Dukagjini ka marrë fitoren e parë në Albi Mall Superligën e Kosovës këtë sezon.
Skuadra nga Klina ka mposhtur Ferizajn me rikthim me rezultat 4-1.
Ishin mysafirët nga Ferizaj që kaluan të parët në epërsi pas shtatë minutave lojë me golin e bukur të Sefas.
Por epërsia e mysafirëve zgjati vetëm 15 minuta, pasi Altin Mërlaku realizoi me kokë për të barazuar shifrat në 1-1.
Krejt në fund të pjesës së parë, ishte Dior Zabërgja që shënoi për t’i dhënë epërsinë e parë klinasve 2-1, ku me këtë rezultat u mbyllën edhe 45 minutat e para të kësaj sfide.
Dominimi i vendasve vazhdoi edhe në pjesën e dytë, kur Blerind Morina shënoi për 3-1 në minutën e 51-të.
Klinasit nuk u ndalën dhe në minutën e 77-të fituan penallti, ku i saktë nga pika e bardhë ishte Otto John për 4-1.
Përkundër fitores, Dukagjini vazhdon të mbetet në pozitën e fundit në tabelë tani me pesë pikë, derisa Ferizaj ka dy pikë më shumë në pozitën e nëntë.
Ndeshjen e ardhshme Dukagjini e zhvillon në udhëtim te Prishtina, derisa Ferizaj pret Gjilanin.