×
Lamb

Dy patrulla policësh në Leposaviq në ndjekje të një gazetari kosovar, artisti serb dhe një qingji me go-pro

Insajderi
29 March 2021 - 00:36
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Aq rutinore dhe e njejtë është jeta e serbëve në fshatrat e Leposaviqit saqë çdo lëvizje nëpër ato vendbanime hetohet. Aq të izoluar janë banorët në këto anë, sa çdo kush që ata nuk e njohin është i dyshimtë. Kjo është historia e dy ditëve të ecjes nëpër katër fshatrat e Leposaviqit, ku dy patrulla policësh, merren detajisht me dy qytetarë që thjesht ecin.

Ishte kilometri i shtatë i ecjes nga Jarinja, kur të shtunën e 27 marsit, në rrugën magjitrale që të qon në Leshak, aty ku edhe ishim nisur, kur një veturë e Policisë së Kosovës ndalon skaj nesh. 

Luka, artisti nga Beogradi, të cilin po e shoqërojë në udhëtimin e tij me një qingj në krah, ka vendosur të ecë nga një skaj në skajin tjetër të Kosovës, ishte pak sekonda nga ballafaqimi që ai i frikësohej gjatë krejt muhabetit para udhëtimit. Më shumë rreth këtij udhëtimi ndiqni reportazhet në kategorinë e veçantë: LAMB

Pas disa kilometrave ecje nëpër arat e Jarinjes, ne vendosim që të dalim për pak ecje nëpër magjistrale. Posa dalim në rrugë kryesore, një veturë e Policisë së Kosovës ndalet pas nesh. Ne gjithashtu. Nga vetura dalin dy policë me uniformë të Policisë së Kosovës. Njëri nga ta flet vetëm serbisht, tjetri ngapak edhe shqip. 

“Dikush na ka lajmëruar se ju kanë parë me një qingj, dhe po dyshojnë se e keni vjedhur”, thotë polici që flet vetëm serbisht. 

Ne identifikojmë vetën, tregojmë arsyen e këtij udhëtimi, dhe japim numrin e kontaktit të fermerit nga Jarinja, nga i cili Luka kishte blerë qingjin. Ai e konfirmon se qingji nuk është i vjedhur. Por këtu nuk përfundon përvoja me ta. Njëri nga ta, interesohet për diçka krejt tjetër. 

“Qysh një gazetar i Gllogovcit (vendlindja ime) dhe një artist i Beogradit po ecni bashkë nëpër Leposaviq me një qingj a?’ pyet një nga policët. 

As unë e as Luka nuk i përgjigjemi kësaj pyetje, ose me mirë të them, kësaj çudie të Policit. 

“Kjo është çudi për të gjithë banorët e kësaj ane”, thotë polici tjetër që dinte pak shqip. Ai edhe bënë tentimin që ta bind kolegun e tij, që të na lirojë, por kolegu që dinte vetëm serbisht (ky në fotografi) duket se është i vendosur që kjo ndalesë të mos përfundojë me kaq. 

“Do të ju dënojë për mos ngjitjen e maskës”, thotë ai, me një qasje prej një zbuluesi. 

Ne të dy i kishim maskat por jo të vendosura. Ishim dy veta të cilët po ecnim fushave të fshatrave Jarinje dhe Lesahk. Të dytë, ishim negativ në testet e bëra një ditë më parë për COVID-19. Të dytë po ecnimin nëpër arat dhe fushat skaj Lumit Ibër dhe distanca e jonë me të tjerë njerëz ishte me dhjetra kilometra. Asnjë shkelje e Ligjit për Pandeminë. Asnjë rrezik për askënd. Por polici duket i vendosur të na shqiptojë një dënim. Pas disa tentimeve të dështuara për të shkruar drejt emrat tonë dhe sidomos për të kuptuar numrat e kartës së identitetit, na shqipton dënimin. Të dytë dënohemi me 35 euro. 

Unë tentoj që të kundërshtoj këtë dënim të padrejtë por Luka duket i vendosur që më mirë ta paguaj dënimin sesa të merret më shumë me ta. Për të 70 euro nuk janë asgjë në krahasim me rëndësinë e vazhdimit të ecjes, e kësisoj mos pengimin e performancës së tij. Pajtohem me këtë nevojë të tij dhe përkundër nevojës time që si gazetar të mos pranojë dënimin e padrejtë ne vazhdojmë tutje. Eksperiencat tjera në udhëtimin që pasoi, e lanë në hije këtë eksperiencë. Biles, në fund të ditës, kur arritëm ne Leshak e më pas edhe në Leposaviq, kjo histori me Policët, u shndërrua në një storje që e treguam me humor në darkë. 

Më shumë rreth kësaj eksperience nga Jarinja në Leshak: 

Arritja në Leposaviq paraqet një sfidë në vete, pasi që asgjë që vlenë në Kosovë atje nuk egziston. Flamujt e Serbisë të vendosur gjithkah. Në qendër të qytezes që ndanë vetëm një rrugë kryesore, gjendet objekti i Komunës. Por Komuna e Leposaviqit duket një komunë e Serbisë. Nejse, më saktë, flamuri i UNMIK-ut që është i vendosur krahas atij serb, tregon se Leposaviqi është komunë edhe e OKB-së. Tabelat orientuese janë të gjitha në gjuhën serbe, bile shumica e tyre janë të kohës së Jugosllavisë. Ato nuk janë ndërruar. Nuk janë ndërruar as tabelat e regjistrimit të veturave që janë në qytezë. Ato janë të gjitha me regjistrim të Serbisë. Me euro nuk mund të paguash asgjë. Denari serb është valuta kryesore. E vetmja shenjë e shtetit të Kosovës, është një veturë e Policisë së Kosovës. Por ajo nuk e ndërron faktin se kjo qytezë nuk është e Kosovës.

Më shumë rreth reportazhit nga Leposaviqi: 

Dita e dytë. është koha ta lëmë Leposaviqin dhe të nisemi drejt fshatrave Soqanicë dhe Llozishtë. Rruga është e gjatë 15 kilometra dhe ne vendosim që këtë ecje ta bëjmë nëpër hekurudhën e papërdorur që kalon skaj brigjeve të Lumit Ibër dhe mes përmes dy fshatrave. Në kilometrin e 5-të, një person i veshur me rroba të ushtrisë, i drejtohet Lukas nga oborri i tij. Distanca mes nesh dhe tij është gati 500 metra. Nuk kuptohemi mirë, por megjithatë ne vazhdojmë tutje, duke ia bërë rrafsh. Nja 2 kilometra më pas, në një vend skaj lumit, vendosim të bëjmë një pushim. 

Nuk kalojnë as 5 minuta dhe nga dy anë të ndryshme shfaqen dy policë. Edhe ata me uniformë të Kosovës por asnjëri nuk di të flas shqip. Kësisoj barra për komunikim i bie Lukës. 

“Dikush na ka thirrur dhe na ka lajmëruar se po dyshojnë se keni vjedhur qingjin”, i thotë një nga Policët, Lukës. Luka ia sqaron edhe ndalesën e një dite më parë nga patrulla e parë në Jarinje, ia tregon dokumentet e dënimeve, ia jep kontaktin e fermerit nga Jarinja për të konfirmuar blerjen e qingjit dhe ia sqaron më në detaje arsyen e këtij udhëtimi. Të gjitha që Luka i thotë konfirmohen, por nuk na lirojnë. 

Të dy policët, thërrasin edhe një patrullë shtesë. është patrulla e Policisë nga Stacioni në Leposaviq, që vijnë me veturë tjetër. Plus edhe tre policë. Edhe atyre ua sqarojmë të gjitha që ua sqaruam ekipit të parë. Por njëësoj sikurse kolegët e tyre, as ata nuk e kuptojnë udhëtimin artistik, e aq më pak, arsyen pse një gazetar nga Prishtina po e përcjellë udhëtimin e një artisti nga Beogradi. 

Dialogu mes Lukës dhe policëve vazhdon me sqarimin e shumë pyetjeve. Shumica e tyre banale, sikurse pyetja se “ku po flejmë në Leposaviq”. Por kulmi i pyetjeve vjen kur një nga policët shtron një pikëpyetje dhe një fakt që ai se kuptonte. 

“Qysh e ke taku ti nga Beogradi këtë gazetar nga Prishtina?” është pyetja. Luka ia sqaron lidhjet që na lidhën ne. Absurditeti i këtyre pyetjeve vazhdon edhe për më shumë se 30 minuta. Në fund na lirojnë me një kërkim falje. Por teksa ne vazhduam ecjen tonë drejt fshatit final, Llozishtë, pikëpyetjet rreth asaj se çfarë do të thotë, veprimi i dy patrullave karshi dy personave që po ecnin me një qingj nëpër ara e male, veç sa vijnë e bëhen më të mëdha. E hëna shënon ditën e tretë të ecjes në drejtim të Kaçanikut si destinacion final, por dilema nëse këto patrulla policësh janë më të vërtetë policë që i shërbejnë kosovarëve është e madhe. Për mua, nuk ka dyshim se ata policë janë kundër Kosovës. Punojnë kundër shtetit të Kosovës dhe mbi të gjitha nuk e duan një paqe mes shqiptarëve dhe serbëve.

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark