×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Dyshime për aferë korruptive- Drejtori i Përparim Ramës i jep leje ndërtimore kompanisë private që e kishte themeluar

    Insajderi
    08 November 2022 - 20:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kompania që dikur aksionar i saj ka qenë drejtori i Urbanizmit në Prishtinë, merr leje ndërtimi në një kohë rekorde. Drejtori i Urbanizmit, Arbër Sadiki ka thënë se i ka tërhequr të gjitha aksionet nga ajo kompani, por të dhënat e tij ende figurojnë në faqen zyrtare të tyre. Derisa, kompani të tjera kanë thënë se asnjëherë nuk kanë marr leje ndërtimi në afat të shkurtër dy mujor. Nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kanë sqaruar nëse një gjë e tillë përbën konflikt interesi.

    Me zgjedhjen e tij në krye të drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Arbër Sadiki nuk i ka braktisur bashkëpunëtorët e tij të mëparshëm.

    Sadiki, përmes një vendimi të nënshkruar në qershor të këtij viti, e ka pajisur me leje ndërtimore kompaninë që dikur e ka udhëhequr ai.

    Projekti kryesor për ndërtimin e ndërtesës shumë banesore në lagjen Mati 1 do të bëhet nga kompania “G+A Architects”, aksionar i të cilit ka qenë drejtori aktual i Urbanizmit në Prishtinë, Arbër Sadiki.

    Kërkesa për leje ndërtimi është bërë më21 prill të këtij viti, derisa dy muaj më vonë, më 26 qershor, kompania është pajisur me leje dhe e njëjta është e nënshkruar nga drejtori Sadiki.

    Se ka ndikuar në këtë rast, ka mohuar Sadiki, duke thënë se nuk është më aksionar i kompanisë.

    Por, në anën tjetër në faqen zyrtare të kompanisë dhe në ARBK ende figuron numri personal i telefonit dhe email adresa e drejtorit Sadiki.

    Lidhur me këtë, drejtori aktual i kompanisë “G+A Architects”, Besian Sinani ka thënë se nuk ka ndikuar lidhja me drejtorin, pasi kushtet urbanistike për ndërtim kanë qenë të volitshme.

    Në anën tjetër, investitori Elhami Maloku, ka thënë se kërkesa për caktimin e kushteve ndërtimore është bërë para një viti, por në qeverisjen e kaluar lënda e tyre ka mbetur mbrapa, deri në ardhje të qeverisjes së re komunale, ku procedura e marrjes së lejes nuk është vonuar më shumë sesa dy muaj.

    Sipas listës për lëshimin e lejeve ndërtimore për vitin 2022, asnjë kompani tjetër nuk është pajisur me leje për një periudhë kaq të shkurt.

    Derisa, për një shërbim të tillë në shumicën e rasteve është tejkaluar periudha njëvjeçare.   

    Kanal 10 ka pyetur edhe kompani të tjera rreth kohëzgjatjes së marrjes së leje së ndërtimit, të cilët kanë thënë se asnjëherë nuk kanë marr leje brenda dy muajve.

    Televizioni ka pyetur Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit nëse rastet e tilla, përbëjnë konflikt interesi.

    Në përgjigjen e tyre thuhet se në mungesë të informatave për rastin në fjalë nukmund të dihet saktë nëse është përmbushur vepra penale.

    “Nëse Drejtori i urbanizmit është një ish aksionar i kësaj kompanie, kjo nuk do të thotë se ajo kompani duhet të eliminohet me automatizëm nga kërkesa për leje ndërtimi, por në rastin konkret: obligohet zyrtari i lartë,  ish aksionar i kësaj kompanie që nëse ka rol vendimmarrës në çfarëdo pike të këtij procesi, duhet ta deklaroj konfliktin e interesit dhe të tërhiqet nga vendimmarrja. Vetëm fakti se ka qenë ish aksionar nuk e penalizon kompaninë që me automatizëm të eliminohet nga kërkesa për leje ndërtimi. Këto janë parime gjenerale të identifikimit dhe shmangies se konflikti te interesit.”, tha Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit

    Ndërkohë, nga Shoqata e Ndërtuesve të Prishtinë kanë thënë se në të gjitha qeverisjet ka pasur raste të dhënies së leje ndërtimeve me favorizime.

    Rreth favorizimeve të tilla me leje ndërtimore, Komuna e Prishtinës është kritikuar e akuzuar edhe në të gjitha qeverisjet e kaluara. 

    /Kanal 10

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark