Shaqueel van Persie është 15 vjeç, luan si sulmues i majtë dhe është në rrugën e duhur për t’u bërë si babai i tij: Robin Van Persie, një nga sulmuesit më të mirë holandezë të dy dekadave të fundit.
Shaq ka firmosur sot kontratën e parë si profesionist me Feyenoordin deri në 2027. Adoleshenti i talentuar do të jetë pjesë e klubit nga Roterdami, që do sfidojë Romën në finalen e Conference League në “Air Albania” (25 maj).
“Si klub, ne jemi shumë të kënaqur me zhvillimin e Shaqueel dhe kalimin e tij te Feyenoord”, thotë Rini Coolen, Shefi i Akademisë së klubit tulipan.
Van Persie Jr, i cili është kapiteni i ekipit U16, është pjesë e Akademisë së Feyenoordit që nga vera e vitit 2017, teksa ka provuar një aventurë edhe tek akademia e Manchester City.