×
  • Lajme
  • Lajme

    “Drejtësia në rrjetin e merimangës” – punësimi i vajzës së Ismet Kabashit dhe mbrojtja e Enver Hasanit

    Insajderi
    03 December 2018 - 12:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Historia e punësimeve familjare në sistemin gjyqësor dhe prokurorial ka treguar se mund të rezultojë me favore të mëdha.

    LEXO EDHE:

    “Drejtësia në rrjetin e merimangës” – dokumentari i InDoks për ‘kapjen’ e sistemit të drejtësisë

    Një rast të tillë e dëshmon punësimi i vajzës së ish-kryeprokurorit të Shtetit, Ismet Kabashi në Gjykatën Kushtetuese, që aso kohe drejtohej nga Enver Hasani.

    Në korrikun e vitit 2014, ish-kryetari  i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani ishte nën hetime. Paraprakisht, në këtë gjykatë ishte punësuar vajza e Ismet Kabashit.

    Atë kohë, Hasani kishte disa dosje të hapura në Prokurori. Por, vetë Kabashi ishte kujdesur që ato dosje mos të hetoheshin. Bile, edhe publikisht ishte kujdesur që të mohoheshin hetimet kundër Hasanit.

    Prokuroria e Shtetit, kishte lëshuar një deklaratë me të cilën mohonte se kishte hetime penale kundër Hasanit.

    Por dokumentet që kishte siguruar “Koha Ditore” dhe deklarata e EULEX-it dëshmonin për hetime, subjekt i të cilave ishte edhe Hasani. Pos hetimeve zyrtare, në Prokurori ekzistonin të paktën edhe katër kallëzime penale kundër Hasanit të cilat nuk ishin shqyrtuar nga Prokuroria.

    Këtu mund ta shikoni dokumentarin e plotë:

    https://www.facebook.com/InsajderiDoks/videos/2260706834254111/UzpfSTEwMDAwNDYwOTI3MzU2NjoxMTc0OTc1NDcyNjY2MDg0/

    Gazeta kishte raportuar se Hasani në cilësinë e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe Kabashi në cilësinë e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryesues i Këshillit Prokurorial ishin marrë vesh për këtë deklaratë, pas pyetjeve të dërguara gazeta. Gazeta kishte mësuar se pas pyetjeve që i kishte dërguar “Koha Ditore” në Gjykatën Kushtetuese duke kërkuar sqarime nëse pjesëmarrja e Hasanit në kolegjin që kishte vendosur për kryeprokurorin e Shtetit përbënte konflikt interesi për shkak të hetimeve që po kryente Prokuroria kundër kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Kabashi i kishte garantuar se do të dilte me deklaratë për ta dëmtuar këtë. Pikërisht kjo kishte ndodhur. Një ditë më vonë kishte lëshuar një deklaratë me të cilën mohonte hetimet.

    “Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit përmes kësaj Komunikate informon mediat dhe opinionin në Republikën e Kosovës, se i qëndron pranë njoftimit të lëshuar me datën 03 janar 2013, se ‘në Prokurorinë Themelore në Prishtinë nuk është duke u përgatitur asnjë aktakuze apo janë duke u zhvilluar hetime ndaj Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, z. Enver Hasani, për kohen sa ishte Rektor i Universitetit të Prishtinës”, thuhej në deklaratë.

    “Për më tepër dhe me qëllim të informimit sa më të drejtë të opinionit, kësaj komunikate ia bashkëngjisim njoftimin e Prokurorit të Shtetit të lëshuar me datën 03 janar 2013. Me datë 23 maj 2014, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar që rasti në të cilin përmendet emri ish Rektorit të Universitetit të Prishtinës, të merret në kompetencë të EULEX-it. Po ashtu,  Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit konfirmon se nga informatat e  siguruara sot nga Zyra e Kryeprokurorit të EULEX-it, se nuk ekziston aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj z. Enver Hasani nga prokurorët e  EULEX-it”.

    “Koha Ditore” kishte siguruar dosjen hetimore të Policisë së Kosovës kundër Albert Rakipit dhe Hakif Aliut. Hetimet kanë të bëjnë me një tender për libra që ishte dhënë nga Rektorati në kohën që udhëhiqej nga Hasani. Paraprakisht Hasani kishte punuar në kompaninë fituese. Gazeta kishte siguruar edhe një letër të kryeprokurores së EULEX-it, Jeroslava Novota me të cilën konfirmohet se EULEX-i e ka marrë lëndën për hetim bazuar në kërkesën e vetë Kabashit për ta marrë atë.

    Pas shkuarjes në pension të Kabashit, ky rast ishte hapur dhe ishte ngritur aktakuzë. Hasani, është shpallur i pafajshëm. Prokuroria është ankuar se Gjykata ka qenë e anshme dhe nuk ka lejuar që provat kryesore inkriminuese – e-mailet zyrtare komunikimit mes Hasanit dhe Rakipit të administroheshin si prova, me arsyetimin se ato është dashur të nxirreshin me anë të masave të fshehta. Ky argument i Gjykatës askund nuk është i bazuar në Kod të Procedurës Penale, i cili thotë masat e fshehta mund të ndërmerren vetëm në raste kur provat nuk mund të sigurohen me anë të rrugëve tjera. /Insajderi.com

    “Drejtësia në rrjetin e merimangës” – dokumentari i InDoks për ‘kapjen’ e sistemit të drejtësisë

    https://insajderi.org/hulumtime/stema-e-dyshimte-ne-aktvendimin-per-rastin-e-enver-hasanit/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark