel të komunave me shumicën serbe, për zgjidhjen e problemave në nivel komunal me institucionet qendrore; gjithashtu ne nivel të OJQ-ve (unë vetë jam takue me 30 përfaqësues serbë të shoqërisë civile në Kosove gjatë vitit të kaluar, dhe kryeministri ka mbajtë takime me përfaqësues të shoqërisë civile serbe në Kosovë, dhe Zv. Kryeministrat Bislimi dhe Redzepi kanë mbajtë edhe takime të tjera); por edhe me biznese serbe ose me staf multietnik, dhe me mediat serbe (Gjithsej jemi takue me 14 përfaqësues të mediave serbisht folës të Kosovës). Kemi hapur kanalet e komunikimit edhe me Kishën Ortodokse Serbe.

    Mendoj që shpesh ka keqkuptim për dialog të brendshëm sepse nuk është dialog njëjtë siç është ‘dialog’ në Bruksel me palët e mbledhur rreth një tavolineje. Besoj që dialogu që po e mbajmë në mënyrë te brendshme është ma i frytshëm dhe ndodhe me akterë me ma divers, në lokacione te ndryshme. Gjithashtu, nuk mbahet nën dritat e mediave. Faktikisht, me kërkesë të palëve serbe, është shume rrallë qe ndajmë informata për njerëz me të cilët qeveria takon për këto biseda. Njerëzit frigohen për hakmarrje apo për pasojat për ata vete si individ, si organizate, ose për familjaret e tyre, pra shumica e takimeve mbahen me ‘Chatham House rules’ për konfidencialitetin, pa foto dhe pa deklarate për mediat.

    Gazeta Insajderi: Nga prizmi juaj, si një intelektuale dhe avokuese e të drejtave dhe lirive të njeriut, a kundroni se modeli (afirmativ)i trajtimit të komuniteteve i aplikuar nga Qeveria e Kosovës duhet të praktikohet nga qeveria e Serbisë karshi qytetarëve shqiptarë të atjeshëm.

    Gowing: Me ka ardhë mirë që jam takue me shqiptarët e Serbisë dhe kam pas mundësi me kuptue prej tyre si është situata atje për komunitetet jo shumice, edhe pse çka kam ndigjue prej tyre me ka ardhë keq.

    Si lobuese për të drejtat e njeriut, kuptohet që punoj që të drejtat të respektohen gjithkund, por po fokusohem në punën e qeverisë sonë, dhe gëzohem qe jam këshilltare e kryeministrit Kurti dhe jo e kryeministres Brnabic.   

    *Shënim – znj. Elizabeth Gowing është përgjigjur në gjuhën shqipe.

    Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark