×
  • Lajme
  • Lajme

    Drejtori i “Integra”-s: Rron Gjinovci nuk ka pasur kontratë me zyrën e Thaçit

    Insajderi
    14 January 2021 - 13:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Rron Gjinovci nuk ka pasur asnjëherë kontratë me Zyrën e Presidentit të Kosovës ndonëse është kompensuar financiarisht për angazhimin e tij në një ekip të themeluar nga ish-presidenti Hashim Thaçi, ka thënë sot anëtari i shoqërisë civile, Kushtrim Koliqi.

    Drejtori ekzekutiv i Organizatës jo-qeveritare “Integra”, i ka cilësuar “lojë të tmerrshme” akuzat e ardhura drejt Gjinovcit nga ish-stafi i Hashim Thaçit në lidhje me angazhimin e Gjinovcit në një inciativë të ish-presidentit.

    Koliqi, i cili bashkë me Gjinovcin kishte qenë pjesë e Ekipit Përgatitor për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin gjatë viteve 2018-2020, ka thënë se ky ekip ka “funksionuar si trupë plotësisht e pavarur”.

    Ai ka deklaruar se drejtori i “ORCA”-s ishte shprehur i gatshëm të hiqte dorë nga kompensimi për angazhimin në ekipin e themeluar nga ish-presidenti Thaçi.

    “Mund ta konfirmoj që Rroni në takim me kryesuesin e Ekipit zt. Ardian Arifaj pati ofruar angazhim pa asnjë kompensim. Pas kësaj, Presidenti ka caktuar Ekipin me nëntë anëtarë, pesë nga të cilët ishim nga shoqëria civile. Rroni ishte një nga ta. Kjo ka qenë publike dhe nuk është kurrfarë zbulimi, ja edhe foto nga një ngjarje publike e Integra-s ku Rroni ka moderuar panel ku prezent ishte edhe Hashim Thaci, në prani të të gjitha medieve”, ka shtuar Koliqi.

    Sipas Koliqit, megjithatë Sekretari i Presidencës ka kompensuar financiarisht nëntë anëtarët e ekipit, të cilët përbënin ekipin e themeluar nga ish-presidenti.

    “Lidhur me këtë angazhim, sipas procedurave në Presidencë për të gjithë anëtarët është caktuar një shumë e caktuar si kompensim për punën për të cilën të gjithë ne jemi krenarë. Asnjë nga ne nuk ka pasur kontratë me askë. Ky kompensim është bërë me vendim të Sekretarit të Presidencës”, ka deklaruar Koliqi.

    Adil Behramaj, ish-këshilltari i presidentit, Hashim Thaçit, ka thënë sot se Rron Gjinovci ka punuar për gati dy vite për ish-presidentin.

    Behramaj ka thënë se pagesat që Gjinovci kishte pranuar nga ish-presidenti , kanë ndikuar në qasjen e drejtorit të “ORCA”-s në raport me Thaçin.

    “Kjo marrëdhënie e punës ka zgjatur nga 27 prill 2018, deri më 5 qershor 2020. Njëherit kjo ka qenë periudha e Rron Gjinovcit kur i thurte lavde publikisht Hashim Thaçit”, ka thënë Behramaj.

    Rron Gjinovci, që nga viti 2016 është drejtor ekzekutiv i Organizatës jo-qeveritare “ORCA”. Kjo OJQ monitoron institucionet e arsimit të lartë në Kosovë. /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark