×
  • Lajme
  • Insajderi

    Dokument, LDK-ja qysh në 1998 kishte themeluar komision për krime lufte dhe vrasje të anëtarëve të saj

    Insajderi
    28 November 2020 - 18:35

    Saranda Selimi

    Në vitin 1998, ish-presidenti historik Ibrahim Rugova që ishte edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kishte formuar një komision për hulumtimin e krimeve të luftës.

    Formimi i këtij komisioni, ishte bërë duke u bazuar në nenet e statusit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku si qëllim kishte dokumentimin e gjendjes së rëndë në Kosovë, krimet e kryera nga forcat serbe, vrasjeve enigmatike dhe kërcënimeve të aktivistëve të LDK-së.

    Pjesë e këtij komisioni ishin nëntë anëtarë.

    Ky komision, sipas këtij dokumentin të 19 nëntorit të vitit 1998, obligohej që të krijonin në të gjitha degët e LDK-së, nënkomisionet përkatëse.

    Kryetari i këtij komisioni, ishte caktuar Eqrem Kryeziu, ndërsa anëtar ishin: Agim Krasniqi, Fatmir Rexhepi, Rexhep Gjergji, Hajzer Krasniqi, Faruk Spahiu, Ramë Maraj, Alush Gashi dhe Edi Shukriu.

    Gazeta Insajderi, posedon këtë dokument i cili është nënshkruar nga ish-presidenti Rugova, dhe vendimi i marr asokohe, kishte hyrë në fuqi menjëherë.

    Në lidhje me ekzistencën e këtij komisioni dhe të gjeturat e tyre në pikat e caktuara në këtë dokument, Gazeta Insajderi, ka kontaktuar anëtarët që ishin pjesë e tij.

    Në dokument thuhet se kryetar i këtij komisioni ishte Eqrem Kryeziu, mirëpo, në një prononcim për Gazetën Insajderi, Kryeziu, pa dhënë detaje të tjera e ka mohuar kategorikisht ekzistencën e këtij komisioni.

    “Nuk ka pasur asnjëherë komision të tillë me mua si kryetar”, ka thënë shkurt Kryeziu për Insajderin.

    Ndryshe nga Kryeziu, është shprehur deputeti i LDK-së, Fatmir Rexhepi, i cili po ashtu ishte anëtar i këtij komisioni.

    Rexhepi, për Insajderin ka thënë se ky komision ka ekzistuar, mirëpo sipas tij, nuk ka qenë një komision për atë se çka po mendojnë njerëzit.

    Kryeziu ka thënë se ky dokument nuk ka asnjë lidhje me UÇK-në, siç e ka dëgjuar të flitej kohëve të fundit.

    Sipas Rexhepit, ky komision ishte formuar për tu evidentuar dëmet e luftës.

    “Ky nuk ka qenë komision për atë çka po mendojnë njerëzit. Këtë komision që e ka bërë kryetari i LDK-së, atëkohë, presidenti Rugova, e ka bërë për dëmet e luftës, për shkollat, arsim, ekonomi, normalisht edhe vrasjet e qytetarëve dhe njerëzve. Nuk është bërë kjo për atë që po mundohen të ia ngjesin”, ka thënë ai.

    Tutje, Fatmir Rexhepi, ka treguar edhe për nënkomisionet e tjera që përmenden në këtë dokument, por që sipas tij, asgjë nuk kanë mundur të bëjnë, pasi që, ka nis lufta.

    “Ky komision është për dëme të përgjithshme,  në të normal që ka pasur edhe për vrasje të njerëzve edhe për krejt këto dëme që janë shkaktuar. Qëllimi ka qenë ky, ne s’kemi mundur të bëjmë asgjë. As që ia kemi filluar, s’kemi mundur të bëjmë asgjë. Si komision ka qenë qëllimi i mirë, për shkak që ta bëjmë një dokumentacion për t’i mbledhur dëmet për krejt periudhën që është bërë në Kosovë, nga ana e luftës, e ushtrisë serbe, policisë serbe, për arsim, shkolla, te njerëzit, ky ka qenë qëllimi. Ky nuk ka qenë komision hetimor si po pretendojnë ata. Kujt me i dalë komision hetimor, me shku UDBA-së, me i hy. Çka ta them unë është 100% e vërtetë, kushdo që e gjen një informatë tjetër, nuk është e vërtetë, nuk ka lidhje kjo me UÇK, mbaje mend çka po thotë Fatmir Rexhepi”, ka theksuar deputeti Rexhepi për Insajderin.

     Gazeta Insajderi, ka kontaktuar edhe me Agim Krasniqi. Kransiqi, nuk ka dashur të komentojë asgjë rreth këtij komisioni dhe këtij dokumenti.

    “Nuk kam koment rreth pyetjes suaj, nuk kam ndonjë interesim të veçantë të merrem me këtë punë. Unë nuk kam çka të konfirmoi ka ekzistuar apo nuk ka ekzistuar komisioni, tek e fundit. Unë nuk kam informacione për juve”, ka thënë Krasniqi.

    Për dallim nga të tjerët, Edi Shukriu i ka thënë Gazetës Insajderi, se as nuk ka qenë pjesë e këtij komisioni dhe as nuk e ka ditur se emri i saj është në këtë dokument.

    Ajo ka treguar se për këtë e ka kuptuar në media.

    “Çka mund të them është se jo që s’kam qenë anëtare por as që e kam ditur që ekziston një dokument i tillë. Lidhje s’kam, as se kam ditë që kam qenë as se kam ditë që ka ekzistu”, është shprehur Shukriu.

    As Alush Gashi dhe as Rexhep Gjergjaj, nuk i janë përgjigjur thirrjes së Gazetës Insajderi, në lidhje me këtë komision. Ndërkaq Hajzer Krasniqi dhe Faruk Spahiu, që po ashtu ishin pjesë e këtij komisioni, tashmë kanë ndërruar jetë.

    Se ky dokument i LDK-së, ishte për të mbledhur dëshmi kundër UÇK-së, u flit së fundmi nëpër debate televizive. Ndërkohë që pjesë e njërit nga debatet ishte ish-ministri i Kulturës nga radhët e LDK-së, Astrit Haraqija, i cili  iu është përgjigjur ashpër këtyre akuzave.

    Haraqija ka thënë se nëse del se një komision i krijuar në organe të LDK-së ka mbledhur dëshmi kundër UÇK-së ai del dhe e “djegë vetën” në shesh të Prishtinës./ Insajderi.org

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark