×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    Ekskluzive: 89 mijë euro FFK ia dhuroi Ballkanit për fushën që nuk e realizoi këtë sezon – presidenti thotë se nuk mjaftojnë

    Insajderi
    19 April 2022 - 12:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Federata e Futbollit së Kosovës në fund të sezonit të kaluar kishte marrë një vendim që nga ky sezon (2021/2022, aktual) të gjitha klubet e Superligës duhet të kenë stadiumet e tyre me bari natyral dhe nuk do të lejohen që të zhvillojnë ndeshjet në fushat me bari sintetik, shkruan Insajderi.org.

    Për t’u realizuar ky vendim i saj, FFK mori vendim që të ndajë mjete financiare klubeve që kanë fushat me bari sintetik.

    Klubet që pranuan mjete financiare janë FC Ballkani dhe KF Llapi, megjithatë vetëm klubi llapjan ka bërë fushën me bari natyral, ndërsa klubi nga Suhareka përkundër vendimit nuk mori hapa që të nis punimet në stadiumin e tyre.

    Stadiumi i Ballkanit me bari sintetik

    Insajderi ka kontaktuar me presidentin e Ballkanit, Arsim Kabashi, i cili ka pranuar se klubi që ai udhëheq ka marrë një shumë të parave nga FFK për të kaluar nga fusha me bari sintetik në atë me bari natyral.

    Në një prononcim ekskluziv për Insajderin, Kabashi ka deklaruar se klubi i tij ka marrë 89 mijë euro nga FFK.

    “Po, 89 mijë euro kemi marrë nga FFK-ja” – deklaroi Kabashi.

    Në pyetjen se pse nuk është realizuar ndërrimi i barit, ai deklaroi se pas mbarimit të sezonit aktual do të fillojnë punimet por që këto mjete që kanë marrë nuk mjaftojnë.

    “Kem me nis qitash, dmth në mbarim të këtij sezoni. Paratë janë një shumë e vogël, duhet mjete shtesë. Po tash e kemi ba kordinimi me Komunën dhe FFK edhe me këqyr qysh me vepru”.

    Arsim Kabashi rreth dy vjetë më parë së bashku me ekipin e tij kishte premtuar dhe prezantuar planin për stadiumin e ri modern që do ta ndërtonte.

    Por, plani i tij ka mbetur vetëm në maketë dhe letër pasi asnjëherë nuk u realizua, madje përvec stadiumit pritej të bëhej edhe kompleksi stërvitor.

    Redaksia e “Insajderit” ka dërguar pyetje nëpërmjet adresës elektronike edhe në FFK në lidhje me këtë çështje tash e disa ditë, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga ana e tyre.

    Ndihma e FFK-së me para ndaj Llapit është rreth 61 mijë euro më shumë se sa shuma që Ballkani ka marrë sipas presidentit të tyre, Arsim Kabashi.

    Trajneri i Llapit, Tahir Batatina është vetë ai që ka zbuluar se klubi i tij është ndihmuar nga FFK me 150 mijë euro për ta bërë kalimin nga fusha me bari sintetik në atë me bari natyral, ndonëse se ai thotë se familja e tij ka investuar edhe 350 mijë euro të tjera për ta realizuar në tërësi projektin.

    “Jam i lumtur që njerëzit e futbollit më njohin dhe faktet janë të gjitha të hyrat nga FFK ku ne si familje kemi investuar 350,000 euro në fushën natyrale të stadiumit “Zahir Pajaziti” me dokumente dhe jo me fjalë ku FFK-ja na ka mbështetur me një pjesë ku vlera e saj ka qenë 150,000 euro” – ka shkruar Batatina në rrjetin e tij social Facebook.

    Stadiumi “Zahir Pajaziti” me bari natyral

    Përkundër vendimit të Komitetit Ekzekutiv që të mos lejohet zhvillimi i ndeshjeve të Superligës në fushat me bari sintetik, kjo ka ndodhur duke lejuar klubin e Ballkanit, Ulpianës dhe Malishevës që ndeshjet e tyre t’i zhvillojnë në fushat me bari sintetik.

    Madje, edhe dy klubet e Gjilanit, Drita dhe SC Gjilani kanë zhvilluar disa ndeshje si vendës në fushën me bari sintetik që ka ndërtuar FFK për shkak të punimeve në stadiumin e qytetit.

    Ballkani dhe Llapi para fillimit të këtij sezoni ishin klubet më të zëshme kundër FFK-së dhe kryetarit Agim Ademi, por gjërat ndryshuan pasi që delegatët e tyre votuan pro Ademit që ai të merr edhe mandatin e dytë si numri një i FFK-së. /Insajderi.org/

    https://insporti.com/ffk-kerkon-te-largohen-fushat-me-bari-sintetik/?fbclid=IwAR1fbiLtoWk-718wOxUk2LIJsAtGrD4lJBXUOfMI3q_QwgmetWZdh-B6tDc

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark