Fatmir Haxholli, sekretar i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, ka thënë se ka refuzuar ta nënshkruajë një gjobë të autoriteteve serbe ku në shkresat nga dokumenti identifikues i tij në vend të “Republika e Kosovës” e kanë shkruar “Republika e Serbisë”.
Haxholli një gjë të tillë e ka denoncuar në ‘Facebook’, i cili sqaron se një gjobë e tillë i erdhi “gjoja për tejkalim shpejtësie, për 15 km/h”.
“Sot autoritetet policore (mbrojtja e afërt) dhe ato kufitare serbe, në koordinim, duke dashur të më provokojnë dhe vendosin në lajthitje, në vend se siç parashihet me marrëveshje, të më ofrojnë trajtim preferencial në pikëkalimin kufitar, më ofruan për nënshkrim një dokument, gjoja gjobë për tejkalim shpejtësie, për 15 klm/h”, thotë ai.
“Sidoqoftë, qëllimi i vërtetë i kësaj qasje të pa pranueshme ishte që përmes mashtrimit dhe lajthitjes, siç edhe kërkuan, të marrin nga unë nënshkrimin tim nga pozita zyrtare, në një dokument zyrtar serb, ku në shkelje flagrante ndaj dokumentit identifikues, numrit të letërnjoftimit të Republikës së Kosovës, ishte shkruar R. Serbisë”, vijon postimi i tij.
“Normalisht unë protestova ashpër ndaj kësaj qasje fyese dhe manovruese, duke ua sqaruar që ndonëse gjoba është shqiptuar në shkelje të ligjeve të tyre, unë do ta nënshkruaja çfardo dokumenti ku referenca është e saktë, pra nëse autoritetet serbe e vendosin saktë: Fatmir Haxholli, zyrtar, respektivisht diplomat i Republikës së Kosovës”. /Insajderi.org/