×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Dietologia: Kjo mënyrë e të ushqyerit gjatë Ramazanit mund të sjellë dëme shëndetësore, kujdes syfyrin

    Insajderi
    22 March 2023 - 13:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Nesër do të fillojë muaji Ramazan, në të cilin praktikantët e fesë islame do të agjërojnë prej lindjes deri në perëndim të diellit.

    Në lidhje me ndryshimin e menjëhershëm të stilit të të ushqyerit, dietologia, Vala Pupovci, për Insajderin ka treguar cilat janë mënyrat më të mira për tu përballur me një situatë të tillë.

    Vala Pupovci

    Sipas saj konsumimi i syfrit është shumë i rëndësishëm për të përgaditur organizmin për agjërim.

    “Me rëndësi është konsumimi i syfyrit, i cili ka komponentë ngopjen dhe hidratimin. Këto komponentë janë ushqimet e pasura me proteina(veza, produktet e qumështit, peshku apo mishi), ushqimet e pasura me fibra(frutat, perimet, fasulet, drithërat integrale si buka e zezë, tërshëra apo orizi integral), si dhe ushqimet e pasura me yndyrë(vaji i ullirit, avokado, arroret, gjalpi i kikirikave) dhe gjithsesi uji, çaji apo pijet tjera pa kalori. Kur shujta e Syfyrit është e bollshme, si dhe e pasur me këto komponentë, menaxhimi i urisë dhe etjes sigurisht që do të jetë më i lehtë’, ka deklaruar ajo.

    Pupovci ka paralajmruar se nëse individi që agjëron nuk merr kaloritë e duhura ditore mund të ketë dëme shëndetësore.

    “Është e kuptueshme se koha e limituar kur lejohet konsumimi i ushqimit gjatë Ramazanit, e bën më të vështirë konsumimin e sasive të mëdha të ushqimit, si dhe shujtave më të shpeshta. Megjithatë, kur kjo bëhet në mënyrë të qëllimshme, dhe sasia e ushqimit limitohet aq shumë, sa një person nuk merr kaloritë apo lëndët tjera ushqyese minimale ditore për të mbështetur funksionet trupore, atëherë kjo mund të sjellë disa dëme shëndetësore”.

    “Një prej tyre mund të jetë energji shumë e ulët gjatë ditës, si rrjedhojë e uljes së madhe së shtypjes së gjakut apo nivelit të sheqerit në gjak apo mungesë e lëndëve ushqyese si vitaminat dhe mineralet. Njëkohësisht, mund të shfaqen probleme me tretjen – kapsllëkun si pasojë e marrjes jo të mjaftueshme të ushqimeve që janë të pasura me fibra. Dhe, nëse kjo ulje e tepërt e sasisë së ushqimit vazhdon për një kohë më të gjatë, trupi mund të fillojë shfrytëzimin e masës muskulore për energji, gjë që rezulton në humbje të masës së muskujve”, ka thënë ajo për Insajderin.

    Pupovci ka treguar gjithashtu edhe për përfitimet e agjërimit.

    “Në studime është vërejtur se agjërimi ndihmon edhe në uljen e nivelit të sheqerit në gjak, shtypjes së gjakut dhe kolesterolin në gjak. Përderisa ushqehemi shëndetshëm gjatë kohës kur lejohet konsumimi i ushqimit, dhe sigurohemi që marrim të gjitha vlerat ushqyese të nevojshme, poashtu, hidratohemi mjaftueshëm me ujë apo çajra, nuk ka ndonjë disavantazh nëse agjërojmë”, ka shtuar dietologia.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark