Drita ka vazhduar me fitore, derisa ka marrë të tretën radhazi në Albi Superligë.
Lideri aktual i kampionatit tonë ka mposhtur në udhëtim Dukagjinin e Klinës me rezultat minimal 0-1.
Goli i vetëm për gjilanasit erdhi në minutën e gjashtë, kur kapiteni Ardian Limani shënoi.
Mbrojtësi qendror lëshoi një goditje fantastike nga një distancë prej 35 metrave duke dërguar topin në rrjetën e Kenan Haxhihamzës për 0-1.
Ka qenë një ndeshje me shumë raste pas golit të gjilanasve, ku rrezikuan si vendasit ashtu edhe mysafirët.
Megjithatë 45 minutat e para të kësaj sfide u mbyllën me epërsinë e Dritës 0-1.
Vendasit ishin më kërkues në pjesën e dytë, derisa Drita gjithë fokusin e kishte në mbrojtje për ta mbrojtur rezultatin.
Gjithsesi portieri gjilanas, Faton Maloku bëri disa pritje fantastike duke shpëtuar portën e gjilanasve.
Vlen të përmendet se në fund të ndeshjes, mbrojtësi i Dritës, Besnik Krasniqi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja.
Deri në fund Drita mbrojti shumë mirë rezultatin dhe arriti fitoren e tretë radhazi, ku mbetet lider me 27 pikë, derisa Dukagjini është në vendin e nëntë me tetë pikë.
Ndeshjen e ardhshme Drita e zhvillon në shtëpi me Prishtinën, derisa Dukagjini luan në udhëtim te Llapi.