14:27 - 25 Qershor 2022

Kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, në një takim pune me kryetarët e nënkryetarët e komunave të Kosovës, diskutoi për “Të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe investimet”. Takimi është organizuar nga zëvendëskryeministrja Emilija Redžepi. Në sesionin e parë të takimit u diskutua për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, me theks te zbatimi i të drejtave të komuniteteve pakicë.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti shprehu kënaqësinë që së bashku me udhëheqësit e komunave do të diskutojnë tema që kanë rëndësi fundamentale për shtetin, shoqërinë në përgjithësi dhe qytetarët.

Kurti tha se përkushtimi i tij për krijimin e një klime të respektimit maksimal të të drejtave të njeriut, dëshmohet edhe përmes organizimit të sotëm, ku siç tha ai, megjithëse nuk është data 10 dhjetor e Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut, theksi po vendoset për veprimet që kanë ndërmarrë deri tani e ato që duhet t’i ndërmarrin përpara, për, siç tha, shënuar më shumë progres dhe të rriten hapat në fushën e të drejtave të njeriut.

“Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, mësimet e saj dhe detyrimet që derivojnë nga ajo, mbesin referencë e çdoditshme e jona dhe e punës tonë. Ato na shërbejnë si udhërrëfyes për secilin vendim tonin. E pra, synimi më i mirë për mbrojtjen, garantimin dhe përmirësimin e të drejtave të njeriut për ne është burim i çdo vendimi, si dhe shkak i çdo veprimi”, tha kryeministri Kurti.

Më tej, kryeministri theksoi se janë të vetëdijshëm dhe se vazhdimisht i kanë në mendje maksimat e aktivistëve të paepur, që me shembujt e tyre, me thëniet e tyre ikonike si “ekzistimi i padrejtësisë diku është kërcënim për drejtësinë kudo” apo “mohimi i të drejtave njerëzore është cenim i drejtpërdrejtë i vetë qenies njerëzore” na e kanë trasuar rrugën prej së cilës as nuk mund e as nuk duam të dalim, sepse në fakt nuk ka rrugë tjetër.

“E infrastrukturë kyçe e kësaj rruge të duhur është një sistem i drejtësisë i cili duhet të sigurojë e të përkujdeset për aplikim të gjithmonshëm të rendit e të ligjit. Kjo është arsyeja pse drejtësia është njëri nga dy prioritetet tona dhe opinionet e javës së kaluar nga Komisioni i Venecias për dy çështjet më integrale lidhur me të, na treguan se reforma e hartuar nga ana jonë është edhe adekuate edhe e nevojshme”, tha kryeministri Kurti.

Në sesionin e parë folën edhe zëvendëskryeministrja Emilija Redžepi, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu si dhe kryetarët e nënkryetarët e komunave. Zëvendëskryeministrja Redžepi, në fjalën e saj theksoi domosdoshmërinë e respektimit të të drejtave të komuniteteve pakicë, të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, krijimin e kushteve për lëvizje të lirë dhe për punësim.

Ministrja Haxhiu kërkoi nga udhëheqësit komunalë angazhim edhe më të madh në zbatimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut, si edhe parandalimin e ndikimit politik nëpër gjykatat komunale.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, kryetarët e nënkryetarët e komunave e cilësuan të dobishëm takimin dhe temën e diskutimit. Ata  theksuan sfidat dhe problemet që hasin gjatë zbatimit të ligjit, projektet e ndryshme me organizata joqeveritare dhe ambasadat e huaja për përmirësimin e kushteve për komunitetet pakicë, nevojën për reforma administrative, problemet me mungesën e noterëve nëpër komuna e të tjera.