16:24 - 27 Maj 2021

Mbi 16 mijë euro dyshohet se janë përvetësuar paligjshëm nga xhirollogaritë e Organizatës joqeveritare “ATRC”. Fondet e kësaj OJQ-je janë, kryesisht, të Qeverisë Amerikane. Një kallëzim penal i dorëzuar në Prokurori denoncon Kushtrim Kaloshin, kreun e fondacionit. I denoncuari ka mohuar përfshirjen e tij në keqpërdorime.

Dhjetëra transaksione në periudhën kohore mes 1 janar 2018 deri më 1 janar 2019, dyshohet të jenë kryer në mënyrë të paligjshme nga një OJQ, drejtor i së cilës është Kushtrim Hyseni – Kaloshi.

16 mijë e 400 euro dyshohet se ka refuzuar t’i arsyetojë ai. Si pasojë e kësaj, është denoncuar në prokurori për keqpërdorime fondesh, kryesisht të Qeverisë Amerikane.  

Kaloshi, duke përdorur autoritetin e tij si drejtor ekzekutiv i OJQ “Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim” (ATRC), mban përgjegjësi për pagesa të dyshimta të kryera me fondet e organizatës, ka zbuluar Gazeta Insajderi.

Mbi këto dyshime për keqpërdorime financiare, ndaj tij është dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit.

Kallëzimi penal, i dorëzuar vitin e kaluar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, denoncon Kushtrim Hyseni – Kaloshin dhe shtatë anëtarë të bordit drejtues të “ATRC”-së për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Dy prej të cilëve ushtrojnë funksione të larta shtetërore.

“Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim”, të cilën ai e udhëheq si drejtor, është një nga OJQ-të më të përkrahura financiarisht nga USAID, agjencia amerikane udhëheqëse në botë në fushën e zhvillimit ndërkombëtar.

Sipas dosjes të cilën e ka siguruar Insajderi, “ATRC”-ja e Kaloshit dyshohet ta ketë keqpërdorur mirëbesimin e donatorëve, që në mes të tjerëve përfshin agjencitë shtetërore amerikane në Prishtinë.

Bazuar në dëshmitë e paraqitura në kallëzimin penal, por edhe provat tjera të siguruara nga Insajderi, dyshohet se brenda një viti të plotë kalendarik, më 2018 janë përvetësuar mjete financiare në vlerë prej 16,400.00 euro nga xhirollogaria e fondacionit “ATRC”.

Kallëzimi penal i deponuar në Prokurori kundër Kaloshit dhe të tjerëve

“Në ATRC janë përvetësuar fonde nga xhirollogaria e organizatës në shumën prej 16,400 euro, përkatësisht, janë bërë pagesa të mjeteve financiare jashtë institucioneve financiare të licencuara nga BQK-ja në llogaritë bankare të hapura në emër të OJQ-së, në kundërshtim me nenin 36 të Ligjit për Lirinë e asocimit në organizata joqeveritare”, thuhet në kallëzimin penal të deponuar kundër Kaloshit.

Kushtrim Kaloshi ka mohuar dyshimet e ngritura ndaj tij për keqpërdorim të fondeve.

Në një përgjigje me shkrim për Gazetën Insajderi, drejtori i “ATRC”-së ka thënë se pastërtia e “ATRC”-së mbi akuzat dëshmohet në katër raporte të auditimit të realizuara konkretisht për vitin 2018.

“Për më tepër, për shkak të disa shpifjeve të dërguara tek donatorët (për arsye shantazhi/presioni ndaj meje), në vitin 2021, donatorë specifik kanë kryer procese të veçanta hetimi (due diligence), nga kompani të Auditimit ndërkombëtare, për të sqaruar pretendimet e ngritura”, ka thënë Kaloshi. “Edhe rezultatet e këtyre hetimeve kanë konfirmuar gjetjet e 4 auditimeve paraprake për vitin 2018 se nuk ka ndodhur asnjë keqpërdorim financiar”.

Hulumtimi i Insajderit nxjerr në pah detaje mbi keqpërdorimet e dyshuara të fondeve të “ATRC”-së, përmes keq menaxhimit të një kartele bankare të hapur në emër të “ATRC”-së.

Vjedhja e dyshuar e fondeve të OJQ-së dëshmohet në raportin e vitit 2018 të gjendjes financiare të një nën-llogarie bankare, të hapur në emër të fondacionit. Përgjegjës për kartelën bankare të nën-llogarisë ishte ish-Menaxheri i Financave, Gani Asllani.  

Insajderi ka zbuluar se nën-llogaria ishte hapur në vitin 2016 me aprovimin e drejtorit Kaloshi, i cili është përgjegjës lidhur me transakcionet e kryera me llogarinë kryesore dhe nën-llogaritë bankare.   

Raporti i gjendjes financiare të nën-llogarisë së menaxhuar nga ish-menaxheri i Financave, megjithatë nxjerr në pah keqpërdorime të pretenduara të fondeve në “ATRC” përgjatë gjithë vitit 2018, të cilat nuk ka arritur t’i mbikëqyr drejtori i organizatës.

Ky raport zbulon dhjetëra transaksione të dyshimta të kryera me kartelën bankare të organizatës nga ish-menaxheri i Financave, Gani Asllani. Pagesat, siç dëshmohet në dokument, janë realizuar në qendra tregtare, hipermarkete, pika të karburanteve dhe restorante.

Një nga pagesat e kryera me kartelën e organizatës në Albi Shopping nga ish-menaxheri financiar i OJQ-së

Mjete financiare të organizatës janë tërhequr në institucione bankare dhe janë kryer pagesa në vlerë deri 500 euro nga xhirollogaritë e “ATRC”-së. Shumë prej tyre janë kryer jashtë orarit zyrtar të punës.

Kushtrim Kaloshi, ka pranuar se është evidentuar shmangie në procedurë të pagesave në vitin 2018, por duke u mbështetur në raportet e auditimit ka thënë se në “ATRC” nuk është konstatuar keqpërdorimi i mjeteve financiare.

“Raportet e auditimit për vitin 2018 nuk kanë gjetur evasion, keqpërdorim të parasë, përveç shmangie në procedurë të pagesave.  Për më tepër, edhe në raportin e vitit 2019 nuk ka pasur gjetje financiare në raport me përgjegjësitë e ish Menaxherit të Financave”, ka thënë Kaloshi për Insajderin.

Përgjigje lidhur me kallëzimin penal nuk ka ofruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, në të cilën është deponuar kallëzimi në shtatorin e vitit të kaluar.

Konfrontimi me ish-menaxherin e Financave, akuzat për keqpërdorime fondesh

Përpos Kushtrim Kaloshit, ushtruesit të detyrës së drejtorit ekzekutiv të “ATRC”-së, dosja të cilën e ka siguruar Insajderi, e implikon në shpenzime edhe Gani Asllanin, ish-menaxherin e Financave të fondacionit.

Është një konfrontim ndërmjet Asllanit dhe Kaloshit lidhur me shpenzimet e mjeteve financiare të vitit 2018, që bëhet shkak për nxjerrjen në pah të dyshimeve për keqpërdorime brenda organizatës.

Gazeta Insajderi ka siguruar komunikimin elektronik ndërmjet tyre, të realizuar në muajin prill të 2019-s, disa ditë pas përfundimit të raportit të Auditorit të jashtëm për vitin 2018, për “ATRC”-në.

“Komunikimi përmban shantazhe dhe ‘kode’, dhe nuk jepen sqarime dhe fakte konkrete për akuza të ndërsjella”, theksohet në kallëzimin penal.

Në komunikimin mes drejtorit të “ATRC”-së dhe ish-menaxherit të financave, Kaloshi e bën përgjegjës Asllanin për një numër pagesash të kryera nga xhirollogaria e OJQ-së përgjatë vitit 2018. I kërkon llogari për to.

Asllani shprehet i gatshëm të japë sqarime për pagesat e kryera nga ai në emër të “ATRC”-së, por hedh akuza të tjera ndaj Kaloshit për përvetësim të fondeve të organizatës para dhe pas vitit 2018.

Kaloshi refuzon të sqarojë akuzat të cilat e përfshijnë atë në keqpërdorime të dyshuara me fondet e “ATRC”-së. Por, zotohet për krijimin e një komisioni të brendshëm me qëllim çështjeve të ngritura nga të dyja palët. Ky komision nuk është krijuar asnjëherë, thuhet në kallëzimin penal.

“Nuk kam pasur mundësi të refuzoj krijimin e një komisioni të tillë për faktin se një kërkesë e tillë nuk është bërë dhe nuk është parë e arsyeshme, marrë parasysh faktin se unë së bashku me znj. Donika Podrimja dhe znj. Nora Susuri në fakt kemi ekzistuar si komision për shqyrtimin dhe vendosjen rreth kësaj çështje. Në asnjërin prej veprimeve nuk kam ndërmarr një hap të vetëm të njëanshëm”, tha Kaloshi.

Pavarësisht insistimit të punonjësve të “ATRC”-së, për muaj me radhë Kaloshi refuzon transparencën për pagesat dhe shpenzimet financiare të realizuara me një kartelë bankare të fondacionit gjatë vitit 2018.

Mostransparenca brenda organizatës, thuhet në kallëzimin penal, “vërteton qëllimin e të dyshuarit për fshehjen e keqpërdorimeve financiare”.

Akuzat e shkëmbyera mes Kaloshit dhe Asllanit, kërkesa për sqarime lidhur me shpenzimet financiare

Gazeta Insajderi, ka biseduar me Gani Asllanin, ish-menaxherin e Financave, të cilin kallëzimi penal e implikon në dyshimet për keqpërdorimin e 16 mijë eurove nga xhirollogaria e “ATRC”-së.

Asllani ka hedhur poshtë dyshimet e ngritura për keqpërdorimin e financave gjatë vitit 2018. Ka thënë se ka ofruar llogari për secilin prej dyshimeve që ishin ngritur nga Kaloshi. Thotë se sqarimet ia ka dhënë “gojarisht” drejtorit të fondacionit.

“Kurrfarë llogaria nuk kam më dhënë. Të gjitha janë të mbyllura. Janë të printuara, të skenuara dhe ndodhen brenda për brenda organizatës”, ka thënë Asllani për Insajderin. “Të gjitha ato janë të raportuara dhe të mbyllura”.

“Janë të aprovuara të gjitha ato pagesa. Ai e ka të nënshkruar raportin e Auditimit dhe ka qenë në dijeni për pagesat e kryera gjatë vitit 2018. Por, ai ka pasur qejf me pasë sqarime për qita – për qita. Unë ia kam shpjeguar gojarisht secilën për tyre dhe kemi hyrë në fazën e auditimit. Është kryer raporti i auditimit. Janë mbyllur të gjitha”, ka pohuar Asllani.

Ndërkaq, Kushtrim Kaloshi ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për pagesat e dyshimta deri në fillim të vitit 2019, ndonëse drejtori i ATRC-së parashihet të jetë nën kontroll – të aprovojë – pagesat e kryera me llogaritë bankare të fondacionit.

Ai, megjithatë ka deklaruar se dyshimet e ngritura i ka raportuar në momentin që është informuar për transakcionet.

“Bazuar në përgjegjësitë sipas Manualit të Politikave të ATRC-së për pozitën e Drejtorit, në momentin kur jam informuar mbi këto transaksione, kam kërkuar sqarimet dhe kam ndërmarr veprimet standarde, të cilat u thanë më lartë”, ka thënë Kaloshi.

Kaloshi, lidhur me sqarimet që ka kërkuar nga ish-menaxheri i Financave, ka thënë se nuk ka pranuar përgjigje me shkrim nga Asllani. Nuk ka përmendur asnjë takim tjetër që dyshohet të ketë pasur me Asllanin lidhur me rastin.

“Për shkak se nuk kam marrë përgjigje me shkrim nga ish Menaxheri i Financave dhe Administratës, dhe meqenëse nuk jam ekspert financiar per t’i kuptuar saktë detajet, për herë të parë prej se jam drejtor i ATRC-së, i jam drejtuar me shkrim përmes emailit (jo të zakonshëm) auditorit, dhe kam kërkuar auditim të detajuar për vitin 2018”, ka deklaruar Kaloshi.

Denoncimi kundër zyrtarëve të lartë shtetërorë

Në kallëzim penal janë denoncuar edhe shtatë anëtarë të Bordit Drejtues të “ATRC”-së, përfshirë Besim Kajtazin, drejtorin e Zyrës Ligjore të Presidentes së Kosovës dhe Afërdita Jahën, zyrtaren e lartë të Ministrisë së Arsimit.

Ata dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar”.

Dyshimet ndaj tyre, sipas kallëzimit bazohen në mosndërmarrjen e asnjë veprimi për të gjitha shkeljet e pretenduara në “ATRC”, pavarësisht se ishin informuar mbi këto pretendime nga punonjësit e organizatës.

“Anëtarët e bordit, gjerë në ditën e ushtrimit të këtij kallëzimi penal, nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar dhe më tutje për të ndaluar keqpërdorimet brenda organizatës”, thuhet në kallëzimin penal.

Bordi i OJQ-së është organi më i lartë drejtues i fondacionit. Është ai, i cili në bazë të Ligjit për Lirinë e Asociimit në Organizata Joqeveritare ka përgjegjësi të plotë për çështjet e politikave dhe financave të organizatës. Bordi shqyrton dhe miraton raportet financiare për vitin paraprak, si dhe planifikimin për vitin vijues.

Bordi i parë ishte në përbërje të: Adriana Kabashit në cilësinë e kryetares dhe Kreshnik Berishës, Alban Ibrahimi, Valbona Puka-Gola e Isa Elezajt në cilësinë e anëtarëve.

Ky bord u largua në muajin e tretë të vitit 2020 pas raportimeve për keqpërdorimet e pretenduara brenda organizatës. Ata, dyshohet se u larguan pa ndërmarrë asnjë veprim përkitazi me dyshimet e ngritura për dallavere financiare. Valbona Puka-Gola, nuk është e përfshirë në kallëzimin penal ndaj të dyshuarve.

Largimit të tyre nga bordi drejtues i fondacionit i pasoi një bord i ri.

Shumica e bordit të ri të emëruar në mars të 2020-s, në përbërje të Refki Morinës në cilësinë e kryetarit dhe Gjyljeta Mushkolajt, Afërdita Jahës, Besim Kajtazit e Faton Krasniqit në cilësinë e anëtarëve, kishin vazhduar heshtjen në raport me shkeljet e pretenduara brenda organizatës.

Nga bordi i dytë, vetëm Gjyljeta Mushkolaj, anëtarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, nuk është e përfshirë në kallëzimin penal që denoncon anëtarët e bordit të “ATRC”-së. Ajo është dorëhequr nga pozita si anëtare e bordit në muajin prill të këtij viti dhe ka hedhur dyshime të mëdha për keqpërdorime.

Mushkolaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e saj brenda bordit drejtues të “ATRC”-së më 21 prill të këtij viti, në të njëjtën ditë kur kishte shprehur shqetësimin e saj për mosrespektimin nga OJQ-ja të ligjeve në fuqi të Republikës dhe transparencën e munguar brenda organizatës.

Atë ditë u mbajt mbledhja e rregullt e bordit drejtues të organizatës, por Mushkolaj u përjashtua në fillim të mbledhjes. Në këtë mbledhje, Kushtrim Kaloshi u zgjodh sërish drejtor ekzekutiv i “ATRC”-së.

Në letrën e saj të dorëheqjes, ish-anëtarja e bordit drejtues të “ATRC”-së thotë se në bord dominonin me vota anëtarët që vijnë nga institucionet shtetërore, të cilët zgjodhën Kaloshin drejtor ekzekutiv si “shpërblim për abuzim flagrant të të drejtave të personelit thelbësor”.

Në një komunikim me Kaloshin para datës 21 prill, Mushkolaj kishte kërkuar sqarime nga drejtori i OJQ-së për respektimin e Ligjit të Punës, shmangien e konfliktit të interesit dhe respektimin e vendimeve të tjera shtetërore.

Gazeta Insajderi, ka dërguar pyetje me shkrim në adresat elektronike të secilit prej ish-anëtarëve dhe anëtarëve aktualë të bordit drejtues të OJQ “ATRC” për t’i pyetur lidhur me denoncimet, mirëpo gazeta nuk ka pranuar përgjigje nga shumica prej tyre deri në momentin e publikimit të artikullit.

Në një përgjigje të shkurt për Insajderin, Gjyljeta Mushkolaj ka thënë se përderisa nuk ka qenë pjesë e bordit drejtues të fondacionit gjatë vitit 2018, nuk është në dijeni për dyshimet e ngritura në kallëzimin penal kundër Kaloshit dhe të tjerëve.

Përgjegjësinë e dyshuar për keqpërdorimet financiare brenda organizatës i ka mohuar edhe ish-kryetarja e bordit drejtues, Adriana Kabashi. Ajo ka thënë se në kohën kur ishin shfaqur pretendimet për keqpërdorime, i kishte kaluar mandati në bord.

“Mua ka kohë që më kishte kaluar mandati si kryetare e Bordit ne ATRC. Me vonesë na kanë njoftuar që kishin disa probleme organizative… akuza e kundër akuza. Për diçka na kanë njoftuar e për diçka jo… por këto gjëra u mbet t’i trajtojë Bordi i ri, sepse neve tashmë na kishte kaluar mandati”, ka thënë Kabashi, në një përgjigje me shkrim për Insajderin.

Sipas saj, “organizata ka funksionuar në rregull dhe pa telashe e keqpërdorime”.

“ATRC” është themeluar në vitin 2001. Që nga formimi, sipas informatave të siguruara nga Insajderi, institucionet amerikane kanë mbështetur fondacionin me rreth shtatë milionë euro mjete financiare. /Gazeta Insajderi