×
  • Lajme
  • Lajme

    Platforma që po digjitalizon sistemin edukativo-arsimor, eshkollori.com

    Insajderi
    21 November 2020 - 14:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Eshkollori.com është platformë autentike vendore e zhvilluar për digjitalizimin e sistemit edukativo-arsimor për nivelet e shkollimit nga klasa e 1-rë deri në klasën e 12-të.

    Platforma eshkollori.com mundëson qeverisjen virtuale të shkollave nga instancat përgjegjëse siç janë, Drejtoria Komunale e Arsimit dhe Ministria e Arsimit. Gjithashtu, digjitalizon administratën e shkollave, sistemin e mësimdhënies dhe mësimnxënies, sistemin e raportimit dhe vlerësimit të nxënësve, sistemin e komunikimit në mes të prindërve, nxënësve dhe institucioneve shkollore, menaxhimin e personelit të shkollave etj.

    Kjo platformë ka një infrastrukturë ideale. Trekëndëshi mësimdhënës-nxënës-prind funksionon në mënyrë perfekte. Suksesi është dëshmuar nga përdoruesit e saj, të cilët kanë dalë të kënaqur nga ajo çka ofrohet.

    Në eshkollori.com ofrohet e tërë infrastruktura virtuale shkollore për mbajtje të mësimit edhe në distancë (online), me klasa virtuale, testime online, dërgimin e detyrave nga nxënësit dhe notimin e nxënësve, vijueshmërinë e nxënësve etj.

    Që nga muaji prill të gjitha shkollat publike të Komunës së Prishtinës dhe Malishevës janë përdoruese të platformës vendore eshkollori.com. Shto këtu edhe dy shkolla të komunës së Vitisë dhe një në Istog.

    20% të shkollave në Kosovë janë duke funksionuar me eshkollori.com

    Drejtori i projektit “eshkollori.com”, Dardan Mehmeti ka sqaruar se aktualisht në eshkollori.com janë mbi 105,000 përdorues të platformës si nxënës, prindër, mësimdhënës dhe personel i Drejtorive Komunale të Arsimit në Komunën e Prishtinës dhe Komunën e Malishevës ose rreth 20% e totalit të nxënësve në Republikën e Kosovës.

    Nga gjithsej 330 mijë nxënës sa ka në territorin e Republikës së Kosovës, momentalisht mbi 57 mijë nxënës janë përdorues të kësaj platforme vendore.

    Suksesi i dëshmuar në komunat ku aktualisht po përdoret eshkollori ka bërë që edhe komunat tjera si Istogu, Gjakova, Rahoveci, Deçani, Juniku e Suhareka etj. të kërkojnë të jenë shfrytëzuese të kësaj platforme.

    Këtë e ka konfirmuar vet drejtori i Projektit eshkollori, Dardan Mehmeti.

    “Pothuajse për çdo ditë nga të gjitha Komunat gjithandej Republikës së Kosovës, nga Drejtoritë e Arsimit, nga Drejtorët e shkollave, nga mësimdhënës dhe gjithashtu që është shumë interesante, ka nxënës që kërkojnë shërbimet e eshkollori.com në shkollat e tyre”, ka thënë Mehmeti.

    Arsyeja kryesore e mos implementimit të eshkollori.com në komunat tjera po del të jetë problemi për financimin e digjitalizimit nga komunat. Derisa Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka vendosur të heshtë përballë kësaj nevoje të komunave në Kosovë.

    Duke marrë parasysh vështirësitë e digjitalizimit, platforma eshkollori.com po përshtatet dhe zhvillohet për çdo ditë që t’i ofrojë shërbimet për shkollat, nxënësit dhe mësimdhënësit duke i mbështetur rreth problemeve eventuale përmes support 24/7.

    Drejtori i Arsimit në Komunën e Istogut, Hajrush Shoshi ka shprehur interesimin që të gjitha shkollat e ciklit të ulët dhe mesëm të kësaj komune të jenë përdoruese të platformës eshkollori.com për mësimin në distancë dhe digjitalizimin e sistemit në Istog.

    Por për një kyçje të tillë, Shoshi thotë se kanë nevojë për ndihmë financiare nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

    “Me këtë platformë funksionon trekëndëshi mësimdhënës-nxënës dhe prind do të thotë edhe për mua është shumë e rëndësishme që prindërit të informohen në kohë reale, për suksesin e nxënësit, për gjendjen në shkollë, për mungesat dhe të gjitha”, është shprehur Shoshi derisa ka kërkuar nga Ministria e Arsimit të bëjë zgjidhje sepse buxheti i komunës nuk është i mjaftueshëm.

    Madje, drejtori i Komunës së Istogut ka thënë që idealja do të ishte që Ministria e Arsimit të bënte zgjidhje për të gjitha komunat që nuk po kanë mundësi të jenë përdoruese të kësaj platforme.

    Përderisa komunat si Prishtina e Malisheva po përdorin platformën eshkollori.com, komunat tjera po përdorin edhe platformat si: Zoom, Microsoft Times, Google Meet etj…

    Shoshi është shprehur i pa kënaqur me platformën për mësimin në distancë e-learning, duke theksuar se përmes Zoom, nuk po mund të merren të dhënat e sakta për mbikëqyrje të procesit arsimor.

     “Deri më tani kemi përdorur platformën Zoom, tash kemi filluar edhe me Microsoft Teams.  Përmes platformës Zoom ne nuk kemi mundur ti marrim edhe të dhënat e duhura për mbikëqyrje të procesit mësimor”, ka deklaruar Shoshi.

    Drejtori i Arsimit në Komunën Istogut potencoi se kjo platformë (eshkollori.com) nuk është vetëm për kohë të pandemisë si rrjedhojë ai thotë se nevojitet edhe për të ardhmen që shkolla të digjitalizohet dhe procesi mësimor të jetë më i lehtë për secilin.

    Insajderi, ka ditë të tëra që ka kërkuar përgjigje nga MASH-i për të parë se si po funksionojnë platformat e-learning (mësimin në distancë) nëpër komunat të Kosovës, për të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

    Kërkesa dhe nevoja e komunave tjera në Kosovë për të pasur çasje në eshkollori.com kanë mbetur pa ndonjë përgjigje. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) nuk kemi ndonjë informacion lidhur me rastin.

    Ndonëse ndarja e buxhetit për implementimin e platformave është bërë.

    Qeveria e Kosovës, tre muaj më parë i ka ndarë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), rreth 2.6 milionë euro për implementimin e një platforme në shkolla.

    Vizito nga afër platformën eshkollori

    https://www.facebook.com/eshkollori

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark