Federata e Futbollit të Kosovës ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Molos Delijës dhe Lordon Sylës, dy ish-futbollistë të ‘KF Gjakovës’ që mbetën të vdekur mbrëmë si pasojë e garave me vetura në autostradën “Ibrahim Rugova”.
Në reagimin e FFK-së thuhet se ky rast tragjik ka prekur zemrat e gjithsecilit.
“Në këto momente të vështira për familjet e juaja, nuk ka fjalë që mund të shprehin plotësisht dhimbjen tonë për humbjen e dy ish-futbollistëve, të cilët jo vetëm ishin pjesë e KF “Gjakova”, por edhe burim dashurie dhe inspirimi për të gjithë komunitetin e futbollit”, thuhet në njoftimin e tyre.
“Ky rast tragjik ka prekur zemrat e gjithsecilit prej nesh, teksa ka ndaluar në gjysmë ëndrrat e tyre të mrekullueshme dhe pasionin e madh për lojën e futbollit”, vijon njoftimi.
Për vdekjen e Delijës dhe Sylës ka reaguar edhe ish-klubi i tyre futbollistik ‘KF Gjakova’. Në reagimin e tyre shprehet ngushëllime për familjarët.
Policia ka arrestuar një person, nën dyshimin se i njëjti ka humbur kontrollin e veturës në autostradën ‘Ibrahim Rugova’ dhe ka goditur tre këmbësorë për vdekje. /Insajderi.org/