×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    E mashtruan, e torturuan e pastaj e vranë në shtëpi – Insajderi sjell dosjen për rastin e biznesmenit Rexhepi që tronditi Kosovën

    Insajderi
    19 October 2022 - 12:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Pas afro 2 vjet nga zhdukja e tij Prokuroria vetëm dje zbardhi disa nga detajet e vrasjes së biznesmenit Bedri Rexhepi. Ai u vra nga vëllezërit Jeton e Nexhat Vllasaliu. Dyshja e vunë në lajthitje atë derisa e vranë me 8 prill të 2021-ës. Motivi ishte tejet i ulët, e vranë për 30 mijë euro. Trupi i tij u gjetë pastaj në Novobërdë. Gazeta Insajderi ju sjell detajet ekskluzive të vrasjes makaber ndaj 40 vjeçarit.

    Jeton Vllasaliu dhe Nexhat Vllasliu për 4 muaj radhazi kishin planifikuar vrasjen e Bedri Rexhepit duke e shfrytëzuar afërsinë me viktimën. Ai i vra në shtëpinë e të pandehurit, Nexhat Vllasaliu në fshatin Vllasali.

    “…Ata fillimisht i kishin ndarë rolet dhe planifikuar veprimet. dhe Jeton Vllasaliu duke shfrytëzuar besimin që i dëmtuari/ndjeri Bedri Rexhepi e kishte ndaj tij e ve në lajthitje të dëmtuarin Bedri Rexhepi, duke filluar nga 09 janar 2021, ku i kishte ofruar për shitje dy vetura, një Range Rover dhe një BMË X3, për vlerën prej 30.000 € (tridhjetë mijë euro). Gjatë realizimit të planit të tyre, i pandehuri Jeton, me 08 prill 2021 të dëmtuarin Bedri Rexhepi e dërgon në fshatin Vllasali në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu ku paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij”, thuhet në aktakuzën të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi.

    Nga vrasja deri tek zhdukja e trupit të pajetë të biznesmenit, Bedri Rexhepi

    Vëllezërit Vllasaliu, 48 e 54 vjeçari mendonin se Bedriu ka me vetë parat.

    Prokuroria ka specifikuar se ka qenë Jeton Vllasaliu që e vrau Bedriun, duke e ngulfatur. I ndjeri sipas prokurorisë me vete kishte pasur vetëm 8 mijë euro.

    “I pandehuri Jeton pastaj në mënyre tinzare duke e ngulfatur e privon nga jeta Bedri Rexhepi, duke menduar se ka me vete shumën e të hollave dhe atë në vlerë prej 30.000 € (tridhjetë mijë euro), siç edhe ishin marrë vesh për shitjen e veturave. Mirëpo, pas vrasjes tek viktima kishte gjetur vetëm shumën prej 8000 € (tetë mijë euro) që i ka ndarë me të pandehurin Nexhat Vllasaliu”.

    Në aktakuzën e siguruara nga Gazeta Insajderi, mësohet se pas vrasjes biznesmenit, Bedri Rexhepi i ishte mbështjellur koka me qese të zezë ndërsa trupi me perdet e shtëpisë së vëllait të vrasësit, Nexhat Vllasaliu.

    “Pastaj, kufomën e të ndjerit e dërgon në katin e tretë të shtëpisë dhe në pamundësi për ta varrosur e kishte mbështjell kokën e tij me qese të zezë te najlonit kurse tërë trupin me perden e shtëpisë së të pandehurit Nexhat, dhe e kishte lidhur me një litar”.

    Vetura të ndjerit Bedri Rexhepi të tipit “Jeep Grand Cherokee” me targa 05-406-EJ ishte dërguar nga dorasi, Jeton Vllasaliu në arat e fshatit Sushicë-Janjevë.

    Me 9 prill Nexhat e Jeton Vllasaliu fshehin trupin e pajetë të Bedriut në vendin malor të njohur si “Mali i Madh në Vllasali”.

    “Nga aty, i pandehuri Jeton i kishte telefonuar të pandehurit Nexhat i cili pastaj e kishte marrë me veturën e tij të tipit Skoda Octavia, mu në rrugën që dërgon tek vendi ku e kishte lënë automjetin Jeep Grand Cherokee. Në këtë mënyrë, i pandehuri Nexhat do të merrte pjesë në kryerjes e veprës dhe atë duke tentuar ti humb gjurmët e kryerjes se veprës, ashtu siç edhe ishte planifikuar me herët. Të nesërmen herët ne mëngjes me 09 prill 2021, së bashku shkojnë në shtëpin e tyre në fshatin Vllasali tek vendi ku ishte kufoma dhe ne bashkëkryerjeje e dërgojnë në vendin kodrinor malor të quajtur Mali i Madh në Vllasali, ky i pandehuri Nexhat e kryen veprimin siç e kishin planifikuar më herët, për zhdukjen e kufomës duke e varrosur dhe duke i fshehur edhe gjurmët deri me dt.30.09.2022 kur janë gjetur mbetjet mortore që me besueshmëri janë të dëmtuarit Bedri Rexhepi”, thuhet në dosjen e siguruar nga Insajderi.

    Nexhat e Jeton Vllasaliu po akuzohen për veprat penale “vrasje e rëndë” e “dëmtim i varrave apo kufomave”.

    I ndjeri, Bedri Rexhepi siç ka njoftuar familja do të varroset nesër ( e enjte) në varrezat e qytetit të Shtimes.

    Gazeta Insajderi do të ju sjell gjatë ditës detajet ekskluzive të rastit tronditës, ku janë intervistuar dhjetëra dëshmitarë, familjarë të viktimës e të dorasëve.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark