×
Lamb

Dy fshatrat e serbëve në Leposaviq, vendbanimi utopik i Zotit për fantazmat

Insajderi
28 March 2021 - 22:40

Ecja 16 kilometërshe nga Leposaviqi në drejtim të fshatrave Soqanisë dhe Llozishtë është një ecje nëpër vendbanime në të cilat koha ka ngecur qe 20 vite. Një banorë i njërit prej këtyre fshatrave e shpjegon këtë rajon si “vendbanimi që Zoti mund ta zgjedhte për fantazmat”

Dita e dytë e udhëtimit – ecjes në këmbë nëpër Kosovë – nisi nga Leposaviqi. Një qytezë në të cilën shteti i Kosovës nuk ka as edhe një fuqi të vetme. Për më shumë lexojeni reportazhin nga ky vend. 

E lash Leposaviqin për tu lëshuar anës së Ibrit, drejt fshatit Soqanicë me synim që të ecim afro 20 kilometra për të mbërritur deri tek fshati Llozishtë. Të dyja këto fshatra aspak të njohura për mua. Për këto fshatra kam dëgjuar vetëm kur Luka më dërgoi itinerarin e udhëtimit, të cilin nuk e besoja deri në momentin kur ndodhi. Lexo më shumë për këtë udhëtim dhe performancë në këtë artikull. 

Malet, hekurudha e vjetër dhe fushat që kanë nisur hovshëm të blertohen, janë mbreslënse, por shtrati i lumit Ibër që kalon nëpër këto fshatra të komunës së Leposaviqit, është gjithkah i njejtë: plot bërllog. Lexo më shumë për këtë okupim të plastikës në shtratin e këtij lumi. 

Por ajo që i veçon dy fshatrat Jarinje dhe Leshak me Soqanicën dhe Llozishtën janë pikërisht njerëzit që jetojnë aty. Të katër fshatrat banohen me serbë. Asnjë nga banorët nuk e njeh ose nuk jeton me rregullat e shtetit të Kosovës. Në fakt asnjë shenj e shtetit të Kosovës, përpos policët me uniforma kosovare që nuk dijnë shqip, por vetëm serbisht. Por pse banorët e fshatrave të thella kufitare (Jarinje dhe Leshak) janë më të hapur dhe pse banorët e fshatrave ngjitas (Soqanicë dhe Llozishtë) janë më paranojak?

Çka i bënë disa serb në dy fshatra të jenë më të hapur se serbët që banojnë në fshatrat ngjitur? Gjatë dy ditëve që kam udhëtuar nëpër këto katër fshatra, kam kuptuar atë që jo të gjithë e dijnë  në Kosovë. Ose që shumica e shqiptarëve mendojnë se të gjithë serbët në Kosovë kanë të njejtën mendje të ndarë karshi realitetit të Kosovës shtet?

Dita e parë e udhëtimit deri në Leposaviq dhe dita e dytë e udhëtimit nga Soqanica në Llozishtë kanë një të përbashkët: ndaljen nga Policia. Por për këto përvoja do të shkruaj në një tekst të veçantë. 

Tash të ndalemi tek dallimet e banorëve nëpër këto dy lokalitete. Serbët e Jarinjes dhe Leshakut për shkak se janë të vendosur në kufi me Serbinë, do të duhej të ishin më dyshues ndaj të huajve në fshatrat e tyre, por duket se pikërisht fakti që nëpër këto fshatra kalojnë shumë të huaj që hyjnë e dalin nga kufiri i ka bërë ata që të jenë më pak paranojak. Më shumë rreth përvojës në këto fshatra lexo këtë reportazh. 

Pra, në Jarinje dhe Leshak edhe pse nuk e pranojnë shtetin e Kosovës dhe jetojnë me shtetin e Serbisë, mendësia e tyre është më e hapur sesa e banorëve në fshatrat ngjitë, Soqanicë dhe Llozishtë. Dhe kjo ka një arsye. Këto fshatra janë krejtësisht të vdekura. Asnjë shtëpi nuk është e ndërtuar rishtazi. Të gjitha shtëpitë duken të jenë të ndërtuara në vitet 90. Në ato shtëpi, nuk e kam parë asnjë fëmijë teksa luan në oborr. Asnjë të ri, që bënë ndonjë aktivitet. E gjithë struktura sociale në këto dy fshatra është tepër e moshuar. Në shumë shtëpi, sheh vetëm një ose dy persona. Në shumicën e tyre, kur jam ndalur për të kërkuar ndonjë gotë ujë, si arsyetim për ta marrë vesh se ndoshta banorët nuk dalin jashtë, ose që është ditë e dielë dhe kanë ikur dikah, e kuptova që në fakt, shumica e tyre kanë ikur moti. 

“Edhe nëse Zoti do ta zgjedhte këtë vend si lokacioni i ri i parasjës, do të ishte një dështim. Këtu ska as ëngjuj, as djaj. Shpesh po mendoj që ska as Zot në këto anë”, thotë Stefan, një 50 vjeçar, që ka një dyqan ushqimor në Soqishtë. Stefani nuk e dinte se jam gazetar. Luka më prezanton si një shok të tij nga Prishtina që po i ndihmon të realizojë performancën e tij. 

“Por nëse Zoti do ta zgjedhte këtë vend për fantazma, kjo pjesë do të ishte perfekte”, shton ai. 

Biseda me të vazhdon për muhabetin e ndotjes së shtratit të Ibrit, ndërsa unë dhe Luka vazhdojmë rrugën drejt Llozishtës. Tentimi ynë për të takuar sa më shumë njerëz, deshtoi. 

Të vetmin person që e takojmë rrugës është një roje mali. Por ai jeton në Leposaviq. Kësisoj ecja jonë gati 15 kilometërshe bëhej çdo hap e më e mërzitshme. Tash, paramendojeni, sa e mërzitshme mund të jetë jeta e banorëve në këto dy vende. 

Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark