10:28 - 08 Dhjetor 2022

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka mbajtur konferencë për medie në lidhje me nismën legjislative për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.

Sipas tij, kushtëzimi i përvojës së punës prej 15 vjetësh për të gëzuar pensionin është jologjik, i dëmshëm dhe diskriminues për punëtorët të cilët viteve 90-ta ishin larguar dhunshëm dhe jashtëligjshëm nga institucionet shtetërore të pushtetit të atëhershëm.

Ai ka shtuar se propozimi që AAK-ja ka iniciuar, parasheh që pensionet kontributdhënëse t’i gëzojnë të gjithë pensionistët varësisht nga vitet që kanë punuar.

“Kërkesa bënë fjalë për plotësim-ndryshimin e Ligjit Nr 04/L-131, për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, apo me konkretisht, për nenin 8 pika 2 të këtij ligji. Kërkojmë largimin e këtij neni diskriminues te këtij ligji, i cili parasheh që çdo person të ketë të paktën 15 vite përvoje pune para 01. 01. 1999 në mënyrë që të përfitojë pensionin kontributdhënës”.

“Me propozimin që ne kemi iniciuar, parashihet që pensionet kontributdhënëse t’i gëzojnë të gjithë pensionistët varësisht nga vitet që kanë punuar para datës 1 janar 1999. Kërkesë e jona është që të largohet ky kushtëzim jologjik, i dëmshëm dhe diskriminues për punëtorët të cilët viteve 90-ta ishin larguar dhunshëm dhe jashtëligjshëm nga institucionet shtetërore të pushtetit të atëhershëm”, përfundoi Dreshaj.