×
  • Lajme
  • Lajme

    Diplomë të pavulosur dhe të panënshkruar – Si u bë tezakja e presidentes u.d. rektore e UP-së?

    Insajderi
    27 October 2022 - 15:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” e ka emëruar të premten që shkoi ushtruese të detyrës së rektorit, Luljeta Plakolli-Kasumin, për të cilën u raportua se është vajza e tezës së presidentes Vjosa Osmani.

    Përderisa ajo u zgjodh për ta zëvendësuar Naser Sahitin, diploma e saj po qëndronte e panënshkruar në një tavolinë në Rektorat, duke e pritur nënshkrimin e tij.

    Demokracia.com ka siguruar diplomën e u.d. rektores Plakolli-Kasumi, e cila mban vetëm nënshkrimin e dekanit të Fakultetit Juridik, Avni Puka.

    Nuk dihet pse diploma e doktoraturës së u.d. rektores ka mbetur e pa nënshkruar dhe e pavulosur, por ndërmarrja e ndonjë veprimi për nënshkrim prej anës së saj do ta vinte para një konflikti të interesit.

    Sipas nenit 129 të Statutit të UP-së, dokumenti i diplomës së doktorit të shkencës përmban:

    1.1. Emrin e Universitetit;
    1.2. Emrin e njësisë akademike ku është mbrojtur punimi i disertacionit;
    1.3. Emrin, mbiemrin, datën dhe vendin e lindjes së kandidatit;
    1.4. Titullin e punimit të disertacionit;
    1.5. Datën e mbrojtjes së punimit të disertacionit.
    2. Dokumenti i diplomës nënshkruhet nga rektori dhe dekani i njësisë akademike ku
    është mbrojtur me sukses punimi i disertacionit.
    3. Dokumenti i diplomës vërtetohet me vulën e Universitetit.
    4. Forma dhe elementet tjera të dokumentit të diplomës do të përcaktohen në një
    rregullore të veçantë të nxjerrë nga Ministria.

    Demokracia.com nuk ka arritur të konfirmojë nëse mungesa e nënshkrimit nga rektori dhe e vulosjes e vë në pikëpyetje edhe validitetin e diplomës së saj, pasi që ajo praktikisht mund të shërbehet edhe vetëm me certifikatë.

    Megjithatë, pozitive është se tezakja e presidentes Vjosa Osmani ka notë më të lartë mesatare se ministrja Arbërie Nagavci dhe studimet i ka kryer me kohë.

    Për ta verifikuar këtë çështje, Demokracia.com ka tentuar të komunikojë me u.d. rektoren Plakolli-Kosumi, por telefoni i saj nuk kishte qasje në rrjet.

    Demokracia.com ka kontaktuar edhe me rektorin e shkarkuar, Naser Sahiti. Ai ka thënë se nuk i kujtohet nëse e ka nënshkruar diplomën e Plakolli-Kasumit dhe nuk e mban mend, sepse emri i saj nuk ka qenë i njohur për të.

    “Jo, nuk e di. Kjo është çështje e administratës, e kam të pamundur me mbajt mend. Normal do të duhej me pas (diplomën e nënshkruar) konkretisht nuk mundem me konfirmu. Kam nënshkruar me mijëra diploma dhe kjo nuk ka qenë ndonjë emër që ta mbaj mend. Është çështje ligjore, është dilemë. Është problem pastaj edhe çështja e thirrjes. Nuk po mund ta besoj se është ashtu”, ka thënë ish-rektori Naser Sahiti për Demokracia.com.

    E doktoratura e Plakolli-Kasumit u diskutua edhe nga ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-rektori i UP-së, Enver Hasani. Ai e ka akuzuar për plagjiaturë ushtruesen e detyrës së rektorit.

    Mes tjerash, Hasani e akuzoi Plakollin për “nivel të ulët dhe plagjiat” në punimin e saj për doktoraturë.

    “Me kërkesën dhe lutjen e dekanit, ne e lëshuam me kërkesën që në dosje me pas një temë tjetër sipas vërejtjeve… Bile unë i thashë ky as punim seminarik nuk është, jo për doktoraturë. Tmerr!”, tha ai në T7.

    “Pas kërkesës së dekanit, kam besuar që do të bëhet një frymë më ndryshe, po kjo ndërhyrje ishte shqetësimi im i parë. E dyta, para 3-4 muajsh thanë është duke u bërë një reformë. Disa kolegë më thirrin, më thonë po do me ma hjek lëndën dhe unë i thashë që kjo është logjikë e rrugës. Kjo më çoi mu me këqyrë profilin psikologjik… E këqyra doktoratën e tij për përgjegjësinë penale. Përmbi 50 për qind është plagjiat brutal e disa autorëve shqiptarë”, shtoi Hasani.

    Sipas tij, referencat nuk janë të autorëve që i ka cituar ajo në punim.

    Demokracia.com, ka bërë përpjekje të shumta që të kontaktojë me Pllakolli-Kasumin, por e njëjta nuk i është përgjigjur telefonatave. Po ashtu nuk ka kthyer përgjigje as përmes SMS-it, deri në publikimin e shkrimit.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark